Baseni i tejndotur nga mbeturinat

540
Sigal

120 milionë lekë shkuan në xhepat e sekserëve

Baseni i portit më të madh të vendit, është ndotur, aq sa nuk duket fare ngjyra e detit, nga mbeturina të llojeve të ndryshme, duke nisur nga ato organike, e deri tek inertet, derdhjet e pakontrolluara të vajrave dhe karburanteve nga anijet dhe tragetet etj. Një vit më parë një firmë private ka marrë nga porti plot 120 milion lekë për pastrimin e basenit, dhe sot e kësaj dite atje nuk është bërë qoftë edhe një ditë punë me mjete dhe pajisje detare për pastrimin. Burimet portuale i thane “Telegraf” se, “kjo ishte një vjedhje e pastër, pasi mjetet e firmës e cila edhe emrin nuk e ka në regjistrat e DPTT, ka punuar për pastrimin e basenit vetëm 24 orë, ndërkohë që kontrata e lidhur mes saj dhe APd ishte për 66 ditë, dhe pasi të verifikohej gjithçka nga supervizori portit dhe Ministrisë Transporteve, atëherë ajo duhej të largohej”. Por edhe duke parë gjendjen në terren konstaton me lehtësi se, anijet tona dhe ato të huaja, duke nisur nga ato tregtare dhe më e keqja edhe tragetet, derdhin jo rrallë, mbeturina vajore dhe organike në basen dhe kjo ndodh natën, në një kohë që në çdo port tjetër të botës, gjoba më e vogël kur kapesh është 50 mijë dollarë. Vetëm në portin e Durrësit, ku futen dhe dalin qindra anije dhe tragete përgjatë një muaji, ndodhin këto skandale. Agjentët e Agjencisë Rajonale të Mjedisit, pothuajse nuk gjenden asnjëherë në vendin më të ndotur të portit, kurse APD as nuk ka dërguar dhe as nuk dërgon njeri nga zyrtarët e saj të Mjedisit për të konstatuar dhe gjobitur çdo mjet detar, vendas dhe të huaj. Tre muaj më parë një traget grek u kap “mat” duke derdhur mbeturina vajore natën në basen, por duket se ndërhyrja nga “lart” bëri që ajo të mos marrë gjobë. Por e njëjta gjë ndodh edhe me mjetet e tjera si ato të peshkimit, ku kujdesi është pothuajse zero. Harresa e qëllimshme për tu marrë me zhdukjen e 120 milionë lekëve të pastrimit të basenit, duket se është pasuar nga një kërkesë tjetër nga APD për të peshkuar një firmë tjetër “më serioze” për nisjen e një operacioni të ri. Zhdukja e 120 milionë lekëve të pastrimit të basenit, tregon qartë gamën dhe nivelin e korrupsionit që ka mbërthyer prej vitesh portin e Durrësit. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me operacionin e thellimit të basenit, ku u zhdukën si firma daneze, ashtu edhe paratë e dhëna nga buxheti shtetit. Edhe sot e kësaj dite, ky  problem ka mbetur në Dhomën e Arbitrazhit në Paris, ky pala shqiptare ka ndërruar mbi tre here avokatin dhe vendimi po mbahet zvarrë për arsye të paqarta.