Antifashizmi, rruga që ndau çlirimtarët nga tradhëtarët

821
Sigal

Fronti Nacionalçlirimtar, forca kryesore që vepronte në vend; Flasin Frashëri, Gjeçovi, Xhufi, Bernd Fischer, Lucas, Hoti, Verli

Lufta Nacionalçlirimtare ishte edhe një katalizator i madh social, që solli ndryshime epokale

 Akademia e Shkencave e Shqipërisë dhe Ministria e Arsimit dhe Sportit, organizojnë sot  në Pallatin e Kongreseve,  më 27 nëntor, Konferencën Shkencore Ndërkombëtare,  “70-vjetori i çlirimit-ngjarje e rëndësishme Kombëtare” .

 Fjala e hapjes, mbahet nga akademik Muzafer Korkuti, kryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Fjala e përshëndetjes, do mbahet nga znj. Lindita Nikolla, Ministre e Arsimit dhe e Sportit.

 Referime:

 Akademik Kristo Frashëri – Lufta Nacionalçlirimtare shqiptare e parë sot (pas 70-vjetësh).

  • Prof. Xhelal Gjeçovi  – Luftë nacionalçlirimtare apo luftë civile.
  • Prof. Bernd Fischer (SHBA) – Gjermanët në Shqipëri në 1943-1944 (një vlerësim).
  • Prof. Paskal Milo – Shqipëria dhe Kombet e Bashkuara në Luftën e Dytë Botërore.
  • Prof. Pëllumb Xhufi – Shqipëria e Vjetër dhe Shqipëria e Re në vitet e Luftës së Dytë Botërore.
  • Prof. Peter Lucas (SHBA) – Pjesëmarrja amerikane në luftën e popullit shqiptar për çlirim nga pushtimi fashist.
  • Dr. Isber Hoti (Kosovë) – Shqipëria dhe Kosova gjatë Luftës së Dytë Botërore.
  • Akad.as. Marenglen Verli – Antifashizmi alternativë e perspektivë në vitet e Luftës së Dytë Botërore.
  • Akademik Vasil Tole – Trashëgimia muzikore e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare.

Prof. Xhelal Gjeçovi

 Luftë nacionalçlirimtare apo luftë civile

  Luftë Nacionalçlirimtare apo Lufte Civile është një problem shumë i ndërlikuar dhe i debatuar vazhdimisht, jo vetëm tek ne, por dhe në vendet e tjera, sidomos ato ballkanike. Në kumtesë trajtohen aspektet më të rëndësishme të kësaj çështjeje, dallimet mes Luftës Nacionalçlirimtare dhe asaj Civile; kushtet në të cilat veprojnë dhe objektivat e synimet e ndryshme që ato kërkojnë të arrijnë. Mbi bazën e dokumenteve të kohës, ballafaqohen programet e tri forcave kryesore politike që kanë vepruar në këto vite, siç janë Fronti Nacionalçlirimtar, në të cilin bënte pjesë dhe Partia Komuniste, Balli Kombëtar dhe Lëvizja e Legalitetit, pozicionet që zunë dhe veprimtarinë që ato zhvilluan në këto vite. Përmes dokumenteve provohet se Fronti Nacionalçlirimtar dhe Ushtria Nacionalçlirimtare, forca kryesore në vend, që i dha tonin luftës, zhvillonin një luftë nacionalçlirimtare, pasi synimi i tyre ishte dëbimi i okupatorit dhe çlirimi i vendit. Dhe këtë objektiv madhor e arritën. Ndërkohë që forcat nacionaliste, BK dhe Legaliteti, që lindën si forca rezistence, në proces shfaqën lëkundje dhe gradualisht u futën në rrugën e kompromisit e të bashkëpunimit me okupatorët nazifashistë. Por kjo nuk ndryshoi karakterin e luftës. Ajo u zhvillua deri në fund si një luftë nacionalçlirimtare, që drejtohej, në radhë të parë, kundër okupatorit, si dhe forcave që iu bashkuan atij, që bashkëpunonin me të. Fronti Nacionalçlirimtar, forca kryesore që vepronte në vend, nuk devijoi nga programi i miratuar në Pezë dhe zhvilloi deri në fund një luftë të vendosur kundër okupatorit, përkrah aleatëve anglo-sovjeto-amerikan, çka bëri të mundur dhe arritjen e objektivave që kishte lufta, çlirimi i vendit dhe rivendosja e pavarësisë kombëtare, detyra dhe objektiva këto të revolucionit nacional dhe të luftës nacionalçlirimtare. Në kumtesë analizohen pikëpamjet e ndryshme që ka për këtë çështje, nga autorë tanë dhe të huaj, e në këtë kuadër dhe raportet e luftës me pasluftën, me regjimin që u vendos pas lufte, e cila përdoret si argument për ta paraqitur atë si luftë civile, si luftë për pushtet, që çoi në vendosjen e regjimit komunist. Në kumtese argumentohet se lufta nuk ka lidhje as me regjimin komunist, as me luftën e klasave apo zhvillimet e tjera të ndodhura pas lufte. Ajo e kreu, e përfundoi misionin e vet më 29 nëntor 1944, dhe në këtë mënyrë e mbylli dhe kohën e vet. Përpjekjet për të identifikuar luftën me zhvillimet pas saj, Ismail Kadare i quan kundërhistori, që synon të zhvlerësojë luftën, gjakun e dëshmorëve dhe sakrificat e popullit, që u bënë jo për komunizëm, por për të çliruar atdheun.

