Dako takohet me komandantin e nëndetëses turke

81

Kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako ka pritur në një takim komandantin e nëndetëses turke Alper Topuz të shoqëruar nga zv/atasheu ushtarak i ambasadës turke në Shqipëri, Raif Sarica. Nëndetësja e  FLD turke “TCG SAKARYA” me gjatësi 62 metra, gjerësi 6 metra dhe tonazh 1650 ton viziton vendin tonë në kuadrin e një vizite portuale që është e përfshirë në Planin e Bashkëpunimit Ushtarak Dypalësh, Shqipëri-Turqi për vitin 2014. Qëllimi i kësaj vizite është shkëmbimi i eksperiencës midis forcave detare të Shqipërisë dhe forcave detare turke. Komandanti i nëndetëses turke Alper Topuz dhe ushtarakë të tjerë të kësaj nëndetëse i kanë shprehur Kryebashkiakut Dako kënaqësinë e kësaj vizite në Durrës si dhe kanë diskutuar me Kryebashkiakun e Durrësit çështje që kanë të bëjnë me bashkëpunimin ushtarak në kuadër të NATO-s si dhe miqësinë që ekziston midis popullit shqiptar dhe atij turk. Madje komandanti turk i nëndetëses deklaroi se Durrësi ishte kaq tërheqës sa ai dhe ekuipazhi i nëndetëses turke do të rikthehen në Durrës bashkë me familjet e tyre si turistë. Kryebashkiaku Dako nga ana e tij pasi u ka shprehur mirëseardhjen në Durrës të ushtarakëve të kësaj nëndetëse, i ka njohur ushtarakët turq me resurset e shumta që ofron qyteti i Durrësit në të gjitha planet. Gjithashtu, ai ka bërë edhe një ekspoze të shkurtër të vlerave të rralla historike dhe arkeologjike por edhe ushtarake që ka qyteti ynë. Në fund të këtij takimi tepër të ngrohtë e miqësor Dako i ka dhuruar komandantit të nëndetëses turke simbolet e qytetit të Durrësit ndërkohë që nga ana e tij komandanti i nëndetëses i ka dhuruar Kryebashkiakut Dako simbolin e kësaj nëndetëse.

 Artur Ajazi