Banorët e Ferrasit dëbojnë Veliajn dhe shefin e emergjencave

560
Sigal

Banorët e fshatit Ferras në Fier kanë dëbuar ministrin Erion Veliaj dhe Drejtorin e Emergjencave Civile Shemsi Premçi. Incidenti ka ndodhur në mesditën e ditës së djeshme, kur disa banorë u bllokuan rrugën mjeteve të qeveritarëve, duke i detyruar të ktheheshin pas me thirrjet: “Turp, turp, turp”, pa i lejuar ata, të zbresin nga makinat. Banorët e kanë konsideruar “të vonuar” mbërritjen e qeveritarëve, ndërsa i kanë akuzuar për shpërndarje klienteliste të ndihmave humanitare dhe mungesën e mbështetjes nga qeveria. Ata pohojnë për mediat se nuk duan lëmoshë. Qeveria nuk mund t’i gënjejë me një kilogram sheqer apo miell, ata kërkojnë dëmshpërblim të drejtë të pasurive të tyre, që llogaritet në miliona lekë, të cilat ua mori uji dhe neglizhenca e qeverisë. Makina tip Hundai, ku ishin zyrtarët e lartë është kthyer pas. Mjeti me të cilin udhëtonte Premçi është pa targa. Banorët e bllokuan rrugën për mungesën e ndihmave dhe mbështetjes nga qeveria. Burime në vendngjarje thanë se pjesë e karvanit ka qenë edhe Ministri Beqaj dhe Kreu i grupit Parlamentar socialist Gramoz Ruçi.