Bardhyl Berberi: Vlerat dhe antivlerat e monumenteve në Pogradec

1434
Fillimisht për të kuptuar absurdin e këtyre monumenteve le të bëjmë një kronologji të thjeshtë. Monumenti i Lasgush Poradecit i prodhuar në vitin 1999 nga dy artistë korçarë Vladimir Kaçaku dhe aktori Llazi Serbo qëndron i masakruar në dhomën e pastrueseve të pallatit të kulturës, që mban emrin e poetit “Lagush Poradeci”. Monumenti qëndron i thyer në tre pjesë. Pse? Në vitin 1999 një pronar lokali në Pogradec e porosit tek skulptori Vladimir Kaçaku një monument rreth dy metra e gjysmë të lartë për ta vendosur në lokalin e tij. Por pasi e përfunduan veprën pronarit nuk i pëlqeu pasi monumenti më tepër ngjante me portretin e Anton Kuin se me Lagush Poradecin kështu që Vladimir Kaçaku meqënëse kishte të njohur kryetarin e Bashkisë të asaj kohe që ishte nga Korça, Bashkim Myrtezain ia faturon këtij të fundit për ta vendosur në Pallatin e Kulturës që mban emrin e poetit të madh. Një uragan kontestimesh nga krijuesit e rrethit dhe nga qytetarët të cilët nuk ishin dakort me atë monument i cili jo vetëm nuk ngjante me Lasgushin, por në trup kishte të stampuar një orë të madhe muri gjarpërinj për të simbolizuar diktaturën e cila kërkonte që ta hante Lasgushin. Por vula e Kryetarit të Bashkisë i shpërfill të gjithë me njerëzit rreth e rrotull tij të administratës, ca sharlatanë të paaftë dhe monumenti i Lasgushit vendoset në hollin e Pallatit të Kulturës, por nuk kalojnë shumë kohë ai jo vetëm nuk miratohej nga masa e qytetarëve dhe kështu drejtuesit e pallatit ia bëjnë “Pashaportizimin monumentit” në dhomën e pastrueseve të pallatit dhe busti shërbentë për të mbajtur picetat e pluhurave dhe fshesat. Monumenti i prodhuar edhe cilësisht i dobët thyhet në tre pjesë dhe vazhdon të ngelet ne inventar të pallatit pasi për atë janë harxhuar mbi 10 milionë lekë.
Tekat e kryebashkiakëve me përmendoret e qytetit
Por historia vazhdon me një vepër tjetër. Kur hypi në karriken e kryetares së Bashkisë Magdalena Cane deshte të sillte diçka të re. Dhe konkretisht ajo ndërron stemën e bashkisë që ishte një nosit me zogjtë e tij me një beden sipër, symbol i Lagush Poradecit për poezinë “Vdekja e Nositit “dhe bedena simbol i kalasë së qytetit. Një simbol shumë i bukur, i punuar mjeshtërisht nga Gjin Varfi i specializuar në Austri në këtë fushë. -Jo, tha ish – kryetarja Magdalena Cane, sapo mori karriken, do të vendosim një Dragua që nxjerr flakë nga goja duke e lidhur me Varret e Selcës në lashtësi, nga është gjetur një paftë ku ishte figura e dragoit! U thirr me urgjencë një skulptor nga Pogradeci që ishte në Tiranë, (i ndjeri Edmond Mato nuk jeton më) dhe realizoi një dragua gjigand para Bashkisë për të cilin u shpenzuan rreth 30 milionë lekë. Kafsha para Bashkisë ishte e frikshme dhe u kontestua, por firma e kryetares Cane e vendosi. Një grup intelektualësh të qytetit protestuan fuqishëm: “Dragoi, në formë gjarpëri, na shqetëson kur e shikojmë në qendër të qytetit”. 

