AKU hap “Kuti Postare”, u kërkon bizneseve: Denonconi shefat dhe inspektorët që ju kanë zhvatur!

100
Menjëherë pas prezantimit nga kryeministri ku u fol me gjithë të ashpër për shkak të “llumit” që ka pushtuar këtë shërbim, drejtori i ri Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU), zoti Agim Ismaili, ka nisur zbatimin e platformës së tij drejtuese, që për nga hapat e përcaktuar, krijon besimin e plotë, se me përvojën e tij si drejtues në disa sektorë delikat e problematikë, do ta “rilind” dhe rikthej në standardet e duhur edhe sigurinë ushqimore në Shqipëri. Këtë synim ai ka menduar të nis me dhënien fund të abuzimit me këtë sektor jetik për popullatën, duke larguar me urgjencë abuzuesit, që nuk janë pak në kupolën qendrore, nëpër sektorë, nëpër drejtoritë rajonale e në terren, duke e kthyer AKU në “shpellë kaçakësh”, që u ka kallur tmerrin e u ka “rrjepur lëkurën” bizneseve ushqimore, deri me shkatërrime dhe bllokime aktivitetit! Sipas informacionit që ka “Telegraf”, thuhet se drejtori Agim Ismaili, ka vendosur ta nis punën, me një element të ri. Në çdo zonë të Shqipërisë, do ët vendosen “Kuti postare”, për të mbledhur denoncime konkrete për zyrtarë dhe inspektorë të AKU, nga biznese, tregtarë dhe të çdo lloj subjekti tjetër, që ka lidhje me sektorin ushqimor. Sipas kësaj metode, çdo subjekt ushqimor në Shqipëri, mund të “postoj” rastet, kur janë gjendur përballë padrejtësive dhe presionit që u është bërë nga drejtues dhe kontrollorë, shefa sektori dhe nëpunës të AKU në qarqe, në qytete, në zona e deri tek drejtuesit qendror. pasi këto informacione të mblidhen, do të ballafaqohen me gjobat që ata kanë vendosur, me licencat që kanë dhënë, me akt-kontrollet që kanë kryer, me etiketat që kanë miratuar, me bizneset që kanë vetë zyrtarët e AKU, me ankesat që janë depozituar nga subjektet prodhues, përpunues, tregtarë e deri tek importuesit ushqimor e ata që importojnë ushqime për kafshët! Paralelisht, drejtori Ismaili, do të nisë veprimtarinë e Zyrës së Protokollit, për të verifikuar procedurat e pranimit dhe paraqitjes së ankesave, madje edhe të zhdukjes së shumë prej tyre, me porosi të ish-drejtorit të përgjithshëm. Do të verifikohet veprimtaria e komisionit të trajtimit të gjobave që u janë vënë bizneseve. Mendohet, që shumë shpejt, të zhvillohet një takim me bizneset e mëdha tregtuese, prodhuese e të konsumit, të cilët kanë qenë përherë “gjah” presioni dhe gjobash banditeske prej zyrtarëve të AKU, të cilët kanë arritur deri aty, sa të krijojnë “banda” inspektorësh që kontrollonin gjithë zonat e tregut, duke mënjanuar kontrollorët e ndershëm dhe specialistë. Një tjetër hap, do të jetë largimi nga detyrat dhe sektorët e kontrollit, I të gjithë atyre, profesioni Ii të cilëve nuk përputhet me vendin e punës kanë “kapur” politikisht e financiarisht, apo familjarisht siç ka disa raste brenda kupolës së AKU, mbasi ka një logjikë: Juristi nuk mund të kontrolloj pastiçeritë, apo veterineri perimet!