Bregdeti u hiqet pushuesve dhe u jepet pushtuesve

659
Një vendim tjetër qeverie, firmosur nga kryeministri shqiptar më datën 18 Maj 2016 dhe publikuar në datën 26 maj 2016, ka vendosur të “eleminojë” funksionimin e plazheve publike në Shqipëri. Vendimi është një akt ekzekutimi I detyrueshëm për zbatim por që serviret si “rregullore”, me objekt “Për stacionet e plazhit”, veçse “de facto” ka dispozitat dhe elementët e një ligji të plotë që përcakton dhënien me qira të zonave bregdetare dhe të plazheve publike. Kjo rregullore u propozua procedurialisht nga Ministrja e Ekonomisë, zonja Milva Ekonomi, por që flitet nëpër korridoret e qevrisë, se ministrja e ka kundërshtuar këtë vendim, të cilat nuk u përfillën, duke I vendosur ‘copën” e letrës përpara për ta firmosur dhe kjo u bë prej ministres, me “ultimatum”. Zërat brenda qeverisë, thonë kjo rregullore që në fakt është VKM me trajtë ligji, nuk ka pasur asnjë ekspertizë, apo konsulencë as me pushtetin lokal, as me Ministrinë e Ekonomisë, të Financës e Mjedisit, përkundrazi ka qenë një vendim personal i kreut të qeverisë, i cili është imponuar për firmosje. E ndërsa kjo rregullore tip “VKM” nuk thotë asgjë në emërtesë duke u shpallur vetëm si “Rregullore për kushtet dhe kriteret e ushtrimit të veprimtarisë së stacionit të plazhit”, Neni 3 i saj “zbulon” skenarin, pazarin dhe qëllimin e vërtetë për të cilin është hartuar dhe miratuar kjo rregullore që rregullon interesat e mafies së plazheve e cila me këtë rregullore pushton totalisht plazhet, duke I kthyer ato në biznes privat, ku qytetarët do të hyjnë me pagesë, në të kundërt nuk do të hyjnë mbasi plazhet shqiptare nga veriu në jug, do të ndahen në “bahçe private” të një liste klienteliste që kanë përzgjedhur bashkitë dhe mafia koncesioniste qeveritare e “Rilindjes”. në gjithë vijën bregdetare shqiptare, zyrtarisht me hartë e inventar shtetëror janë 107 plazhe publike, të cilët shteti ua heq pushuesve dhe ua jep “pushtuesve” klientelistë të bregdetit!

Ja çfarë thotë neni 3 I rregullores, që lejon pushtimin e plotë të plazheve nga privatët

“Hapësira e zonave të lejuara, të cilat nuk janë dhënë në përdorim për veprimtarinë e stacionit të plazhit, janë në përdorim të pushuesve dhe mirëmbahen nga qeverisja e njësisë vendore”
Ky nen eleminon mundësinë e piketimit dhe garantimit të plazheve publike, pasi tashmë cilido plazh mund të kapet nga një privat, nëse privati bën kërkesë në qeverisjen vendore për ta marrë me qira.
Kjo është një rregullore e paligjshme e klienteliste, që eleminon interesin publik dhe e vendos të drejtën për plazhe publike në varësi të skenarëve, interesave e oreksit të privatëve, duke lënë qytetarët pa të drejtën publik për të pushuar në plazhe, ku sipas kësaj rregulloreje duhet të paguajnë sipas çmimeve që vendosin privatët për rërën, ujin e hijet e pemëve atje ku i kanë shpëtuar masakrës ndërtimore të mafies pushtuese së bregdetit. E thënë më thjeshtë, plazhe publike do jenë vetëm ato zona ku privatët nuk denjojnë të investojnë. Ky është një ligj i pashembullt, i pakrahasueshëm, me çdo shtet fqinj dhe më gjerë. Shqipëria në këtë mënyrë, vendos me ligj, që plazhet e publikut do të jenë vetëm ato zona që i lënë privatët si “lëmoshë”, mbasi shteti nuk lë asnjë centimetër katrore plazh të lirë e pa pagesë për qytetarët. 
—————————————————–
Rregullorja e kundërligjshme, ndalohet dhënia me qira më tepër se 200 m2 me afat 1 vit