Por ky dragua e kishte një të mirë. Çdo mëngjes para Bashkisë shikoje nëna të reja me pjatë në dorë që iu thoshin fëmijve të tyre të vegjël: do ta hash ushqimin apo të të hajë gjarpëri. Por një buzë mbrëmje edhe ky simbol shkulet me vinç kur vjen kryetari i ri i Bashkisë Shkëmbi dhe flaket prapa muzeut të qytetit, i futur thellë në një kthinë të padukshme edhe pse u harxhuan 30 milionë lekë dhe më pas çohet në një cep të parkut të madh të qytetit ku i është kthyer funksionit të mëparshëm: nënat e reja shkojnë dhe ushqejnë fëmijët tekanjozë pranë këtij monumenti duke ju thënë fëmijëve do ta hash ushqimin apo të të hajë ky gjarpëri… Deri kur do të vazhdohet kështu të abuzohet pa përgjegjësi me lekët e taksapaguesve të Pogradecit? Cfarë simbol tjetër do të hajë miliona? Flitet që do të ketë një simbol tjetër të Bashkisë së re. Personalisht do të thoja: kthejuni simbolit të nositit që ushqen fëmijët me gjakun e tij dhe anash ka bedenat e kalasë së qytetit, vërtetë një emblem që i takon qytetit tonë. Por kam frikë se do të sajohet ndonjë kafshë tjetër për ta patur si simbol të qytetit. Po le të ndalemi tek dy monumentet kryesore të dy korifenjëve të mëdhenj Lasgush Poradeci dhe Mitrush Kuteli. Së pari të dy monumentet nuk kanë një biografi që do të thotë të kenë historikun e krijimit të tyre. Konkretisht në botën e qytëruar monumentet që iu kushtohen njerëzve të shquar kanë biografinë e krijimit.

Së pari kush i ka propozuar ngritjen e këtyre monumenteve, cilat janë emrat e intelektualëve dhe të institucioneve që i kanë propozuar? Cilët skulptorë kanë marrë pjesë në konkurs dhe pse është zgjedhur skulptori fitues që ka realizuar këtë vepër? Në këtë CV të monumenteve shënohet edhe se kush ka derdhur kontribut monetar për realizimin e tyre. E pra të dy monumenteve ju mungojnë këta elementë. Të dy monumentet janë bërë pa konkurs nga ish kryetari i Bashkisë Artan Shkëmbi, tamam si dikur mbretërit e Francës që caktonin një skulptor të realizonte një vepër kur ligji thotë se çdo vepër arti që kalon mbi 10 milionë lekë duhet të bëhet me konkurs, ndërkohë që për dy monumentet janë harxhuar 160 mijë euro nga 80 mijë euro secili dhe nuk është bërë konkurs! Krybashkiaku caktoi “Skulptorin e Popullit” Muntaz Dhrami i cili solli disa boceta dhe për to vendosi titullari. Të dy monumentet ngjajnë me veprat e udheqësve komunistë, janë të njëjtit kallëp dhe volume duke përjashtuar pjesën e kokës që për hir të së vërtetës janë në karakter që të dy. Monumenti i Lasgush Poradecit është vendosur me shpinë, pikërisht nga lagjia e shtëpia tij dhe Pogradeci i vjetër! Ky poet gjigand që pjesën më të madhe ia kushtoj Poradecit (siç e quante poeti) dhe liqenit krojit me shtatë sylinjarë dhe për mbiemër mori emrin e qytetit nga Llazar Gusho në Lasgush Poradeci. Kurrsesi nuk do t`i pëlqente që ai të kthente shpinën qyteteti. Kur pyetëm pushtetarët se pse monumenti i ka kthyer shpinën qytetit thanë se e kemi kthyer me pamje nga Shën Naumi të shikojë atje ! Shën Naumin që e shiti mbreti Zog! Dhe diçka tjetër: natën të dy monumente nuk mund të shikohen pasi që nga bulevardi kryesor apo shëtitorja buzë liqenit ngjajë si hije gjigande sepse iu mungon ndriçimi nga poshtë… Monumente pa ndriçim vetëm këtu mund të gjesh…
Sigal