Fajdexhinjtë “po hanë koka njerëzish”

543
Dhënia dhe marrja e parave me kamatë është një dukuri që ka marrë përmasa të mëdha në shoqërinë shqiptare. Nga qindra euro që merren në fillim, me kamatat pastaj përfundojnë në mijëra e deri në miliona euro. Njerëz të vrarë, familje të mbetura pa shtëpi dhe prona të konfiskuara janë pasojë dhe rrjedhojë e këtij biznesi, për dikë fitimprurës e për të tjerë shkatërrues. Gazeta“ Telegraf” ka hulumtuar një pjesë të këtij biznesi përfitues, për ata që japin paratë. Janë grupe njerëzish që kanë vënë para të pista, në të shumtën e rasteve apo edhe individë që janë të gatshëm në çdo moment për të ofruar mijëra euro me kamatë dhe që paratë i japin me deponimin e hipotekave të ndryshme nga shtëpitë, pronat e patundshme, dyqanet, veturat dhe sende të tjera me vlerë. F. M, 40- vjeçar nga Pogradeci, thekson se dikur ka punuar një biznes të tillë, por që tani ka hequr dorë, sepse nuk ka pasur ndjenja për ta bërë një punë të tillë. “Kam dhënë shumë pare, sepse nuk i shfrytëzoja ato për ndonjë investim. Kamatat ishin të larta nga 10 deri në 20 për qind, por që më pas hoqa dorë, pasi mezi arrita të ktheja vetëm paratë e mija, sepse kuptova që njerëzit u bënë viktima që nuk mund t’i shpëtonin rrethit fatkeq, për shkak të shumave të larta të parave që duhej të kthenin”, – thekson ish-kamataxhiu F. M për gazetën “Telegraf”, i cili shpjegon gjithë funksionimin e këtij biznesi. Disa grupe të organizuara bëjnë skenare të ndryshme, duke manipuluar me klientët e tyre dhe duke ia rritur kamatat në rrethana të ndryshme. Ka raste kur vjen dita për ta paguar kamatën, fajdexhiu që ka dhënë paratë, zhduket dhe humbet nga kontakti, shkon qëndron nëpër pika turistike jashtë vendit, në shtetin fqinj apo me pushime në Turqi apo Spanjë dhe vjen disa ditë më vonë, mirëpo sapo kthehet pas 20 ditësh, kërkon para shtesë për shkak të kalimit të afatit të dorëzimit të parave nga klienti. Këto momente janë trishtuese, sepse shoqërohen me frikësim, armë dhe dhunë”, marrje peng të këtyre fatkeqëve, madje kanë arritur deri atje, sa i kanë mbyllur nëpër gryka galerish miniere të braktisura. Ka shumë noterë që kryejnë akte noteriale problematike në favor të fajdexhinjve, madje falsifikohen dhe firma të personave që kanë vdekur apo flaken prindër të moshuar në rrugë, pasi djali i tyre, i zhytur në borxhet e fajdeve, siç ndodhi me farmacistin në Korçë, me firma të falsifikuara të prindërve pa pjesëmarrjen e tyre në aktin noterial. Apo bojaxhiut që gruaja i kishte vdekur para 10 vjetësh dhe firma figuronte e falsifikuar në aktin noterial. Prokuroria dhe organe kompetente duhet që të merren me këto raste dhe shkaktarët e këtyre dramave familjare, duhet t`i venë para drejtësisë. Vetëm në qarkun e Korçës janë mbi 30 raste të tilla, që kanë përfunduar tragjikisht me vetëvrasje dhe mbi 20 persona që kanë humbur shtëpinë, veturat luksoze, troje., etj. Këto janë raste që kemi investiguar ne si gazetë, “Telegraf”. Policia duhet të ketë një zyrë të veçantë hetimore, që të hetojë këto shushunja që ju pinë gjakun këtyre fakir fukarenjve, të ekzistojë një njësi, shpjegojnë njohës të kësaj problematike, e cila në këtë kohë krize po ha jo pak koka njerëzish dhe plus halleve që kanë. Policia dhe prokuroria është ndeshur me shumë denoncime të kësaj natyre, që sipas tyre përfundojnë me viktima dhe probleme të mëdha. Shpesh herë këto raste problematike përfundojnë në maratonë gjyqesh, ku të humbur ngelen këta fakir fukarenj. Duhet të ekzistojë një njësi. Ekzistojnë njësi që merren me këtë punë dhe inspektorët veprojnë aty, ku ka dyshime dhe janë të gatshëm për të ndihmuar qytetarët. Ka ardhur koha që qytetarët të heqin dorë nga këto dukuri, qytetarët të largohen nga ky fenomen, që po ju ha kokën dhe qindra e mijëra familje po shkatërrohen, deri në divorce dhe drama me humbje jetësh njerëzore. Edhe ekspertët për çështje ekonomike, vlerësojnë se kamata është nga shkaktarët më kryesorë të trazirave ekonomike në shoqëri të ndryshme, për faktin se fitimet e kushtëzuara, me kamatë bëjnë që fajdexhinjtë të dhjamen dhe fakir fukarenjtë të vuajnë….kurse policia dhe prokuroria të jetë vigjilente dhe t`i ndëshkojë me forcën e ligjit këta gjakpirës.
Përgatiti: Bardhyl Berberi
Sigal