Dalja e tezës së matematikës online, reagon MAS

514
Me anë të një deklarate të shpërndarë për mediat, Ministria e Arsimit ka reaguar menjëherë pas publikimit të një testimi në rrjetet sociale, për të cilin pretendohet se është testi i matematikës për Maturën 2016. MAS bën me dije se ai test është i vjetër dhe se nuk ka asnjë mundësi të ketë dalë testi i këtij viti.  “Në lidhje me disa lajme të cilat qarkullojnë në rrjetet sociale dhe portalet online ku raportohet për mundësinë e daljes së tezës të lëndës së matematikës të provimit Shtetëror të Maturës 2016 një natë përpara zhvillimit të testimit, Ministria e Arsimit dhe Sportit sqaron se; 
Ministria e Arsimit dhe Sportit, ka hartuar një proces të tillë administrimi të tezës i cili siguron pamundësinë e daljes së çfarëdo informacioni deri përpara hapjes së tezës përcaktuar të dorëzohet për të gjithë maturantët ditën e premte datë 17 qershor 2016, ora 10.00, në të gjitha qendrat e provimit në vend. 
Kjo, pasi procesi i hartimit të tezës zhvillohet në masa të rrepta sigurie në ambiente ku hartuesit e saj janë të izoluar dhe nuk kanë mundësi komunikimi me ambientet e jashtme të godinës ku ata janë ngujuar. Nga ana tjetër, sqarojmë publikun se tezat janë shoqëruar dhe ruhen në të gjithë vendin nga forcat e rendit dhe punonjës të përzgjedhur të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit. Ndaj, çfarëdo informacioni që pretendon se teza e matematikës është publikuar përpara provimit është i pavërtetë dhe një sajesë dashakeqëse nga të gjithë ata që kërkojnë të baltosin këtë proces model administrimi të nisur prej MAS nga viti 2014.
I bëjmë thirrje të gjithë administratorëve të provimit, maturantëve dhe të gjithë publikut se provimi i Maturës Shtetërore të lëndës së matematikës do të zhvillohet sipas të gjithave procedurave dhe standardeve të paracaktuara dhe informuara paraprakisht nga udhëzimi i Ministrisë së Arsimit dhe Sportit për provimet e Maturës Shtetërore 2016. Kush do që tenton të shkel rregulloren e Maturës Shtetërore do të përgjigjet penalisht përpara organeve ligjzbatuese. Duke siguruar dhe njëherë të gjithë maturantët e vendit për një proces administrimi me integritet e që garanton meritokraci, i urojmë atyre suksese në provimin e radhës”.
Sigal