Dekriminalizimi të spastrojë edhe 3100 “feudalët”, hajdutët dhe spiunët e OJF-ve e shoqatave

72

Përveç politikanëve është edhe një “ushtri” sharlatanësh e quajtur “shoqëri civile”, të cilët prej 25 vitesh janë futur tinëzisht brenda jetës e punës tonë, madje edhe brenda familjeve e komuniteteve dhe me perversitetin e tyre po vazhdojnë të na brejnë si “mola” e nuk po na hiqen nga sytë, duke u ngulur nëpër ekrane me analiza, me parulla bajate nëpër protesta sociale fiktive e përkujtime festash, datash e figurash historike, të sajuara vetëm për të zhvatur fonde shtetërore, nga bizneset e nga ndërkombëtarët. Këta individë e “çeta” individësh krijojnë OJF, shoqata, grupime, lëvizje, sindikata, portale, blogje e gjithçka, por që kanë anëtarësi e kryesi vetëm familjet dhe krushqitë e tyre. Të pajisur me nga një vendim gjykate, vërsulen për të zhvatur fonde nën emra shoqatash e lëvizjesh sociale, duke “bilbilosur” sikur nuk kanë lidhje me politikën, por që faktikisht lëpihen në gjunjë përpara saj dhe përfitojnë fonde projektesh, financime e madje edhe tendera publik, duke u vetë-përdorur e përdorur deri në kllounllëk! Pikërisht këta “llumra” e ish-spiunë sigurimi që kanë tej-mbytur shoqërinë dhe jetën shqiptare me demagogji, mashtrime e trullosje propagandistike duke keq-përdorur plagët e shtresave në nevojë e të grupeve sociale të rrënuara, duhen përfshirë në ligjin për dekriminalizimin. Këta duhen spastruar përfundimisht nga jeta publike shqiptare, si një kancer që gërryen e deformon shoqërinë shqiptare! 

Spastrimi i këtij kontingjenti të maskuar pas logove të OJF e shoqatave, pas funksioneve e emrave që kanë në medie, duhet përfshirë në ligjin për dekriminalizimin. Pse? Sepse prej 25 vitesh e në vazhdim, këto “këpusha” amorale kanë instaluar dhe kanë mbajtur në aktivitet krimin social, shpirtëror, kulturor e shoqëror në Shqipëri, duke bastarduar vlerat njerëzore, shoqërore e kombëtare, duke përdorur mjete financiare të përfituara nëpërmjet rrugëve të krimit! Psh., spastrohet nga politika, nga administrata, nga parlamenti, nga diplomacia një zyrtar e shtetar, që në kundërshtim me ligjin e për interesa abuzive i ka dhënë fonde publike një OJF-je e shoqate jetimësh, emigrantësh, këngëtarësh, apo shoqate atdhetare, patriotike e kulturore. Por nuk përfshihet në ligj drejtuesi i OJF e shoqatës që ka përfituar këto fonde e për më tepër, që i ka përvetësuar ato me projekte e aktivitete fiktive, duke plotësuar letra e fotografi protestash fiktive. krim është psh., të plotësosh letrat se gjoja ke dhënë kontribute financiare për individë e grupe sociale që dhunohen, që janë të papunë, që janë pa shkollim, pa ilaçe e pa veshje, siç bëri dhe u akuzua e u arrestua psh., ish-ministri Ksera! Ka krerë shoqatash, që i kanë kthyer kryesitë, vulat e fondet e shoqatave në pronë private! Ka drejtues mediash që kanë damkën e spiunit dhe bëjnë thirrje për spastrimin e spiunëve nga media, politika e funksionet shtetërore. Ka drejtues shoqatash fshati e zonash që i kanë krijuar këto shoqata dhe i mbajnë peng përjetësisht, duke i përdorur si “punishte” private për përfitim fondesh e privilegjesh! Këta “tipa” duhet të trajtohen me ligjin e dekriminalizimit, tamam si deputetët, ministrat, diplomatët, shtetarët e ish-shtetarët e lartë, si politikanët, prokurorët, gjyqtarët, drejtorët e çdo niveli dhe drejtuesit e pushtetit lokal të emëruar e të zgjedhur nga populli. 
Mjafton të hapësh “kapakun” e “CV”-ve të këtyre “agallarëve” që janë “çimentuar” privatisht në krye të OJF-ve, shoqatave e sindikatave të çdo lloji e të çdo emri dhe konstaton se janë të penalizuar për falsitet veprimtarie, për abuzime me fondet, për korrupsion, për përdorim të shoqatës për veprimtari abuzive, për bashkëpunim me krimin e për çdo vepër tjetër që bie ndesh me ligjin. Njoh drejtues shoqatash e OJF-je që në emër të shoqatave të tyre vetë-dekorohen e vetë-shpallen “Qytetarë Nderi…”, që dekorojnë politikanë, shtetarë, ambasadorë, aktorë e gjeneralë të huaj, madje që dekorojnë edhe motrën, tezen, vëllanë, nipin, dhëndrin e baxhanakun, duke u dhënë disa kartonë e copa llamarine të bëra tek kovaçët, të cilat quajnë medalje e dekorata nderi, patriotizmi, atdhetarizmi, heroizmi, trimërie, shkence, kulture e humanizmi, por që pas çdo cope kartoni e dekorate llamarinë, qëndrojnë fonde që zhvaten e bëhen pasuri personale të këtyre sharlatanëve. Di një rast, që një kryetar i përjetshëm shoqate patriotike zone, në emër të shoqatës që sundon prej 20 vitesh, ka dekoruar 52 herë veten me tituj, dekorata e medalje me përmbajtje që i ka shpikur vetë, që i ka firmosur vetë në motivacion e që ia ka dhënë baxhanakut t’ia dorëzoj publikisht! Këta drejtues sundimtarë shoqatash, sindikatash, OJF-sh etj, nuk japin llogari për kontributet që marrin nga emigrantët e patriotët e vërtetë, nuk japin llogari për financimet që marrin nga shteti, nuk japin llogari për milionat që përfitojnë nga donacionet e huaja. Dhe preferohen si palë me shtetin, si partnerë me politikën, si “vlerë” kontribuese e shoqërisë, kur në fakt me veprimtarinë e tyre janë “llumi” dhe krimi social i shoqërisë që duhet çuar përpara ligjit, por fillimisht që duhen ndaluar të jetë pjesë publike e shoqërisë, duke vepruar në emër të shoqatave që miratohen me ligj! Këto kontigjente që nuk janë përfshirë në ligjin për dekriminalizimin, faktikisht kanë ngritur dhe mbajnë në aktivitete piramidën e krimit social, kulturor, atdhetar, historik, gjuhësor, shkencor e humanitar, nëpërmjet disa logove të quajtura OJF e shoqata të çdo lloji e race, unione, grupime, deri edhe lidhje kulturore, etnike, patriotike, diaspore e shoqata me emra qyteti, rrethi, qarku, fshati, mali, fushe, kodre, aktori, këngëtari, çete partizane, dëshmori e heroi! Madje kanë krijuar edhe shoqata bimësh, kafshësh, bulmetrash e perimesh të cilat i përdorin për zhvatje fondesh.