Majlinda KETA/ Lajmi i Riakreditimit, përtej konceptit Reformë në Arsim

578
Sigal

Për të gjithë jetën universitare dhe akademike “Nisma për të rikthyer procesin e akreditimit të universiteteve publike dhe private në vend” përbën një lajm që të çon në ndjesinë se, filloi reforma në arsim, arsimin e lartë në veçanti. Për mua ky lajm është përtej konceptit të reformës në arsimin e lartë. Ai është thjesht një lajm i ardhur së shumti nga media pasi parë në seriozitetin e vet ai nuk mund të ofrohet kështu për qarqet publike dhe jopublike universitare. E theksoj, është një lajm përtej konceptit të reformës në arsim, arsimin e lartë në veçanti. E them dhe e pohoj këtë në cilësinë e “oponentes” 8 vjet të politikave arsimore në përgjithësi të zbatuara nga e djathta pikërisht  në raport me standardin se si ajo u ofrohet mbështetësve dhe zbatuesve të saj. Së pari, Ministria që ka këtë përgjegjësi kombëtare është e lutur domosdoshmërisht të na bëjë të ditur reformën që synohet në Arsimin e Lartë dhe pse jo të masë gatishmëritë institucionale po aq sa të tërheqë skeptikët apo kundërshtarët. Është detyrë parësore që programi i qeverisë për arsimin e lartë duhet të kishte ardhur në formate e konceptime shumëplanëshe në institucione publike dhe jopublike. Është koncepti më minimal i komunikimit dixhital ai i shfrytëzimit të rrjeteve elektronike institucionale. Askush nuk mund të thotë që nuk e çova se nuk kanë rrjet përpos që komunikimit në rrjet do t’i dhuronte përmbajtje. Ka eksperienca të zgjedhjeve në universitete, nga rektorate, dekanate e individë që platformat e tyre i komunikonin në rrjet. Përmbi këtë UNIVERSITET dixhital është fuqia e shkrimeve dhe debateve televizive po aq sa debatet brenda universiteteve e fakulteteve kjo pasi ASKUJT nuk i vjen e keqja nga komunikimi për pjesëmarrje e kontribute. Kujtoj një takim të Ministrit Pollo, të sapo emëruar në detyrë në fund të tetorit të 2005-s që takonte rektorët dhe dekanët e universiteteve të vendit pasi gjatë vitit akademik 2004-2005 shkollat e larta rishikuan kurrikulat me synimin për t’i afruar ato me të Bolonjës DHE nga ana tjetër po në atë kohë Fondacioni SOROS jepte rezultatet e një studimi ku rezultonte se 51% e stafit të Universiteteve nuk i njihnin etapat në të cilat do të kalonte Karta e Bolonjës: për studentët, vetëm 46 % e tyre kishin pak informacion ndërsa një e treta as që e dinin se Shqipëria e kishte nënshkruar prej dy vjetësh deklaratën: sikurse  49 % e të anketuarve kishin  pohuar se informacionet mbi Kartën e Bolonjës i kishin marrë vetëm nga media. Sot, në tetor 2013-të, ne synojmë të bëjmë riakreditim në raport me detyrimet që kemi nga procesi i Bolonjës? Këtu DUHET të fillojë ndryshimi në qasjen me arsimin e lartë nën reformim për të shtuar cilësitë e shërbimit në funksion të tregut të punës. Me akademizmin nuk mund të marrësh pozitat e urdhëruesit, qoftë ky edhe institucioni më i lartë arsimor ekzekutiv.  Bashkëideimit dhe zbatimit të reformës i duhet komunikimi mes partnerëve shtet-arsim publik dhe jopublik, kjo për një bashkëpjesëmarrje si autorë e aktorë pasi cilësia e produktit është shërbim kombëtar elitar për cilësinë e burimeve njerëzore për sot dhe të ardhmen e këtij vendi. “Të mësuarit përmes të bërit reforma ” është një universitet më vete që arsimi i ofron cilësisë qeverisëse dhe demokracisë funksionale në këtë vend pas 23 vitesh post-diktaturë. Carl Sagan, astro-fizikant amerikan, në 1996-n pohonte