Arrestohet Shefi i Rendit në Vlorë dhe drejtuesi i policisë në Tepelenë

243
Prokuroria e Përgjithshme njoftoi mbrëmjen e së enjtes arrestimin e dy drejtuesve të lartë të Policisë së Shtetit, për çështjen e kanabisit.
Organi qendror i akuzës njoftoi se u arrestua Shefi i Rendit në Drejtorinë e Policisë së qarkut të Vlorës, Haki Hasanbegaj si i dyshuar për favorizim të kultivimit të lëndëve narkotike në zonën e Vlorës. 
Arrestimi i tij u bë me urdhër të Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Hasanbegaj ka qenë drejtues i policisë në disa komisariate në jug të vendit dhe ishte rikthyer në polici pesë vite më parë. Po ashtu, me të njëjtin urdhr nga krimet e rënda, është arrestuar edhe Gani Abazi, Shef i Specialistëve të Zonave në komisariatin e policisë në Tepelenë.
Arrestimet e tyre erdhën pas një furtune akuzash dhe përplasjesh mes Ambasadorit amerikan në Tiranë Donald Lu dhe Kryeprokurorit Adriatik Llalla, si edhe vetëm një ditë para mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare, për çështjen “Balili”. 
Po ashtu arrestimet e tyre erdhën pak pasi Top Channel njoftoi në edicionin qendror të së enjtes, për një zhvillim tjetër që tregon përshkallëzimin e situatës politike dhe përplasjen mes institucioneve. 
Organi i akuzës duket se ka vënë nën përgjim së paku 22 zyrtarë të lartë. Një burim i lartë zyrtar i pohoi Top Channel se në listën e përgjimeve nga Prokuroria janë tashmë edhe shumë drejtues të policisë dhe duket se gjithcka ka ndodhur pas shpërthimit të përplasjes mes Llallës dhe Ambasadorit amerikan.