Apel nga ish- ministri i Shëndetësisë: Zonat e prekura nga tërmeti kanë potencial epidemik, të kontrollohen të sëmurët kronikë

106

Ish- ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili në një dalje për mediat i kërkuar qeverisë hartimin e një plani sanitar që sipas tij është i vonuar për qarqet e prekura nga tërmeti.

Sipas tij zonat e prekura sipas tij kanë një potencial epidemik për shkak të nyjeve sanitare të dëmtuara apo rrjetit të ujit e kanalizimeve.

“Kontrolli i gjendjes sanitare dhe në mënyrë të veçantë i qarqeve të prekura merr prioritet absolut e madhor. Në këtë situatë kërkohet dhe duhet të përpilohet hartimi i planit sanitar. E përsëri kërkohet hartimi i një plani sanitar. Ky plan sanitar ka disa momente thelbësore të tijat, që kanë të bëjnë me trajtimin rigoroz sanitar të zonave që po shkatërrohen. Kur objektet shkatërrohen kërkon një trajtim sanitar. Vetë objektet kanë nyje sanitare, rrjetet nëntokësore janë dëmtuar dhe këto zona kanë një potencial epidemik të mundshëm. Kontrolli rigoroz i ujit të pijshëm dhe hartimi i buletineve ditore të ujit dhe duke imponuar një klorinim të përforcuar të zonave në ato zona që janë demonstruar vulnerabël apo të dëmtuar për shkak të tërmetit.

Punonjësit në terren duhet të garantojnë që të mos iu cenohet skema e vaksinimit fëmijëve. Duhet të bëhet dhe të organizohet një kontroll i veçantë, i të gjithë të sëmurëve kronikë pjesë e familjeve të evakuara që në kushte të tjera, kanë rëndim të sëmundjes. Duhet të përcaktohet një sistem kontrolli sanitar i përditshëm dhe raportuar i vendqëndrimeve të improvizuara të cilat natyrshëm nuk janë vende të përcaktuara për grumbullime njerëzish dhe kontrolli i tyre do evitonte mjaft pasoja sanitare të dëmshme dhe të rënda për këto popullata”, u shpreh Vasili.

Ai tha më tej se “Mbajtja e këtij kontrolli sanitar ka rëndësi për të siguruar vendime e urdhrat e domosdoshëm dhe që gjendja e popullatës nga ana shëndetësore të jetë nën kontroll të plotë”, theksoi Vasili.