Biznesi e individët, hiqen 13 vërtetime nga tatimet dhe doganat

295
Ministri i Financave dhe Ekonomisë firmos urdhrin për lehtësimin e kërkesave për dokumente të shërbimeve të ofruara. Do të gjenerohen nga vetë zyrat e shtetit
Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj, ka lëshuar një urdhër për lehtësimin e kërkesave për dokumente të shërbimeve të ofruara ndaj biznesit dhe qytetarëve. Në bazë të këtij urdhri nga Ministra e Financave e Ekonomisë dhe institucionet në varësi të saj nuk do të kërkohen një seri dokumentesh, por ato do të gjenerohen nga sistemi prej vetë strukturave shtetërore. Ky urdhër vjen në vijim të deklaratës së kryeministrit për lehtësimin e shërbimeve për qytetarët dhe sipërmarrjes. Pjesë e rëndësishme e këtyre dokumenteve janë një numër vërtetimesh të lëshuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, të cilat vetëm në vitin 2016 janë lëshuar mbi 275,702 herë. Përmes gjenerimit të këtyre vërtetimeve nga platforma e-Albania, vlerësohet se iu kursehen qytetarëve dhe bizneseve mbi 91,912 orë në një vit, ose gati 11,400 ditë pune. Po kështu, janë mbi 152,237 ekstrakte të lëshuara nga QKB në një vit, për të cilat janë shpenzuar rreth 71 mijë ore pune, që tashmë eliminohen përmes ofrimit online. Ministria e Financave dhe Ekonomisë deklaroi se po vijon me procesin e derregulimit në të gjithë gamën e shërbimeve që ofrohet në institucionet e varësisë, duke synuar reduktimin drastik të dokumenteve të kërkuara nga qytetaret dhe sipërmarrja dhe kalimin në një nivel të ri të modernizimit dhe digjitalizimit të tyre. Për këtë masë foli dje edhe kryeministri Rama, i cili tha se vetëm nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, lëshohen 9.222 autorizime.

Rama, qytetarëve: Refuzoni kërkesat për dorëzim certifikatash
Kryeministri Edi Rama u bëri thirrje qytetarëve të refuzojnë kërkesat e autoriteteve shtetërore për të dorëzuar certifikata të printuara, pasi ato mund të merren online. “Dua ta përsëris thirrjen time për të gjithë qytetarët e Republikës së Shqipërisë, që të refuzojnë çdo kërkesë të çdo zyre për certifikatë në letër dhe të kërkojnë aty në sportel, që cilido që u kërkon një gjë të tillë, ta bëjë vetë”, tha Rama në një konferencë për shtyp. Sipas tij, certifikatat familjare, certifikatat personale janë në sistem dhe zyrat e shërbimeve të shtetit duhet t’i nxjerrin nga sistemi pa asnjë qindarkë, në kohë reale, për t’ju dhënë qytetarëve shërbim. Shefi i qeverisë përmendi edhe një sërë vendimesh të fundit për të lehtësuar kontaktin e qytetarëve me administratën. “Kemi një proces që vazhdon në çdo mbledhje qeverie, në mënyrë që me këtë derregullim, ne të arrijmë që të rregullojmë maksimalisht marrëdhënien mes qytetarit dhe shtetit dhe shtetit me qytetarin, në funksion të qytetarit. Është folur për qytetarin gjithë kohën, “zëri i qytetarit”, “ne dhe qytetari”, “unë jam ju, më jepni votën” etj., por në 27 vjet i është nxirë jeta qytetarit të zakonshëm, i është nxirë jeta çdo familje të zakonshme, i është nxirë jeta të gjitha kompanive që operojnë në Shqipëri, me këto lloj absurditetesh, që me demek kanë rritur rregullin, por, në fakt, pas çdo rregulli kanë shtuar zullumin dhe kanë zgjeruar hapësirën për spekulim, për abuzim, për korrupsion”, tha Rama. Në të njëjtën kohë, kryeministri bëri thirrje që të gjithë të ndihmojnë për të pakësuar burokracitë. “Mundësisht të ndihmoni që të çlirojmë sa më shpjet, në kohë reale, nga burokracia dhe barra e gjithë këtij presioni të madh, që vazhdon prej 27 vjetësh, shto ujë e shto miell, shto autorizimeve e shko certifikata, shto dokumente e shto kërkesa për njerëzit, duke mbiprodhuar letër, duke mbingarkuar e stresuar gjithë këtë popull, rrugëve e radhëve”, u shpreh Rama. Ai këmbënguli se “nuk ka të drejtë, asnjë zyrë shteti, asnjë institucion, asnjë çerdhe, asnjë kopsht, asnjë shkollë, asnjë universitet, asnjë azil pleqsh, asnjë pronar mediesh të kërkojë certifikatë nga qytetari! Asnjë!”.

Nuk do të kërkohen më:
1 – Certifikata e regjistrimit në QKB, përfshirë NIPT/NUIS
2 – Ekstrakt historik i kompanisë
3 – Vërtetim për posedim mjetesh
4 – Vërtetim për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore për tatimpaguesit E-SIG 02a e 
5 – Vërtetim për të ardhurat e realizuara në tre vitet e fundi për tender
6 – Vërtetim për individ të paregjistruar
7 – Formulari E-SIG03 Vërtetim për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore për individët
8 – Vërtetim për përgjegjësinë tatimore
9 – Vërtetim për pagimin e detyrimeve
10 – Vërtetim për statusin e tatimpaguesit
11 – Vërtetim për regjistrimin e investitorit tek Drejtoria Rajonale
12 – Dëshmi penaliteti dhe vërtetim i gjendjes gjyqësore
13 – Të gjitha llojet e certifikatave qe gjenerohen nga sistemi i gjendjes civile