Ujërat e zeza në plazh, Ujësjellësi braktis aksionin për lidhjet ilegale

2987
Sigal

MUNGON BASHKËPUNIMI/ Dështon nisma e inspektorëve të mjedisit, shëndetësisë, policisë së rendit dhe turizmit

Ndërsa bregdeti është tejet i ndotur, nga derdhja e ujërave të zeza në det, institucionet janë përçarë në drejtim të marrjes së masave. Evidentimi që bëhet nga mjedisorët e qarkut, mund të mbetet vetëm në këtë fakt, sepse kur vjen radha për bashkëpunim, në bllokimin dhe zgjidhjen e këtij problemi institucionet janë të përçarë. Kjo vërehet në Durrës, ku gjatë ditëve të fundit, Task – Forca për mjedisin dhe turizmin në përbërje, të cilit janë inspektorët e mjedisit, të shëndetësisë, të turizmit, policisë së rendit nuk i përgjigjet drejtoria e Ujësjellësit të Durrësit me mjete dhe njerëz.

Situata

Task – Forca e ngritur po kontrollon të gjithë zonën bregdetare nga zona e Shkëmbit të Kavajës e deri në Golem, ku janë konstatuar një numër i madh lidhjesh ilegale të ujërave të zeza që derdhen në det. Për prishjen e këtyre tubacioneve kërkohet domosdoshmërish edhe ndihma e punëtorëve dhe të mjeteve të Ujësjellësit të Durrësit, të cilët i përgjigjen vetëm me një punëtor krahu, ndërsa nga ana e njësive lokale, nuk ka asnjë mbështetje. Për më shumë se dy orë në një të nxehtë përvëlues të mesditës, inspektorë të mjedisit, shëndetësisë, turizmit, etj., kanë pritur punonjësit e ndërmarrjes së Ujësjellësit për të sjellë punëtorët e për të prishur lidhjet ilegale, që prej zonës së Shkëmbit të Kavajës derdhin fekalet në zonën e shinave të trenit, e mandej në kanalet e ujërave të shiut për të përfunduar në det, duke krijuar ndotje në bregdetin e mbipopulluar nga pushuesit. Kreu i Mjedisorëve në Durrës, Ramazan Kalia tha për gazetën “Telegraf”, se bashkëpunimi mungon jo vetëm me njësitë e qeverisjes vendore, bashkitë dhe komunat, por edhe me ndërmarrjen e Ujësjellës- Kanalizimeve, e cila nuk ndërhyn. “Agjencia Rajonale e Mjedisit në Durrës ka nisur një operacion për evidentimin e lidhjeve të paligjshme të ujërave të zeza që derdhen në plazhet e Shkëmbit të Kavajës dhe të Golemit. Tre lidhje janë evidentuar në një pikë pranë disa hoteleve, situata  është problematike, në evidentimin e tyre, për shkak se tubat janë të fshehur nga subjektet nën tokë”, tha Kalia.

Evidentimi

Tubat e fshehur të ujërave të zeza në bazë të lejes së ndërtimit duhet të kenë gropa septike dhe më as të bëjnë largimin e tyre në këtë zinë, ku nuk është vendosur ende në funksion kolektori i ujërave të zeza. Për këtë problem Kalia tha: “Të gjithë subjektet familjarë apo të biznesit do të ndiqen penalisht rast pas rasti të evidentimit të tyre në terren”. Por problematike është edhe situate në drejtim të bashkëpunimit me pushtetin lokal, ku komunat dhe bashkitë nuk ofrojnë asnjë ndihmë minimale në evidentimin dhe prishjen e këtyre lidhjeve të paligjshme të shkarkimit të ujërave të zeza në det.

Ramazan Kalia

Kreu i Mjedisorëve në Durrës, tha se bashkëpunimi mungon jo vetëm me njësitë e qeverisjes vendore, bashkitë dhe komunat, por edhe me ndërmarrjen e Ujësjellës- Kanalizimeve, e cila nuk ndërhyn

Aksioni

Task – Forca e ngritur po kontrollon të gjithë zonën bregdetare nga zona e Shkëmbit të Kavajës e deri në Golem, ku janë konstatuar një numër i madh lidhjesh ilegale të ujërave të zeza që derdhen në det