Balil Hyseni:Ja e vërteta për vjedhjen e bazës së avionëve të Kuçovës

661
Sigal

Reagon Komandanti i Bazës ajrore N/Kolonel, Balil Hyseni

Pas artikullit të gazetës “Telegraf” me titullin “Grabitet me kamionë baza e avionëve”, e publikuar më datën 19 mars, ka reaguar  Komandanti i Bazës ajrore, N/Kolonel, Balil Hyseni, duke sjellë versionin e tij, për situatën e tanishme në bazën e Kuçovës. Nga na e vet, redaksia e gazetës “Telegraf”, sqaron se, do të jetë e hapur për të gjithë specialistët dhe ushtarakët, ose aviatorët që shprehin shqetësimet e tyre të bazuar mbi faktet që disponojnë. Por nga ana tjetër, ajo do të verë në dispozicion hapësirat e nevojshme e dhe për sqarimet e përfaqësuesve të dikastereve, për t’u njohur më mirë me radioskopinë e problemit. Në sqarimin e sotëm të N?Kolonel, Hysenit, ai shkruan se: “Në respekt të plotë për misionin dhe autoritetin tuaj, si pushtet i katërt në lidhje me editorialin  e gazetës suaj, të datës 19.03.2013 me titull “Grabitet me kamion baza e avionëve”, duhet të kini parasysh se: “Autori i shkrimit,  por edhe burimi me keqardhje, nuk janë të njohur me risitë e reja që NATO i ka projektuar për Bazën Ajrore, Kuçovë. Misionet e sotme e të ardhshme që kjo Bazë Ajrore do të kryejë si pjesë e aleancës së veriut do të jenë: HOST NATION SUPPORT, POLICIMI AJROR, DEPARTAMENTI AJROR I SHKOLLËS SË AVIACIONIT për përgatitjen e kuadrove të rinj për aviacionin si dhe bashkëpunim e ndërveprim me Shoqatën e Kadetëve të Ajrit. Lavdia dhe krenaria e kësaj baze ajrore, ka qenë dhe do të jetë gjithmonë, por mediokrit që nuk arritën kurrë të fluturojnë me avionët MIG dhe që mjerisht nuk arrijnë të kuptojnë proceset e modernizimit, implementimit të standardeve të NATO-s bien padashur edhe në gabime konceptuale për kohën. Me nostalgjinë e fluturimeve me avionët MIG (personalisht kam fluturuar suksesshëm përgjatë viteve 1985-2006), Ju bëj me dije se procesi i heqjes së tyre nga pajisjet tona është bërë përkundrejt akteve ligjore që autoriteti ynë politik dhe strategjik ka hartuar në bashkëpunim me ekspertët më të mirë nga vendet e aleancës perëndimore. Ky zëvendësim i këtyre pajisjeve bëhet gradualisht dhe bazuar në konceptet dhe doktrinën e NATO_s për përdorimin e tyre në ajër. Ndonjë mjeran mediokër, as i ka ditur e as i di, se çdo të thotë modernizim për sistemet e KOMUNIKIMIT, NAVIGIMIT, INTERCEPTIMIT, ALERTIT dhe për më tepër të QITJE- BOMBARDIMIT. Këto mangësi në njohuritë profesionale dhe cektësi në gjykim, sigurisht që prodhojnë shpifje të rëndomta të këtij niveli.  Disa “fakte” që jepen nga autori në këtë shkrim për vjedhje (për motive që nuk i kuptoj),  tentojnë që të hedhin baltë pikërisht mbi atë krenari që ky personel dhe këta drejtues të kësaj baze ajrore kanë përfaqësuar ndër vite dhe që gradualisht materializohet në implementimin e  koncepteve dhe projekteve për modernizimin e saj sipas orientimeve të NATO-s. Baza Ajrore Kuçovë,  me mbështetjen direkte të ministrit të Mbrojtjes, z.Arben IMAMI,  të deputetëve të zonës si dhe të autoriteteve më të larta të pushtetit lokal, është futur në planet e modernizimit të Forcës Ajrore për hartimin e një  Master – Plani bashkëkohor, i cili i hap rrugë vijimit të mëtejshëm të investimeve në infrastrukturë. Këto plane afat mesme dhe afat-gjata tashmë të materializuara, në koordinim edhe me palën turke do të jenë një mbështetje jo vetëm për ne si ushtarakë, por edhe për popullsinë civile të rajonit të Kuçovës. Komanda, shtabi dhe i gjithë personeli i bazës, kanë përkushtimin  e duhur për realizimin e detyrave si dhe aktiviteti ditor drejtohet e menaxhohet konform akteve tona ligjore. Sigurisht, si çdo institucion tjetër ku menaxhohen personel dhe vlera materiale, ka edhe problematika. Ju sigurojmë  që  çdo problem i çfarë do lloj natyre qoftë, prezantohet, investigohet dhe ndiqet legalisht nga organet e specializuara. Do të dëshiroja që gazeta Juaj ashtu siç e ka në traditë,  të jetë tribunë  e mendimit të vërtetë dhe intelektual,  për të përçuar traditën e mirë të së kaluarës dhe përpjekjet tona për integrimin shumëplanësh në NATO. Jemi të hapur brenda kornizës ligjore, të bashkëpunojmë në respekt të impaktit të pushtetit tuaj mediatik si dhe punës sonë për arritjen e standardeve të kërkuara.

 Faleminderit për mirëkuptimin dhe punë të mbarë!

 Me respekt

 N/Kolonel Balil HYSENI

 KOMANDANT I BAZËS AJRORE