Bozdo: Policia arrestoi punonjësin e INUV në detyrë, Blutë: Ja e vërteta

571
Sigal

Nënkryetari i Bashkisë e Tiranë, Enno Bozdo ka deklaruar se efektivë të komisariatit numër 4 kanë penguar punonjësit e INUV, duke arrestuar edhe njërin prej tyre të cilët sipas saj po ndalonin rindërtimin e një muri pa leje rreth një pallati në rrugën “Haxhi Kika”.
 
“Pas shqetësimeve të ngritura nga disa qytetarë pranë Bashkisë së Tiranës dhe pranë Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik, inspektorët e Bashkisë kanë ndërhyrë në bazë të ligjit, duke vënë në dijeni dhe Policinë, për të prishur këtë mur.”- tha Bozdo.
 
Sipas Bozdos policia po keqpërdoret dhe është bërë një instrument i keqpërdorur në luftën politike të qeverisë Rama.
 
“Ky standard i dyfishtë të cilin ne e shohim tashmë të zbatohet çdo ditë po cënon absolutisht lirinë tonë të përditshme.”- tha Bozdo.
 
Policia: Ja e vërteta pse u arrestua punonjësi i INUV
Policia e kryeqytetit përmes njoftimeve ditore ka dhënë edhe shkaqet pse është bërë arrestimi i punonjësit të INUV gjatë prishjes së ndërtimit të murit.
 
Policia përmes komunikatës së saj sqaron se Bernard Kapllani, Inspektor pranë Inspektoriatit Ndërtimor Urbanistik Vendor nuk kishte urdhër pune ditore si dhe vendim për prishje të këtij muri.
 
Gjithashtu theksohet se ndaj tij është depozituar edhe një kallëzim pçenal nga ana e përfaqësuesit të pallatit ku po bëhej ndërtimi.
 
 Njoftimi i plotë i Policisë së Shtetit
Më datën 27.01.2015 nga Komisariati i Policisë Nr.4 Tiranë, rreth orës 23.30, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit Bernard Kapllani, 26 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë Inspektor pranë Inspektoriatit Ndërtimor Urbanistik Vendor, Bashkia Tiranë.  
 
Arrestimi i tij u krye pasi dje rreth orës 19.30, është kapur në flagrancë duke prishur një mur rrethues në rrugën ”Kongresi i Manastirit” në Tiranë, ku është prezantuar si punonjës i INUV i cili nuk kishte urdhër pune ditore si dhe vendim për prishje të këtij muri.
 
Gjithashtu ndaj këtij shtetasi ka depozituar një kallzim edhe përfaqësuesi i këtij pallati shtetasi A.M.  Materialet ju referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprën penale të “Shpërdorim detyre” parashikuar nga neni 248 i  Kodit Penal.
 
Deklarata e plotë e nënkryetarit të Bashkisë Tiranë, Enno Bozdo
Jam këtu për të denoncuar përsëri dhunën shtetërore mbi  Bashkinë. Dje, policët e z. Rama u vendosën si gardh, për të ndaluar zbatimin e ligjit në një ndërtim pa leje që kryhej në qendër të Tiranës. Sot, inspektorët e Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik Vendor janë ndaluar nga policia, komisariati nr.4 dje në darkë, absolutisht pa logjikën apo procedurën ligjore të mundshme. Inspektorët kanë qenë në krye të detyrës, në zbatim të një urdhri të marrë.
 
Kam këtu ankesat e bëra nga banorët, kam shkresën që i drejtohej edhe komisarit të Policisë për mbështetje, kam madje edhe shkresën e INUK që i kërkon INUV të ndërhyjë ekzaktësisht në vendin e djeshëm. Inspektorët kanë bërë detyrën e tyre dhe janë “arrestuar” për shpërdorimin e detyrës. Kam komunikuar me drejtuesit e komisariatit nr.4 dhe i kam kërkuar shpjegime se përse janë arrestuar inspektorët e INUV por është e kotë të kërkosh tashmë këtë gjë nga Policia.
 
Policia po keqpërdoret dhe është bërë një instrument i keqpërdorur në luftën politike të qeverisë Rama. Ky standard i dyfishtë të cilin ne e shohim tashmë të zbatohet çdo ditë po cënon absolutisht lirinë tonë të përditshme. Është standard i dyfishtë sepse në të njëjtën kohë kur INUK ndërhyn në Tiranë, në shumicën absolute të rasteve (të mos themi 100% të rasteve) pa zbatuar procedurën më të vogël ligjore, pa zbatuar kërkesën e ligjit dhe kur ka denoncime pa fund për prishje selektive, për rryshfet, askush nga inspektorët e INUK nuk kallëzohet. Nuk kallëzohet, nuk mbahet, nuk arrestohet, ashtu siç kërkojnë qytetarët e Tiranës. Në të njëjtën kohë Inspektoriati Ndërtimor Urbanistik Vendor, inspektorët arrestohen në krye të detyrës, sipas një procedure ligjore të rregullt dhe kjo nuk është gjë tjetër veçse një standard i dyfishtë që po cënon çdo ditë e më shumë lirinë tonë.
 
Policia me të gjithë ata që kanë në dorë zbatimin e ligjit, trupa ligj-zbatuese duhet absolutisht të refuzojë të bëhet urë e presionit politik të qeverisjes Rama. Unë i bëj thirrje Prokurorisë që të hetojë me shpejtësi një rast të tillë, një rast abuzimi të detyrës nga Policia dhe urdhëruesit e saj. U bëjmë thirrje të gjitha institucioneve ndërkombëtare të marrin shënim së ç’po ndodh çdo ditë në Shqipëri, se si ligji godet atë që ka të pamundur, godet opozitën politikisht dhe fut në sqetull e mbron klientët apo institucionet e tij.” – deklaroi z. Bozdo.