Pronat, si do të lidhen marrëveshjet me privatët

Organet shtetërore përgatisin procedurën dhe mënyrën e negocimit me zhvilluesit privatë
Bashkia e Tiranës do t’i japë pronat e saj për zhvillim bizneseve private, sipas modelit të Partneritetit Publik-Privat. Nëpërmjet këtij modeli të zhvillimit të pronave të saj, bashkia thotë se synon që të përfitojë sipërfaqe ndërtimore, për programe sociale dhe ambiente për nevojat e saj. Në mbledhjen e saj të ardhshme, këshilli bashkiak pritet të shqyrtojë vendimin “Për përcaktimin e procedurës dhe negocimin me zhvilluesit privatë që shprehin interesin që të bashkëpunojnë me Bashkinë e Tiranës nëpërmjet marrëveshjeje të sipërmarrjes/shkëmbimit për pronat në pronësi të saj”. Modeli është i ngjashëm me marrëdhëniet mes individëve dhe ndërtuesve, ku individët që japin për zhvillim pronat e tyre marrin në këmbim një pjesë të sipërfaqes së ndërtuar, që pritet të luhatet midis 35-50%. Në vendim thuhet se sipërfaqja takuese ndërtimore që do të përfitohet nga Bashkia e Tiranës, në çdo rast duhet t’i referohet përqindjes më të lartë të kontratave të lidhura në zonën përreth, por në çdo rast kjo përqindje nuk mund të jetë me pak se 35 % e sipërfaqes ndërtimore për pjesën takuese që Bashkia Tiranë ka vendosur në dispozicion të zhvilluesit privat. Në rast se prona në pronësi të Bashkisë Tiranë është godinë, atëherë Bashkia duhet të përfitojë si rregull të njëjtën sipërfaqe ndërtimore, e cila do t’i vendoset në dispozicion të zhvilluesit privat, por në asnjë rast, jo më pak se 50 % të sipërfaqes, në ato raste kur godina është në gjendje të amortizuar. Sipas relacionit, që shoqëron këtë vendim, “struktura urbane e qytetit trashëgon pronësi të tipologjisë urbane historike, të përbërë nga shtëpiza individuale dhe të bashkëlidhura, të vendosura në parcela të çrregullta, të vogla dhe me shumë rrugica aksesi dhe kalimesh këmbësorësh me pronësi publike. Mospërfshirja e parcelave publike të këtij tipi dhe të ngjashme, në zhvillim vështirëson projektimin urban si dhe cenon zhvillimin e një gjuhe urbane të rregullt, nëpërmjet të cilës të mund të projektohen hapësira publike dhe rekreative të domosdoshme për komunitetin. Në kontekstin e planifikimit dhe projektimit është një kusht i domosdoshëm zhvillimi i parcelave publike për transformimin e kryeqytetit në një qytet cilësor dhe të qëndrueshëm bashkëkohor. Në vijim të këtij nocioni, si dhe zhvillimit të koncepteve të planifikimit në të cilat Tirana po avancon, Drejtoria e Planifikimit të Territorit aktualisht i rezervon të drejtat e zhvillimit të parcelave me pronësi publike në strategjitë e detajuara të planifikimit, te cilat nuk kanë arritur të përdoren dhe as të përmirësojnë projektimin urban pasi deri më tani nuk janë përfshirë në zhvillim në politikat e ri-zhvillimit nëpërmjet bashkëpunimeve privat-publik”. “Gjithashtu, përfshirja e parcelave publike në zhvillim është një potencial i pashfrytëzuar ekonomik për Bashkinë Tiranë, e cila, jo vetëm do të mundësojë përmirësimin e transformimit urban të kryeqytetit, por do të kontribuoje drejtpërdrejt në përfitimin ekonomik të Bashkisë Tiranë nga zhvillimi i aseteve të pashfrytëzuara dhe të papërdorshme në mënyra të tjera, përfitime të tilla si në sipërfaqe ndërtimi, minimalisht në të njëjtën trajtë dhe mënyrë si edhe përfitimet që do të jenë nga pronarët e parcelave private kufitare, të dhëna për zhvillim”, vijon relacioni. Bazuar në legjislacionin në fuqi, parashikohen rastet ku mbi pronat me përdorim publik është e mundur të delegohen të drejta zhvillimi proporcionalisht të barabarta me të gjitha pronat private, pjesë të zonave të zhvillimit.
NOA