Banka e Shqipërisë sqaron arsyet e rënies së çmimit të euros dhe dollarit amerikan

217

Monedha shqiptare ka fituar pikë ndaj euros dhe dollarit amerikan në mënyrë të qëndrueshme gjatë vitit 2019 për shkak të efekteve sezonale të turizmit që për këtë vit janë zgjeruar në kohë. Sipas raportit të politikës monetare, banka e Shqipërisë sqaron se tremujori i tretë i vitit është karakterizuar nga vijimësi e mbiçmimit të monedhës vendase kundrejt euros.

Kursi mesatar gjatë kësaj periudhe rezultoi 121.6 lekë/euro, me një forcim tremujor të lekut prej 1.2%, po aq sa edhe në tremujorin e dytë të tij. Edhe mbiçmimi vjetor i lekut në këtë periudhë, prej mesatarisht 3.5%, rezultoi pranë vlerës së shënuar në tremujorin e dytë të vitit (3.4%).

Krahasuar me vitin e kaluar, forcimi i lekut gjatë vitit 2019 është ngadalësuar ndjeshëm, në kushtet kur deficiti korrent, e veçanërisht ai tregtar, janë zgjeruar. Kjo ecuri e kursit vlerësohet brenda linjave të sjelljes sezonale të tij dhe përkon me një sezon më të mirë turistik, sikurse tregohet nga të dhënat indirekte të sektorit të turizmit.

Krahas kësaj, vitet e fundit është vërejtur dhe një shtrirje më e gjerë e këtij sezoni, çka është reflektuar në nisje më të hershme të mbiçmimit sezonal të lekut dhe zgjatje të tij pjesërisht deri në shtator. Shuarja e efektit sezonal, tipike e muajit shtator, ka nisur vetëm në fund të këtij muaji dhe duketse po reflektohet më shumë në muajin tetor. Në tre javët e para të muajit tetor, një euro është tregtuar mesatarisht me 123.0 lekë, me një nënçmim mujor të lekut prej 1.2% dhe ngadalësim të mbiçmimit vjetor të tij në 1.7%. Në përgjithësi, tregtimi i euros në tregun valutor ka qenë i qetë dhe treguesit e stresit në të janë paraqitur në nivele optimale.

Ecuria e dollarit amerikan ka reflektuar mbiçmimin e tij në tregun ndërkombëtar valutor, por në një masë më të zbutur si rrjedhojë e forcimit të lekut kundrejt euros. Kursi usd/lek rezultoi mesatarisht 109.4 lekë/usd në tremujorin e tretë, me një nënçmim të lekut prej 0.9% krahasuar me një vit më parë. Leku ka vijuar të nënçmohet kundrejt dollarit amerikan edhe gjatë tre javëve të para të muajit tetor, duke reflektuar kryesisht dobësimin e monedhës vendase kundrejt euros.

Në terma nominalë efektivë, leku u forcua me 1.1% në tremujorin e tretë. Mbiçmimi vjetor efektiv i lekut ka vijuar të ngushtohet, duke shënuar 2.2% në muajin shtator, nga 5.8% dhe 10.2% që shënonte përkatësisht në muajin qershor të këtij viti dhe në fund të vitit të kaluar.

Peshën kryesore në mbiçmim efektiv e zë forcimi i lekut kundrejt monedhës evropiane, në një kohë që zbutja e këtij mbiçmimi është diktuar nga ecuria e tij kundrejt lirës turke. Kursi real efektiv i këmbimit ka shfaqur trajektore të ngjashme me atë nominal; në fund të tremujorit të tretë, mbiçmimi real vjetor i lekut ka zbritur në 1.9%, nga 4.7% që shënonte në fund të tremujorit të dytë.