se: “Shkenca  presupozon dhe lulëzon përmes shkëmbimit të lirë të ideve”. Universitetet mbeten vatra të mendimit intelektual shkencor dhe si të tilla duhen konsideruar nga politika. Universitetet me cilësinë e produkteve të tyre prodhojnë lajm për këtë vend e lajmi duhet të kalojë përmes tyre. Ndaj sërish them se ky lajm është përtej konceptit të reformës së premtuar. E ripohoj pasi vetë reforma në arsimin e lartë ka një radhë të detyrueshme të të bërit, si investime ideore reformatore, metodikë komunikimi, planifikim ideor e financiar apo ndërhyrje për ekzekutim të cilësishëm të saj po aq sa monitorim apo korrektim. Së dyti, Ministria përtej lajmit të dalë, duhet të ketë një REND të ideimit dhe veprimit reformator. A-ja që mbetet ende në enigmë edhe nga Programi Qeverisës për arsimin është DEKLARIMI PUBLIK se cilin model edukimi do të ndjekë institucioni ynë arsimor, parauniversitar apo universitar nën reformë. Komisioni Europian në dokumentin “Arsim në Shekullin e 21” pohohet se “….arsimi është një nga mjetet më të vlefshme për të nxitur formën më të thellë dhe më harmonike të zhvillimit të kapitalit njerëzor , të uljes së varfërisë, shmangies së pabarazisë, injorancës, shtypjes sociale dhe luftërave”. Në panoramim të tillë gjithkujt i dalin copëza Shqipërie e cila mbart një vlerë, qëndrim ndaj arsimit në dhjetëra vite. Shqiptarët janë popullatë arsimdashëse që përtej atij panoramimi social kombëtar e kanë vlerësuar arsimin si një të mirë private ( për individin) po aq sa si një të mirë publike       (për shoqërinë, kombin dhe ekzistencën e tij). Ky qëndrim vleror në 23 vitet e post-diktaurës apo të tranzicionit drejt demokracisë, bashkuar me armatën në maxhorancë idealiste të arsimtarëve,  asnjëherë nuk morën një përgjigje korrekte nga politikbërja se cili do të ishte modeli më i suksesshëm për ne shqiptarët që të prosperonim si shoqëri përmes cilësisë së edukimit. E këtë ta kthenim në një filozofi kombëtare edukimi ku koherenca dhe të menduarit kritik të paraprinin procesin. Sigurisht ka përpjekje të vlerësueshme në elementë të ndryshëm të reformës në 23 vjet por kryesisht ato kanë patur qëndrueshmëri brenda mandateve të njëjta politike dhe në rrotacione janë prirur si gjithçka në këtë vend që finalen ta kishin me sindromën e Kalasë së Rozafës, pasardhësi tentonte të pohonte se po fillonte nga zero dhe se me të po fillon historia e arsimit. NUK MUND të ecet më kështu, ne na DUHET deklarimi i modelit që do ndjekë për të realizuar fjala vjen arsimi i lartë. Prirjet e sotme të zhvillimit botëror, rankimi ndërkombëtar i universiteteve dhe shkallës së ekselencës së tyre, standardet e OECD apo të BE-së për arsimin qasur edhe me realitetin socio-ekonomik të vendit MUNDËSOJNË përcaktimin e këtij modeli. Burimi i fuqisë së zhvillimit të Shqipërisë përmes një zhvillimi të qëndrueshëm duhet të jetë tek cilësia e trurit dhe ky i fundit ushqehet përmes cilësisë së modelit që duhet të zgjedhim për të ndjekur apo përshtatur, për arsimin publik dhe jopublik. MODELI do na standardizojë elementët e tjerë të reformës në arsimin e lartë si atë në administrim, financim, autonomi dhe revolucion kurrikular. Kam bindjen se ky do të ishte filtri i parë i cilësisë në universitete, publike dhe jopublike. Edhe për këtë duhet sërish komunikim e partneritet shtet-institucione publike e jopublike. Pas përcaktimit të modelit mund të flasim për lajmin (sërish këmbëngul përtej reformës) mbi nisjen e procesit të riakreditimit.  