Me këtë rregullore është vendosur nga qeveria që plazhet publike t’u jepen 100% privatëve, duke lënë shqiptarët pa asnjë plazh publik, ku mund të shkojnë e të pushojnë pa pagesë. në plazhet, ashtu si ën vitet e tjera që pushtimi i tyre bëhej me dhunë nga subjektet private dhe shteti e pushteti lokal heshte, sivjet do të bëhet me rregullore. Por rregullorja nuk mund të dalë mbi VKM e mbi ligje, ndaj dhe rregullorja “Rilindja e Plazheve” është e paligjshme, ashtu siç është e paligjshme edhe VKM Nr. 436, datë 20. 05. 2015 për dhënien e disa plazheve me qira tek privatët, mbasi bie në kundërshtim të plotë me një VKM tjetër, me Nr. 315, datë 24. 04. 2003 e cila është ende në fuqi dhe përcakton, se nga hapësirat dhe objektet publike pronë shtetërore në eficensë ose jo në eficencë, nuk mund të jepen më tepër se 200 metër katrorë sipërfaqe prej pushtetit lokal. Mbi këtë sipërfaqe bëhet dhënia me qira, ose koncesion, ose privatizim me tender publik, me prokurim të hapur. Më qartë, VKM Nr. 315, datë 24.04.2003 ende në fuqi, përcakton kështu: “Të vetmet pasuri publike, të cilat përjashtohen nga procedura e konkurrimit për t’u dhënë me qira, janë të gjitha sipërfaqet deri në 200 m2, të cilat jepen me qira, me afat deri në 1 vit”. 
——————————————————————————-
Ja rregullorja që i lë shqiptarët pa plazhe publike
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E RREGULLORES “PËR KUSHTET DHE KRITERET E USHTRIMIT TË VEPRIMTARISË SË STACIONIT TË PLAZHIT”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 64, të ligjit nr.93/2015, “Për turizmin”, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e rregullores “Për kushtet dhe kriteret e ushtrimit të veprimtarisë së stacionit të plazhit”, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.
2. Të gjitha aktet nënligjore apo dispozitat e tjera të parashikuara në akte nënligjore, që vijnë në kundërshtim me këtë vendim, shfuqizohen. 
3. Ngarkohen Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Agjencia Kombëtare e Bregdetit, Inspektorati Përgjegjës për Turizmin dhe njësitë e qeverisjes vendore për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
———————————————————————
“Telegraf” e ka denoncuar sinjalin e eleminimit dhe “pushtimit” të plazheve publike, qysh në datën 26 maj 2015
Eshtë VKM nr. 436, datë 20. 05. 2015, botuar në “Fletore Zyrtare” Nr. 84, botuar me urgjencë 5 ditë pas miratimit në qeveri e parlament (25 maj 2015), për menaxhimin e plazheve, nëpërmjet formës së dhënies, marrjes dhe përdorjes së tyre me qira prej privatëve. Në këtë VKM absurde, shteti legalizon një tjetër zaptim e gllabërim të hapësirave të përbashkëta pronë shtetërore e publike, duke lënë shqiptarët pa plazhe të lira, por të pushtuara me qira simbolike 50 lekë metri katror, ndërkohë që privati e shet tek pushuesit në formë monopoli, me 30-400-500 lekë me qira për çdo metër katror. Kjo VKM e dalë posaçërisht për të gllabëruar plazhet publike, duke mos lënë asnjë metër katrorë të lirë publik për qytetarët, ka një paramendim të kuptueshëm, për qëllimin që ka dalë. Vija bregdetare, liqenore e lumore shqiptare ka një gjatësi prej 450 km, 316 kilometër nga e cila janë bregdet, 48 kilometër janë breg lumor dhe 73 kilometër janë breg liqenor, përshirë këtu edhe vijën lagunore, vijë kjo që fillon nga grykëderdhja e lumit Buna , deri në jug të vendit, në “Kepin e Stillos”. Pikërisht kjo vijë plazhore e cila është funksionale për plazh deri në 278 kilometër gjatësi nga veriu-në jug, është bërë viktimë e planit djallëzor e të paramenduar për t’’u zhvatur prej matrapazëve të veshur me pushtet dhe prej familjarëve e klientëve të tyre të përzgjedhur, të cilët sa herë ndahen “thela” pronash, ata janë të parët dhe të vetmit në listat e përfitimit me qira, me privatizime, me koncesione, me falje.
Sigal