Dorëhiqet Shkëlqim Hajdari: Prokuroria po kontrollohet nga krimi dhe politika

529
Prokurori i Prokurorisë së Shkodrës, Shkëlqim Hajdari, njëkohësisht Kryetar i Shoqatës së Prokurorëve, i ka paraqitur dorëheqjen presidentit të Republikës Bujar Nishani, pesë ditë më parë për shkak të pengesave në ushtrimin e detyrës, siç shprehet ai. Hajdari pohoi se pas një pune profesionale për afro dy dekada, prokurori i përgjithshëm, Adriatik Llalla e transferoi dhjetorin e kaluar nga drejtues i prokurorisë së apelit në prokuror të thjeshtë në Shkodër.
Ai thotë se kjo dorëheqje erdhi sepse situata në organin e akuzës është bërë alarmante për një shtet demokratik, ku emërimet dhe shkarkimet bëhen në shkelje të ligjit dhe në favor të personave të paaftë. Sipas tij, disa elementë në institucionin e prokurorisë po kontrollohen nga krimi i organizuar dhe nga korrupsioni dhe përdoren nga politika.
“Dorëheqja ime nuk është një akt dorëzimi, përkundrazi, është një akt i përgjegjshëm sensibilizimi dhe motivimi të prokurorëve të ndershëm, të cilët në sistemin e prokurorisë janë në mazhorancë. Për fat të keq, prokurorët nuk munden dot të artikulohen dhe të gjejnë forca për të ndaluar këta individë, të cilët nëpërmjet shkeljes së hapur të ligjit, përdorimit politik dhe kriminal të tyre e kanë katandisur organin e akuzës në një organ, i cili vetëm zbatimin e ligjit nuk bën më”, – tha kryetari i shoqatës së prokurorëve. Hajdari thotë se në vitet e fundit një numër jo i vogël prokurorësh profesionistë nga krimet e rënda dhe sektorë të tjerë janë transferuar në mënyrë të paligjshme nëpër periferi dhe pikërisht në zonat ku janë përballur me bandat e armatosura.
Sigal