Prof. Bernd Fischer

 Gjermanët në Shqipëri në 1943-1944, një vlerësim

“Gjermanët në Shqipëri, 1943-1944” fokusohet në pushtimin e Shqipërisë nga Gjermania. Më rënien e Italisë, gjermanët dolën në konkluzion se nuk mund ta linin të pambrojtur pozicionin strategjik të Shqipërisë në Adriatik. Në kushtet e një situatë me vështirësi në rritje në aspektin ushtarak, komanda e lartë gjermane vendosi megjithatë të mos kursente dy divizione e gjysëm që të merrnin në kontroll një zonë, që italianët mezi e kishin mbuluar me tetë divizione. Nevojat rezultuan në zhvillimin dhe ekzekutimin e një pushtimi “të butë”, shumë ndryshe nga politika gjermane në pjesën tjetër të Ballkanit.  Kjo politikë mund të kishte sukses vetëm me bashkëpunimin aktiv të një numri të konsiderueshëm të elitës shqiptare dhe dashamirësinë apo neutralitetin e një shtrese të madhe të popullsisë shqiptare. Fillimisht gjermanët ia dolën me sukses të tërhiqnin mbështetjen e disa udhëheqësve shqiptarë me reputacion dhe ky bashkëpunim ndërtoi një shtet shqiptar në dukje të pavarur. Udhëheqja politike gjermane në Shqipëri u përpoq shumë të mbante një marrëdhënie korrekte me këtë shtet, duke rezultuar në disa inovacione befasuese të politikës së pushtimit. Trupat gjermane SS në Shqipëri për shembull, nuk u lejuan të arrestonin apo deportonin çifutët. Ndërsa kjo politikë pati fillimisht sukses, në fund ajo sigurisht dështoi.

Referimi është në tre pjesë. Pjesa e parë shqyrton motivimin në themel të kësaj politike, njerëzit që ishin pas saj dhe zhvillimi i saj fillestar. Pjesa e dytë analizon zbatimin e saj, dhe pjesa e tretë shqyrton dështimin dhe impaktin që pati në rezistencën vendase dhe në ndërtimin pas lufte të regjimit të Enver Hoxhës.

 

Prof. Paskal Milo

 SHQIPËRIA DHE KOMBET E BASHKUARA NË LUFTËN E DYTË BOTËRORE

 Tema do të synojë të paraqesë në dinamikën e tyre marrëdhëniet e ndërsjella e komplekse midis shqiptarëve dhe Fuqive të Mëdha Antifashiste të Kombeve të Bashkuara në Luftën e Dytë Botërore. Referati do të argumentojë që përkundrejt refuzimit për ta njohur zyrtarisht Shqipërinë si anëtare të Kombeve të Bashkuara Antifashiste, ajo përmes luftës së shumicës së shqiptarëve e kryesisht të Lëvizjes Antifashiste Nacionalçlirimtare u bashkua në realitet e u pranua në fakt në familjen e popujve antifashistë.

