Berat, lulishtja kthehet në kullota, bagëtitë zhdukin edhe zambakun e famshëm

106

GJENDJA ALARMANTE/ Stolat dhe lulet janë shkatërruar. Qytetarët japin sinjalin “SOS”, ndërsa bashkia hesht

Lulishtja e qytetit të Beratit, prej shumë vjetësh është cilësuar si një ndër lulishtet më të mira në shkallë vendi. Ajo në çdo stinë kishte lule shumëngjyrëshe dhe me aromë të mirë e për këtë arsye, qyteti i Beratit përveç emrit që mbante si qytet muze iu shtua dhe emri tjetër ‘qyteti i luleve’, ku dallohet ndër të tjera zambaku, i cili në këtë vend ishte ‘mbreti’. Por me keqardhje të madhe, themi se, këto lule nuk ekzistojnë më në këtë lulishte të mrekullueshme që për qytetarët e Beratit është e vetmja që ata kanë, sepse qytetit i mungojnë vendet argëtuese. Çdokush sa futej në Berat, pikërisht aty, ku fillonte lagjja muzeale “Mangalem”, ndiente aromën e luleve të lulishtes. Turistë vendas apo të huaj, kur uleshin në lulishte kënaqeshin nga lloji i luleve dhe aroma që shpërndahej. Nuk është për nostalgji të kujtosh diçka të bukur që ka ekzistuar, por është e vërtetë se në kohën komuniste, ishte privilegj që të pushoje disa orë në ambientet e kësaj lulishteje me lule të bukura, të mbjella në parcela, të punuara me rregull dhe stola të lyera me kujdes. Aty të rinjtë, fëmijët dhe prindërit e tyre kalonin mbrëmjet e çdo stine, ku nuk mungonte dhe stina e dimrit, ku njerëzit dilnin pavarësisht të ftohtit apo lagështisë. Ata uleshin në lulishte, sepse edhe gjatë dimrit kishte lule që i përshtatësh kësaj stine. Aty kishte gjithmonë lule dhe zambakët, që i dhanë emër qytetit. Qytetarët shprehen se, në ato vite aroma e luleve, flladi i lumit Osum e bënin të mrekullueshëm dy herë këtë qytet. Por kohët e fundit edhe ato pakë lule që ekzistonin në lulishte i hëngrën kafshët, si dhitë që kullosin në lulishte, kuajt dhe tufat e derrave. Njerëz të shumtë, edhe tremben kur shikojnë shkatërrimin e kësaj mrekullie. Të gjitha pemët po shkatërrohen, stolat po vidhen, kapakët e pusetave kanë rënë pre e hajdutëve, të cilat po i shesin për skrap në pikat e grumbullimit. Disa pemë janë prerë, disa po i shkatërrojnë bagëtitë. Sipërfaqe të tëra janë të mbushura me jashtëqitje të bagëtive, të cilat me erën e rëndë të tyre detyrojnë fëmijët dhe prindërit e tyre që të largohen. Lulishtja ndodhet 10 metra larg bashkisë së qytetit, e cila është institucioni kryesor për ruajtjen dhe mirëmbajtjen e saj. Banorët shprehen se, bashkia ka dhe një Polici Bashkiake, e cila shërben për ruajtjen e territorit që disponon bashkia. Ndër vite nuk është marrë asnjë masë ndëshkuese për ata persona që fusin bagëtitë në lulishte për të kullotur. Lulet dhe lulishtja tregojnë kulturën e një qyteti dhe si të tilla ato duhet të ruhen në mënyrë perfekte, si gjithë bota. Në të gjitha shtetet e botës ka një ligj se kush dëmton lulet apo pemët ndëshkohet rëndë nga ligji. Berati nuk ka asnjë kinema që të rinjtë të argëtohen, prandaj të rinjtë kanë preferuar shëtitjet në lulishte, duke u argëtuar me njëri- tjetrin, por tashmë edhe kjo lulishte po jep sinjalin “SOS”.

Pak histori

Sipas të dhënave zyrtare, ndërtimi i lulishtes ka nisur aty nga vitet 1966. Për ndërtimin e saj u prishën shumë ndërtesa që ndodheshin të ndërtuar vite më parë. Por u prishën dhe shumë ndërtesa në bulevardin e qytetit që ishin muzeale, shumë dyqane buzë shtratit të lumit Osum. Ish-sekretari i parë në ato vite Piro Gusha me shumë pengesa arriti që të ndërtonte një lulishte të mrekullueshme qytetit të Beratit që në ato vite nuk kishte. Gradualisht lulishtja mori fizionominë e saj dhe ish-drejtuesit e Komitetit Ekzekutiv dhe ata të Komitetit të Partisë të asaj kohe i kushtuan një rëndësi për mirëmbajtjen e saj. Lulishtja, edhe pas demokracisë e ruajti strukturën e saj. Me kalimin e kohës lulishtja mbeti në harresë dhe tani ka shkuar deri aty sa nuk ka më lule, stola dhe po shkatërrohen kapakët e pusetave që ndodhen në sipërfaqen e saj. Kjo është panorama e lulishtes së qytetit që mori emrin “qyteti i luleve”.