Sigal

Që në 2014 Fondacioni “Për Shoqërinë e Hapur” dhe Soros parashikonin përmbysjen e Kushtetutës, për të realizuar reformën, duke diktuar reformën në Drejtësi. Pse ndërkombëtarët imponuan dhunshëm partitë politike, heshtja ndaj krerëve të partive, që mbushën parlamentin me kriminelë dhe emërimi i militantëve të rinj në drejtësi

Reforma ne drejtësi ka paralizuar Gjykatën Kushtetuese, Gjykatën e Lartë dhe për rrjedhojë edhe sistemin e drejtësisë në tërësi. Qytetarët shqiptarë sot, nuk kanë më mundësi t’u drejtohen gjykatave në mënyrë efektive, sepse sistemi është në kolaps. Shkak kryesor i këtij kolapsi, janë largimet e njëpasnjëshme nga vetingu, ndërkohë që opozita akuzon se edhe procesi i vetingut është një përpjekje për spastrimin e gjykatave në mënyrë që vendet bosh të mbushen me shërbëtorë të mazhorancës. Një prej aktorëve më të përfshirë në konceptimin e kësaj reforme, Fondacioni “Për Shoqërinë e Hapur”, i njohur si Fondacioni Soros, e ka ndjerë rrezikun e këtij dështimi që në vitin 2014, kur reforma në drejtësi ishte në fazën e ngjizjes. Në strategjinë e këtij Fondacioni për vitin 2014-2017, të publikuar nga “DC Leaks”,  përshkruhet reforma dhe hapat që duhet të ndërmerren për “përmbysjen” e Kushtetutës. Nga përshkrimi që i bën  fondacioni sistemit  të drejtësisë dhe hapave për reformimin e tij,  është e qartë se ai ka patur rol të rëndësishëm në konceptimin dhe zbatimin e kësaj reforme. Por, në po të njëjtin dokument thuhet, se reformat kushtetuese mbartin gjithnjë rrezik dhe se Kushtetuta mund të përfundojë më keq se ç’ishte përpara reformës. “Reformimi i Kushtetuetës mbart gjithmonë rreziqe. Fondacioni mund të sulmohet politikisht nga aktorët e interesuar për të ruajtur status quo-në. Partitë politike mund ta injorojnë procesin; por nëse e bëjnë një gjë të tillë, mbështetja dhe kërkesa e publikut bëhen më të rëndësishmë. Kushtetuta mund të përfundojë më keq se ç’është tani. OSFA i njeh këto rreziqe.

Por, mendojmë se pa reformën kushtetuese, shumë nga përpjekjet e shoqërisë civile për ta bërë Shqipërinë më demokratike dhe për të rritur llogaridhënien, janë si një kështjellë rëre”. Fondacioni për Shoqërinë e Hapur, Plani Strategjik 2014- 2017 (më poshtë dokumenti i plotë)  Megjithatë, edhe pse këto dyshime serioze ekzistonin, fonadacioni dhe partnerët ndërkombëtarë vijuan përpjekjet për implementimin e një reforme të imponuar dhunshëm, nga lart poshtë, ku qytetarët shqiptarë nuk patën asnjë rol dhe ku partitë politike u detyruan të nënshtrohen duke votuar, edhe pa qenë të bindur në efikasitetin e kesaj reforme. Në korrik të vitit 2016, presioni i ushtruar nga ambasadorët e huaj, konkretisht ai amerikan dhe përfaqësuesja e BE-së, bënë që reformat të votohej unanimisht. Që prej asaj dite, opozita nuk ka reshtur së kontestuari hapat e mëtejshëm në implementimin e reformës. Të paktë qenë intelektualët dhe analistët, që i dolën kundër mënyrës si u konceptua reforma. Një ndër zërat e paktë të asaj kohe, ishte analisti Fatos Lubonja, i cili e kontestonte reformën që kur ishte ende një draft, duke e quajtur atë një grusht shteti. Ja çfarë shkruante Lubonja në të përditshmen “Panorama” në Janar 2016:

“Edhe sikur Edi Rama të kishte zbritur nga qielli në vitin 2015, edhe sikur partia që ai drejton të ishte përbërë vetëm nga njerëz idealiste, një kapje e drejtësisë nga një forcë politike do ishte e rrezikshme dhe, jo më kur kemi parasysh, se kjo parti përbëhet nga banditë dhe kryebanditë të vjetër dhe të rinj, që nuk kanë lënë gjë pa bërë që pas viti 1991, madje para këtij viti. Ata ndërkombëtare që mbështesin këtë grusht shteti, atë mision të turpshëm antidrejtësi, nëse nuk janë nën presionin e lobingjeve të Ramës, brenda dhe jashtë vendit duhet ti përgjigjen pyetjes: “A mund t’i besohet drejtësia një partie dhe një kryetari që për të marrë pushtetin mbushi Partinë Socialiste me kriminelë, si asnjëherë më parë në historinë e Shqipërisë dhe thuajse çdo ditë jep shenja të qarta, se vetëm me ligjin dhe të drejtën s’ka lidhje?” Dy vite pas miratimit të reformës, drejtësia është në kolaps. Opozita akuzon se sistemi i drejtësisë është kapur nga kryeministri Edi Rama. Si shembullin kryesor të kapjes, opozita deklaron se prokurorja e Përgjithshme, Arta Marku, u zgjodh vetëm me votat e mazhorancës dhe ka dëshmuar se i shërben kryeministrit. Pra, parashikimi i “Soros”, se kushtetuta mund të përfundonte shumë më keq, ka rezultuar i vërtetë. Sot në Shqipëri, jo vetëm që po zhbëhen një nga një gjykatat, por edhe pjesa e sistemit që funksionon, sipas opozitës,  po përfundon në duart e kryeministrit.  “Qëllimi, siç thotë dokumenti i “Soros”, për ta bërë Shqipërinë më demokratike dhe për të rritur llogaridhënien”, ka dështuar. Në vend të kësaj, sot kemi një Shqipëri akoma edhe më jo demokratike, ku vendimet merren në mënyrë arbitrare, ku qeveria vendos për koncesione dhe gllabërimin e pronës publike dhe ku gjykatat nuk funksionojnë për të ndaluar këto grabitje dhe lajthitje.