Kumtimi do të përqendrojë vëmendjen në qëndrimet e Fuqive të Mëdha të Kombeve të Bashkuara në çështjet e pavarësisë e të integritetit territorial të Shqipërisë ndaj forcave politike antifashiste nacionalçlirimtare e nacionaliste brenda vendit dhe ndaj përpjekjeve të Mbretit Zog për të krijuar një qeveri shqiptare në emigracion.

Autori do të tentojë të bëjë një analizë e të paraqesë disa përfundime për ndihmën që Fuqitë e Mëdha antifashiste u dhanë shqiptarëve në luftën e tyre – kundër pushtuesve fashistë, për dallimet midis tyre në ndihma e angazhimet e për arsyet që qëndronin prapa tyre. Gjithashtu do të bëhen interpretime rreth rolit e përgjegjësive të tyre për rrugën që morën zhvillimet politike në Shqipëri pas çlirimit të saj nga pushtimi nazifashist.

Prof. Pëllumb Xhufi

 SHQIPËRIA E VJETËR DHE SHQIPËRIA E RE NË LUFTËN e II-ë BOTËRORE

 Përveç vlerave të tjera, Lufta Nacionalçlirimtare ishte edhe një katalizator i madh social, që solli ndryshime epokale në gjirin e shoqërisë. Detyrimi historik për të mbajtur një qëndrim të prerë ndaj pushtuesit, evidentoi në mënyrë të qartë forcat e kolaboracionizmit, që jo rastësisht ishin përfaqësuesit e shtresës së vjetër të bejlerëve e të bajraktarëve, të cilët kishin arritur të ruanin pushtetin e privilegjet e veta në kushtet e prapambetjes së thellë ekonomike, sociale e kulturore dhe falë ujdive e kompromiseve që ata kishin bërë më parë, por që bënë edhe në vitet e Luftës II Botërore, me qarqet e vendeve fqinje, shpesh here në dëm të interesave kombëtare. Në këtë grupim u përfshinë gjatë viteve të luftës edhe eksponentë të elitës liberale e konservatore, ndonjë prej tyre edhe veteran i Lëvizjes Kombëtare, të cilët nuk e kishin pare dikur pavarësimin e Shqipërisë, dhe tani nuk e shihnin çlirimin e saj, si rezultat i mobilizimeve të mëdha popullore e kombëtare, por si rezultat i lojërave politike e diplomatike, sa me pushtuesin, aq edhe me Aleatët dhe me qeveritë e vendeve fqinje. Rezistenca antifashiste ishte një prove e forte, ku këto forca të së shkuarës çeduan rëndë, duke iu bashkuar qeverive kuislinge apo duke bashkëpunuar me pushtuesin. Qëndrimi që paria e vjetër shqiptare mbajti në momentet vendimtare të luftës, e demaskoi atë publikisht në sytë e popullit shqiptar, duke vendosur edhe fatin e saj historik. Implikimi i saj i rëndë me pushtuesin nuk mund veçse ta komprometonte rëndë pozitën e Shqipërisë në përfundim të luftës. Nëse Shqipëria e pasluftës do kishte pasur në krye përfaqësuesit e kuislingëve dhe të kolaboracionistëve, pavarësia dhe integriteti i vendit do ishte cenuar rëndë.

Në të kundërtën, angazhimi konkret në luftën kundër pushtuesve nazifashistë, evidentoi rolin e elementëve progresistë të shoqërisë shqiptare, të intelektualëve, nëpunësve, shkrimtarëve, ushtarakëve, profesorëve e mësuesve patriotë, që iu bashkuan rrymës se kohës, qëndresës antifashiste. Mbi të gjitha, lufta sublimoi rolin historik të rinisë shqiptare, të qytetit e të fshatit, që iu bashkuan radhëve të njësiteve guerile, çetave e formacioneve të mëdha partizane. Këtu, me sakrificën e tyre, shkruan një faqe të lavdishme ata të rinj e të reja, studentë e nxënës të gjimnazeve, anëtarë të partisë e të rinisë komuniste, që ranë heroikisht në luftë me fashistët e milicët në rrugët e qyteteve të Shqipërisë, në Shkodër, Tiranë, Durrës, Vlorë, Elbasan, Gjirokastër e Korçë, duke u bërë shembull e duke tërhequr në radhët e rezistencës ajkën e rinisë shqiptare.