Kjo pasi përpara se të riakreditojmë duhet të pohojmë përmes një të menduari kritik se KU GABUAM si shtet përmes cilësisë qeverisëse të djathtë në atë që sot mund të thuhet për nga numri por jo për nga cilësia si “Tregu i arsimit të lartë në Shqipëri, publik dhe jopublik”. Gjykimi im i parë që dua ta deklaroj është GABIMI në KONCEPTIMIN JURIDIK të Agjencisë së Akreditimit. Ajo DUHET të jetë një institucion i pavarur nga Ministria e Arsimit. Pavarësimi është premisë për cilësi dhe largim nga ndikimi politik. Fuqia numerike e institucioneve të arsimit të lartë apo universitete që akreditoi Agjencia në veprim në 8- vjetëshin e fundit nuk mund të quhet reformë. Produkti pa cilësi i saj, më shumë produkt bizneso-politik, ka përdhosur vetë Universitetet Jopublike cilësore po aq sa dhe ato publike. Ishte kjo Agjenci me papërgjegjshmërinë licencuese dhe monitoruese që prodhoi skandalet me diplomat në UJP duke ritheksuar edhe një herë se ishte dhunim përmes institucionit shtetëror i sistemit të AL në Shqipëri. Pas përcaktimit të statusit juridik  të Agjencisë së Akreditimit si një institucion i pavarur do të mund të flisnim për marrje të përgjegjësisë nga qeverisja e re të procesit të riakreditimit. Lajmi përtej reforme flet edhe për riakreditim nga një Agjenci e huaj. E shprehur si arritje dhe si premisë për paanshmëri në favor të cilësisë në rreshtim më pas do të thoja kontribuon edhe në të kundërt. Kush ka jetuar me shqetësimet e arsimit të lartë në Shqipëri nën reformë 8 vjeçare të fundit njeh vlerësime nga jashtë të ofruara si garanci për akreditim të aktivitete që turpërisht quhen kontributore të arsimit të lartë në Shqipëri. Rastin apo rastet i njohim mirë. Unë ofroj idenë se, së pari DUHET të futet Koncepti i MORATORIUMIT me kohë të përcaktuar për licencim të instituteve apo universiteteve të tjera (me të gjitha nivelet e studimet) , publike dhe jopublike. Bashkë me të duhet të funksionojë një MORATORIUM për “ekspertët” bashkëpunëtorë të preferuar në 8 vitet e fundit  nga Agjencia e Akreditimit. Pas një skanimi të gjendjes, ka prej atyre që nuk duhet t’i afrohen më ekspertizave të tilla që kanë çuar sistemin në kolas vleror dhe cilësie produkti. Në rezultante të këtyre 2 moratoriumeve vlerore si qeverisje me moral do kishim më shumë respekt për cilësinë si mision i universiteteve publike dhe jopublike si partnerë të dijes universitare ose më saktë të dijes për trurin që duhet t’i paraprijë zhvillimeve në vend edhe për gjeneratat e tjera. Akreditimi apo riakreditimi (sipas lajmit) është një element thelbësor i reformës në arsimin e lartë. Përmes tij, ne sigurojmë transparencën e shërbimit, deklarojmë standardet e performancës së shërbimit publik e jopublik, konceptojmë efektshmërinë strategjike të universiteteve dhe fakulteteve, mundësojmë efektshmërinë e partneritetit të shërbimit publik dhe jopublik, drejtojmë e kontrollojmë efektshmërinë e financave publike dhe mbi të gjitha sigurojmë të ardhmen e këtij vendi përmes cilësisë së trurit të gjeneratave. Ja përse unë ripohoj se riakreditimi i deklaruar në media si lajm reforme është përtej REFORMËS që na duhet të gjithëve në arsimin e lartë. Nga REFORMA në arsim varet listimi i Shqipërisë, pse jo dhe i hapësirës shqipfolëse në rajon e botë, në Rendin e Ri Global, shekullin e 21 që nuk po e presim por jemi futur. Jemi të vonuar, nuk kemi kohë për të humbur të gjithë bashkë.

Lektore në Universitetin e Tiranës