Athina zyrtare shkatërron ëndrrat e “MEGA”-s

751
Sigal

Agron MEMA

Një mbledhje e zhvilluar të dielën e 27 majit 2018 me anëtarësinë më të shumtë të organizatës më të madhe të grupimit të minoritetit etnik grek në Shqipëri “OMONIA”, ka fundosur përfundimisht ëndrrat e një grupimi të ri brenda kësaj organizate të mbështetur nga forca politike “MEGA” për të marrë frenat e drejtimit të “OMONIA”-s. Në fillim të majit u mblodh grupi i ri për reformim të organizatës, i drejtuar nga ideatori tradicional i kësaj organizate, Sotir Qirjazati dhe me pjesëmarrjen e një numri të konsiderueshëm të intelektualëve të minoritetit grek në Shqipëri. Të dy grupimet janë në fazën e organizimit. Dhe e diela e fundit ka sjellë mbledhjen me pjesëmarrjen më të madhe të anëtarëve të “OMONIA”-s ku ka rënë në sy pjesëmarrja e Konsullit të Përgjithshëm të Konsullatës Greke në Gjirokastër, zotit Vasilis Tolios dhe kreut të PBDNJ-shit Vangjel Dule, njëkohësisht edhe deputet i Kuvendit Shqiptar në listat e koalicionit të djathtë. Mbledhja e së dielës ka zgjedhur kreun e degës së “OMONIA”-s për Sarandën, Vasil Kajon i cili në mbledhjen e zgjedhjeve të kryetarit të përgjithshëm të kësaj organizate dhe të këshillit të përgjithshëm të saj, më 9 qershor, nëse nuk ka kandidat tjetër do të kandidojë edhe për postin e kreut të përgjithshëm. Ndërsa konsulli përgjithshëm Tolios, sipas burimeve të gazetës “Telegraf” ka shkuar më tej duke u kërkuar minoritarëve që të jenë të bashkuar për të përballuar vështirësitë dhe e vetmja vatër bashkimi është “OMONIA”. Duket se Athina zyrtare ka vënë pikën mbi “I” për mbështetjen e saj pavarësisht se diplomacia ka kanale të heshtura e të errëta, por përvoja tregon se mbështetja e konsullatës së Gjirokastrës ka qenë aktive për fuqizimin e “OMONIA”-s.