  

Prof. PETER LUCAS – ShBA

Pjesëmarrja amerikane në luftën e popullit shqiptar për çlirim nga pushtimi fashist

  Ndonëse modeste në krahasim me mbështetjen britanike në Shqipëri – 33 ushtarë britanikë humbën jetën në luftimet në Shqipëri – fakti që amerikanët kishin ndihmuar së pari Enver Hoxhën dhe partizanët  ka qenë deri pak më parë jo i njohur.  Ka qenë gjithashtu i panjohur fakti sa u afrua kapiteni Tom Stefani me Enver Hoxhën. Në Kongresin e Përmetit, Stefani ishte i vetmi oficer aleat i ftuar nga komunistët shqiptarë.

Enver Hoxha ka zhvilluar një luftë brenda luftës, dhe ishte kjo luftë që do përcaktonte se kush do sundonte Shqipërinë kur të mbaronin luftimet. Pjesë e këtij kuadri ishin edhe marrëdhëniet mes Hoxhës nga njëra anë, dhe britanikëve dhe amerikanëve nga ana tjetër.

    

Prof. dr. Izber Hoti, Prishtinë

 Shqipëria dhe kosova gjatë luftës së dytë botërore

(krahasime të veçorive kryesore)

 Trajtimi mbështet në arritjet kulmore historiografike. Fillon me pushtimin italian të Shqipërisë dhe përfundon me ripushtimin jugosllav të viseve etnike shqiptare. Përfshin qëndrimin e shqiptarëve të këtyre anëve dhe të Shqipërisë ndaj këtij pushtimi, si dhe ndaj rrethanave të krijuara në të cilat rol të rëndësishëm patën veprimet politike dhe ushtarake të Mbretërisë së Jugosllavisë, por edhe të Italisë Fashiste, mirëpo qenësore mbetën orientimet shqiptare antifashiste, siç ishin veprimtaria antifashiste e mbështetur në forcat perëndimore, ato të cilat dëshironin të përfitonin nga pushtimi nazifashist, si dhe ato të cilat nuk përkrahnin as qëndrimin e parë e as të dytë, por luftonin për çlirim. Ndikimet nga jashtë në forcat shqiptare ishin të ndjeshme dhe të pakapërcyeshme dhe qëndrimi dhe veprimtaria e tyre varej kryekëput nga këto forca, megjithatë ruajtën veçoritë autoktone dhe si pasojë dallonin ato në Shqipëri dhe Kosovë ani pse të një etnie e në esencë me orientime dhe synime të përbashkëta. Ishte e pakapërcyeshme përzierja dhe “ndihma” e komunistëve jugosllavë dhënë atyre shqiptarë, si dhe e ardhmja e çështjes kombëtare, lloji i sistemit të pushtetit dhe marrja e tij, ndërsa të gjitha këto ndikuan edhe në propagandën dhe ekonominë dhe jetën kulturo arsimore në përgjithësi që doemos ndryshe u zhvilluan në Kosovë e ndryshe në Shqipëri duke u bërë kështu veçori pa krahasimin e të cilave studimet historike të kësaj kohe do të mbetnin të mangëta, ku qëndron edhe synimi i kësaj trajtese.

 

Akad. assoc. Marenglen VERLI – Tiranë

 ANTIFASHIZMI, ALTERNATIVA E PERSPEKTIVËS PËR KOMBIN SHQIPTAR

 Problematika e trevave dhe e kombit shqiptar në vitet e Luftës së Dytë Botërore është shumë e gjerë. Në këtë trajtesë synimi kufizohet në fokusimin vetëm të pozicionit të mbajtur përgjithësisht nga shqiptarët ndaj konfliktit botëror dhe, brenda këtij kuadri, të përcaktimit se sa realist ishte pozicionimi i tyre dhe i forcave politike që e nxitën atë.

