Djegia e pyjeve dhe loja e tenisit

757
( Fejton nga Vlora )
“Aktivitet nën kujdesin e veçantë të Kryetarit të Bashkisë Vlorë z. Dritan Leli “Tenis për të gjithë” pranë fushave të tenisit në Lungomare. Topi i parë i Tenisit është goditur nga i pasionuari i sportit të tenisit z. Dritan Leli.” Ky ka qenë lajmi që u ka servirur vlonjatëve, nëpërmjet medieve të Vlorës, kryetari i bashkisë së Vlorës, Dritan Leli. Vlonjatët kanë mësuar kështu edhe për një pasion të kryetarit të tyre, teksa e kanë parë të lëvizte me shkathtësi në fushën e tenisit në Lungomare. Gjithçka ndodh në kohën që Bashkisë së Vlorës, ose i digjen pyjet, ose në detin e Vlorës po mbyten e rrezikohen përditë njerëz, sepse nuk është marrë ende asnjë masë por vetëm tallje, mjafton të shohësh të ashtuquajturat kullat e vrojtimit që u ngritën shpejt e shpejt, por nuk kryejnë asnjë funksion. Kryetari i bashkisë së Vlorës luan tenis kur bashkinë e Vlorës po e qelbin plehrat nëpër fshatra, kur bashkia e Vlorës nuk mbledh dot taksa, kur bashkinë e Vlorës e pret një dimër me përmbytje, kur autobusët e bashkisë së Vlorës brenda në qytet janë të qelbura, ndërkohë që kryetari kishte premtuar në fushatë se në stacionet e urbanëve, vlonjatët do të rregullojnë orën, ashtu siç ndodh me oraret e stacioneve të autobusëve në vendet perëndimore ku ai ka jetuar e studiuar. Gjithçka ndodh kur vlonjatët kërkojnë shpjegime dhe bëjnë habi me faktin qe shtyllat e ndriçimit të bulevardit përdoren për reklama, ndërkohë që vendet e caktuara për reklama janë bosh. Pas lajmit, në Vlorë uruan që pasionin e fshehur për tenisin, kryetari i tyre i bashkisë ta ketë edhe për zgjidhjen e problemeve që ka qyteti dhe të mos presë, se sa fonde do t’i japë kryeministri Rama dhe se për çfarë do ta këshillojë i dërguari i Ramës në Vlorë, Artan Shkreli, që ndihmon administratën e bashkisë, por që në Vlorë njihet edhe si kryetari de fakto i bashkisë së Vlorës.
Sigal