Doris Pack “shuplakë” politikanëve: Ndërtoni shkolla, jo kulla!

637
Sigal

Përfaqësuesja e PPE-së Doris Pack, ka qenë dje në një takim në Tiranë dhe deklaroi se politikanët duhet t’i motivojnë të rinjtë që mos të largohen nga vendi. “Jam e nderuar që jam këtu, dhe shikoj sallën plot. Jam e kënaqur që shikoj shumë të rinj këtu që kanë vendosur të mos largohen nga ky vend. Ky nuk është një problem vetëm i Shqipërisë, por i Kosovës, Serbisë, Maqedonisë, edhe Kroacisë. Kjo ndodh se politikanët nuk po kujdesen për nevojat jetësore të tyre. Faktikisht nuk e mbaj mend sesa herë kam ardhur në Shqipëri, por këtu nuk ka nevojë për shumë kulla, por më shumë shkolla. Normalisht ka nevojë për investime, të cilat do bëhen, nëse sistemi i drejtësisë vihet në vend. Unë jam presidente e forumit të gruas, por drejtoj edhe forumin që trajnon të rinjtë. Këtu ka nevojë për shkolla të mira, arsimim më të mirë, ndaj BE, mendoi të shtrinte mundësinë përtej BE. Këto programe nuk janë vetëm për studentët, por edhe për mësuesit dhe diplomatët”, theksoi diplomatja evropianen Doris Pack.

300 nxënës e prindër braktisin mësimin në Elbasan, shkolla prej 2 vitesh e mbyllur

Rreth 300 nxënës dhe prindër të shkollës 9-vjeçare në fshatin Mengël të Elbasanit kanë braktisur mësimin për të tretën ditë radhazi. Ata janë mbledhur përsëri në oborrin e shkollës, e cila është mbyllur prej dy vitesh, për shkak se Komisioni i Emergjencave e vlerësoi si pasigurt pas dëmeve të shkuara nga tërmeti. Prindërit e nxënësve kanë thënë se mbyllja e shkollës ka prapavijë politike, ndërsa kanë thënë se nuk do i çojnë fëmijët në shkollë deri në zgjidhjen e problemit. Në rast se problemi nuk zgjidhet, fëmijëve do u duhet të marrin autobusët për të ndjekur mësimin në turnin e dytë në një nga shkollat e Elbasanit, që është disa kilometra larg.

150 nxënës mbeten pa shkollë, prindërit ngrihen në protesta para bashkisë në Shijak

Prindërit dhe nxënësit janë ngritur në protesta para bashkisë në Shijak, për shkak të problematikave në shkollën 9-vjeçare “Adem Sabli” në Borakaj. Plot 150 nxënës nuk e kanë nisur ende vitin e ri shkollor, pasi shkolla rezulton të jetë jashtë standardeve dhe nxënësit janë dërguar të ndjekin mësimin në shkollat e Maminasit. Mirëpo prindërit kanë vendosur të ngrihen në protesta dhe të mos i dërgojnë fëmijët në shkollat e tjera ku përpos rrugës së largët, duhet të bëhet mësimi më dy turne. “Është e patolerueshme. Klasat e para mësim në darkë, jashtë logjike”, ankohen prindërit. Në shkollën “Adem Sabli” bënin mësim katër fshatra dhe prej rreth një viti nxënësit janë zhvendosur në Maminas.

 

Nxënësit në Dibër bojkotojnë mësimin

Edhe në Peshkopi, nxënësit e fshatit Rabdisht nuk janë në mësim. Mbyllja e shkollës së tyre i zhvendos ata 5 kilometra larg në fshatin Bellovë. Por prindër, mësues dhe nxënës kundërshtojnë vendimin. Ata thonë se, jo vetëm që është larg, por është një godinë pa kushte. “Mungojnë elementaret. Nuk ka tualete për nxënësit, nuk ka ujë për të pirë, drita, llamba  apo një çelës”. “Rruga është shumë e keqe. Ka edhe probleme të tjera. Më mirë të vijnë mësuesit këtu edhe të fillojë shkolla”. Në mbështetje të tyre ishte edhe deputeti i zonës, Xhemal Gjunkshi. Ai akuzoi bashkinë për abuzime me fondet, kurse situata për fëmijët është shumë e rëndë.