Përpjekjet për një trajtim objektiv, veçanërisht të thelbit të problemit, konfirmojnë se kombi shqiptar iu bashkua koalicionit të madh antifashist duke dhënë kontributin e vet jo të vogël, përkrah shteteve dhe kombeve që morë pjesë në të, se pozicioni i tillë i shqiptarëve ishte i vetmi që mund të zgjidhej për t’u shërbyer interesave kombëtare të perspektivës dhe se forcat politike dhe individët, të cilët punuan për këtë alternativë, kontribuan që aspiratave mbarëkombëtare, për një Shqipëri të lirë e të bashkuar, të mishëruara në programin e Rilindjes, të mos u mbyllej horizonti.

Duke u bashkuar me konkluzionin se kombi shqiptar ishte pjesëtar i koalicionit antifashist, do të mundohem të paraqes argumentet e nevojshëm, për t’u dhënë përgjigje analitike një sërë pyetjesh:

Sa dhe si u inkuadrua kombi shqiptar përkrah Koalicionit Antifashist? A pati diferenca në këtë inkuadrim midis trevave lë ndryshme shqiptare, brenda dhe jashtë kufijve politikë të 1913-ës? Nëse pati diferenca sa ishin ato dhe përse u krijuan? Sa ndikoi faktori ndërkombëtar dhe sa faktori shqiptar në vetvete për krijimin e këtyre diferencave? Çfarë rrezikoi dhe çfarë fitoi kombi shqiptar duke u rreshtuar në krah të aleancës antifashiste dhe a kishte realisht alternativë tjetër për të zgjedhur?

Përzgjedhja e aleatëve që bënë përgjithësisht shqiptarët në vitet e Luftës së Dytë Botërore, edhe pse u pasua nga shtyrja në kohë e zgjidhjes së çështjes nacionale, apo çështjes së Kosovës dhe viseve të tjera shqiptare, edhe pse kishte risk rrezikun për pavarësinë e shtetit shqiptar, si rezultat i forcimit të lobit serbo – jugosllav në radhët e elitës politike shqiptare që drejtoi luftën antifashiste dhe mori pushtetin pas saj, edhe pse u pasua nga 45 vjet vuajtjesh dhe sakrificash, në të dy anët e kufirit politik, nga viktima, prapambetje, përpjekje për shkombëtarizim në Kosovë e më gjerë, etj., etj., ishte një përzgjidhje e drejtë, realiste. Sot duket edhe më qartë se përcaktimi i shqiptarëve në krahun e koalicionit antifashist gjatë Luftës së Dytë Botërore, hapi perspektiva për kombin shqiptar në tërësi. Janë të gjitha gjasat që ai të zhvillohet e të përparojë në të gjitha fushat, duke u rivlerësuar si faktor i rëndësishëm në Ballkan dhe duke parë jo të largët edhe ditën e zgjidhjes së problemit të vet kombëtar, të mbetur pezull qysh më 1913.

Akad. Vasil S. Tole – Tiranë

 TRASHËGIMIA MUZIKORE E LUFTËS aNTIFASHISTE NACIONALÇLIRIMTARE

 Problematika e trevave dhe e kombit shqiptar në vitet e Luftës së Dytë Botërore është shumë e gjerë. Në këtë trajtesë synimi kufizohet në fokusimin vetëm të pozicionit të mbajtur përgjithësisht nga shqiptarët ndaj konfliktit botëror dhe, brenda këtij kuadri, të përcaktimit se sa realist ishte pozicionimi i tyre dhe i forcave politike që e nxitën atë.

Përpjekjet për një trajtim objektiv, veçanërisht të thelbit të problemit, konfirmojnë se kombi shqiptar iu bashkua koalicionit të madh antifashist duke dhënë kontributin e vet jo të vogël, përkrah shteteve dhe kombeve që morë pjesë në të, se pozicioni i tillë i shqiptarëve ishte i vetmi që mund të zgjidhej për t’u shërbyer interesave kombëtare të perspektivës dhe se forcat politike dhe individët, të cilët punuan për këtë alternativë, kontribuan që aspiratave mbarëkombëtare, për një Shqipëri të lirë e të bashkuar, të mishëruara në programin e Rilindjes, të mos u mbyllej horizonti.