Bashkia, konsultime për buxhetin e Tiranës

648
Bashkia e Tiranës ka nisur konsultimin për projektbuxhetin e vitit 2018, të cilin kryebashkiaku Erion Veliaj e cilëson si më të madhin në historinë e Tiranës. Konsultimet kanë nisur nga njësia nr. 7 e më pas në të gjitha njësitë administrative të Tiranës. “Para dy vitesh, kur bëmë buxhetin e vitit 2016 vendosëm një standard. E vijuam vjet me buxhetin e vitit 2017 dhe po e vazhdojmë edhe këtë vit. Këtë vit e rrisim buxhetin me 15% krahasuar me një vit më parë, çka bën që të jetë buxheti më i madh historik i Bashkisë së Tiranës që nga themelimi i saj”, tha Veliaj. Ndërsa në dy vitet e para krahasimi bëhej me atë që kishte bërë paraardhësi, tashmë për Bashkinë e Tiranës është sfidë krahasimi me vetveten. Ndaj, tha Veliaj, shumë shpejt do të nisë ndërtimi i 19 shkollave të reja. “Pavarësisht se ndërtuam në një vit 4 shkolla, ndërkohë që më përpara në 4 vjet nuk u bë asnjë shkollë e re në Tiranë, ambicia nuk është me atë që ishte më përpara, ambicia është të krahasohemi me vitin tonë më të mirë”, u shpreh kryebashkiaku. Veliaj theksoi gjithashtu se gjelbërimi i qytetit mbetet një sfidë edhe për këtë vit. Ai foli edhe për projektet madhore që ndonëse nuk prekin të gjitha njësitë në territor, ndikojnë tek gjithë qytetarët. Një prej tyre është edhe vijimi i projektit të Bulevardit të Ri. Një tjetër projekt që prek gjithë Tiranën, por edhe Njësinë 7, është edhe ai për rehabilitimin e lumit Lana në dy anët e tij. Gjithashtu, te projektet madhore ai vuri theksin edhe te ndërtimi i terminaleve të autobusëve, të cilat sipas tij do të ndikojnë direkt në trafikun e çdo njësie.
Sigal