Bursat për studime në SHBA, ja afatet e aplikimit

81
Ambasada amerikane njoftoi dje se deri më 20 qershor do të pranojë aplikime për mundësinë e arsimimit në Shtetet e Bashkuara përmes programeve Fulbright dhe Humphrey. Zv/shefja e Zyrës së Marrëdhënieve me Publikun, Meghan McGill dhe ish-pjesëmarrës të programeve të shkëmbimit të Ambasadës Amerikane, u takuan me akademikë dhe profesionistë të rinj nga Vlora dhe Fieri për të folur mbi mundësitë e arsimit nëpërmjet programeve Fulbright dhe Humphrey. Sipas njoftimit zyrtar, ambasada pranon aplikime për këto programe deri më 20 qershor. Programi Fulbright për Studentë të Huaj është një ose dyvjeçar për profesionistë të rinj dhe ata që kanë përfunduar studimet të interesuar të ndjekin studime në nivelin Master në Shtetet e Bashkuara. Në bazë të një procesi të hapur konkurrimi, bursat u jepen kandidatëve që shfaqin më së miri përkushtimin në detyrë si në sektorin publik dhe atë privat, si edhe potencial për të sjellë një qasje pozitive në të ardhmen e Shqipërisë. Ndërsa programi Hubert H. Humphrey është për profesionistë që janë në mes të karrierës së tyre profesionale dhe me potencial udhëheqës të shkojnë në Shtetet e Bashkuara për një program dhjetëmujor, të nivelit pasuniversitar, jo në nivel diplome shtetërore, për kurse akademike dhe aktivitete të zhvillimit profesional. Duke iu ofruar udhëheqësve të ardhshëm dhe hartuesve të politikave një përvojë në shoqërinë dhe kulturën amerikane, si edhe fushat profesionale, programi siguron një bazë të qëndrueshme për lidhjet e frytshme mes amerikanëve dhe homologëve të tyre profesionistë jashtë shtetit. Kandidatët nominohen në bazë të potencialit për udhëheqje dhe përkushtim në shërbim publik.
Fushat e studimit për Fulbright
1 – Shkenca natyrore dhe sociale
2 – Agrikulturë
3 – Inxhinieri
4 – Biznes
5 – Ekonomik
6 – Administrim Publik
7 – Administrim Shëndetësor
8 – Letërsi dhe gjuhësi
9 – Psikologji
10 – Bibliotekonomi
11 – Kërkime arsimore
12 – Juridik
13 – Teatër/Balet
14 – Arsim
15 – Gazetari
Fushat e programit Hubert H. Humphrey
1 – Bujqësi dhe zhvillim rural
2 – Komunikim/Gazetari
3 – Abuzimi me lëndët narkotike në arsim, parandalimi dhe trajtimi
4 – Zhvillimi ekonomik/Financë, Bankë
5 – Administrata arsimore, planifikimi dhe politikat
6 – Administrata e Arsimit Universitar
7 – HIV/AIDS, Politikat dhe Parandalimi
8 – Menaxhim i burimeve njerëzore
9 – Ligj dhe të drejtat njerëzore
10 – Menaxhim i burimeve natyrore/Politikat mjedisore/Ndryshimet klimaterike
11 – Analizat e politikave publike dhe administrimi publik
12 – Mësimi i gjuhës angleze si një gjuhë e huaj
13 – Trajnimi në mësimdhënie dhe zhvillimi i kurrikulave
14 – Politikat dhe menaxhimi teknologjik
15 – Trafikimi njerëzor, politikat dhe parandalimi
16 – Planifikimi urban dhe rajonal