Berat, asnjë gërmim arkeologjik që prej vitit 1972

2537
Sigal

Sipas specialistëve gërmimet do të nxirrnin në dritë vlerat e rralla arkitektonike e kulturore që ndodhen nën tokë

Që prej vitit 1972 në qytetin e Beratit nuk ka pasur asnjë gërmim arkeologjik të mirëfilltë, profesional e shkencor për të nxjerrë në dritë mjaft vlera të rralla historike, arkitektonike e kulturore të këtij qyteti, të cilat ndodhen ende të groposura nën tokë. Këtë fakt e pohojnë specialistë e restauratorë të Drejtorisë Rajonale të Monumenteve të Kulturës Berat, të cilët konfirmojnë se në të gjithë qendrën historike ndodhen të groposura nën tokë mjaft rrënoja të Kishave e Manastirëve të hershëm që dëshmojnë vlera të rralla e të papërsëritshme të këtij qyteti. Të vetmet gërmime arkeologjikë të pjesshme janë bërë në kalanë e qytetit vitet 1972 e 1974, nga historiania Hëna Spahiu, nga ku janë zbuluar monedha, qeramikë dhe elemente të tjerë të rrënojave, të cilat janë publikuar edhe në buletinin arkeologjik e në mjaft artikuj shkencor të Institutit të Monumenteve të Kulturës.

Restauruesit

Burime nga drejtoria monumenteve bëjnë të ditur, se gërmimet arkeologjike do të hidhnin dritë, pikë së pari në lashtësinë e emrit të Beratit antik, i cili sipas kronologjisë së emrave është quajtur Antipatrea, Pulheriopolis, Antipagrai, Beligrad dhe më pas Berat, ndërkohë që 2 versionet e hipotezës shkencore të Prof. Dr. Neritan Ceka, përsa i përket emrit të lashtë të qytetit të Beratit, janë Partha e Barguli. Finalizimi i këtyre hipotezave që lidhen me emrin e hershëm të qytetit të Beratit do të bëhet i mundur vetëm me anë të gërmimeve arkeologjike që fatkeqësisht mungojnë prej më 32-vjetësh.

Objektet

Objekti më i rëndësishëm dhe më i hershëm që do të mund të zbulohet nga gërmimet arkeologjike, është një manastir i hershëm që daton rreth viteve 1670, i cili ndodhet i groposur përpara kompleksit të 3 objekteve të kultit të krishterë, përkatësisht Kishës së Shën Mëri Vllahernës (shek XIII-XIV), Kishës së Shën Kollit (1591) dhe Kishës së Shën Kostandinit dhe Helenës (1635), në drejtim dhe në orientim me portën perëndimore të Kalasë. Specialistët tregon se gërmimet arkeologjike do të nxirrnin në pah në Kalanë e qytetit rrënojat e periudhës së paliokrishtërimit që i përkasin shekullit IV-VI të erës sonë dhe rrënojat e kishave bizantine të shekullit të IX,XIII e XVII-të. Mbi muraturën e gurit të rrënojave të këtyre kishave janë ndërtuar Kishat e Shën Mëri Vllahernës, Shën Todrit, Shën Kollit, Shën Triadhës etj.,ku edhe janë gjetur element paleokristianë. Studimet e arkeologëve pohon se në rrethimin e tretë të Kalasë së Beratit ndodhen rrënojat e pallatit të feudalit Muzakaj dhe objekteve përqark tij, ndërsa në zemër të kësaj sipërfaqe ndodhet një sternë mjaft interesante uji që mendohet të jetë e fund shek.XIII.