Biznesi: Ja propozimi për tarifën e Rrugës së Kombit

91
Prodhuesit kërkojnë ulje të ndjeshme të pagesës për kamionët dhe fillim të zbatimit prej 1 shtatorit 2018
Prodhuesit shqiptarë kanë dalë me propozime konkrete për qeverinë në negociatat që po zhvillohen me kompaninë koncesionare për tarifën e Rrugës së Kombit, pas protestave në fillim të prillit. Nëpërmjet një njoftimi për shtyp, Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë bëri të ditur se në mënyrë të vazhdueshme ka zhvilluar tryeza teknike në lidhje me problematikat e krijuara nga aplikimi i tarifës së koncesionarit për segmentin rrugor Milot-Morinë, me grupet e interesit që përfaqësojnë një grup kategorish të produkteve shqiptare. “Këto shoqëri kanë shprehur dhe kanë analizuar problemet dhe kostot që shkaktohet nga kjo tarifë për eksportuesit, si dhe ndikimin që do të ketë me konkurrueshmërinë e produkteve me vendet e rajonit”, theksojnë prodhuesit. Më tej, ata theksojnë se në vijim të komunikimeve dhe pas takimit të parë të zhvilluar me grupin negociues përfaqësuar nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë kanë dalë me disa propozime zyrtare mbi çështjen e tarifës së koncesionarit për segmentin rrugor Milot-Morinë, për të gjetur një zgjidhje sa më të favorshme që çon në përmirësimin e klimës së biznesit dhe rritjen e konkurrueshmërisë të produkteve shqiptare. Më konkretisht, prodhuesit kanë kërkuar që zbatimi i taksës të nisë pas muajve të verës dhe më konkretisht më 1 shtator 2018. Gjithashtu, biznesi është kundër edhe vlerës së tarifës që duhet të paguajnë kamionët. Kjo tarifë është fiksuar në 22,5 euro për çdo kalim, duke e çuar koston për vajtje-ardhje në 45 euro. Nga ana e tyre, prodhuesit janë shprehur për një tarifë shumë më të ulët, duke u bazuar në bileta ditore në tarifën 16 euro, vajtje-ardhje. Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë deklaroi se shkresën me kërkesat e tyre ia kanë dërguar Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, ndërsa ende nuk ka një vendim se kur do të nisë të zbatohet tarifa. Kundër tarifës aktuale janë edhe banorët e rretheve të veriut, të cilët duhej të paguanin 5 euro për çdo kalim me autoveturë. Katër nga protestuesit kundër tarifës në Rrugën e Kombit ndodhen ende të arrestuar, ndërsa pjesa më e madhe e tyre u lirua nga gjykata e Apelit. Qeveria ka premtuar se do të vendosë tarifa të ulëta për banorët që e shfrytëzojnë më shpesh Rrugën e Kombit, por ende nuk është bërë publik ndonjë variant apo propozim konkret. 

Kërkesat
1 – Shtyrja e afatit të implementimit të tarifës, më datë 1 shtator 2018;
2 – Të ketë një rishikim në ulje të tarifës për kamionët, duke u bazuar në bileta ditore në tarifën 16 euro, vajtje-ardhje, 24 orë;
3 – Të jemi pjesë e vazhdueshme e tryezave negociuese mbi çështjen e tarifës së koncesionarit për segmenti rrugor Milot-Morinë, deri në përfundim të kënaqshëm për të dyja palët.