AKU e Tiranës, ka nën kontroll të plotë higjienën, origjinën, sigurinë në prodhimin dhe tregjet ushqimorë

1100
Ka një fakt rilindës, përshëndetës e progresist në Qarkun e Tiranës, që tashmë dihet: Nga Autoriteti Kontrollit Ushqimor (AKU) të Qarkut të Tiranës është vendosur bindshëm kontrolli mbi tregjet, prodhimet ushqimore dhe burimet e lëndëve të para ushqimore që futen nga sektorë të tjerë. Ky kontroll i ushtruar çdo orë, çdo ditë e sistematikisht në vazhdimësi prej AKU-s të Qarkut të Tiranës është i plotë si “hartë” tregu e prodhimi dhe efiçent si veprim, me tregues arritjen dhe standardizimin e sigurisë ushqimore në gjithë territorin e qarkut të Tiranës. Ky realitet pranohet e vlerësohet më të drejtë si “sukses”nga kryeministri Edi Rama, nga Ministri i Bujqësisë Prof. Edmond Panariti, nga kreu i AKU të Shqipërisë Afrim Bakaj, nga drejtues të lartë të pushtetit lokal të bashkisë e qarkut Tiranë, nga OBU, nga FAO por edhe prej institucioneve mbështetëse, bashkëpunuese e ligj-zbatuese dhe nga të gjithë “aktorët” e tjerë shqiptarë, sidomos nga konsumatorët, të cilët kanë lidhje direkte me prodhimin, tregun dhe konsumin e produkteve ushqimore që qarkullojnë çdo orë e ditë. 
AKU e Qarkut Tiranë me profil të ri europian, 2 vjet aktivitet efiçent në mbrojtje të konsumatorit
Fakti që dëshmon ndryshimin e bërë në veprimtarinë e AKU të Tiranës është ky: Deri përpara dy vitesh, pothuajse në 90% të territorit të Qarkut e Tiranës nuk kishte pothuajse fare kontroll të prodhimit e tregut ushqimor të katandisur si shërbim jetësor në atë “derexhe”, sa nga qytetarët e Tiranës nuk mendohej se do të rikthehej e se do të vepronte ky kontroll e ndërgjegjësim për sigurinë e ushqimore, i cili në fakt është siguri e shëndetit dhe jetës së popullatës! Por ja që AKU e Qarkut Tiranë, drejtuar prej dy vitesh nga organizatori reformator e i përkushtuar Taulant Kalo, ka instaluar kontrollin mbi tregjet i cili është prezent, aktiv, efiçent dhe garantues i sigurisë ushqimore. Sot që flasim, prodhimi dhe tregjet ushqimore në Qarkun e Tiranës janë nën vrojtimin, monitorimin, nën kontrollin e plotë dhe të imët fizik e laboratorik të veprimit sistematik e pa asnjë tolerancë të strukturave drejtuese, inspektorëve dhe specialistëve të Drejtorisë Rajonale të Autoritetit të Kontrollit Ushqimor (AKU) të Qarkut Tiranë. Prej më se dy vitesh, nën drejtimin e drejtuesit të aftë e të përkushtuar Taulant Kalo, AKU e qarkut Tiranë e organizuar dhe pozicionuar sipas funksionit strukturor dhe detyrave të ngarkuara nga drejtuesi Kalo, ka formatuar profilin e një institucioni dhe shërbimi serioz e aktiv, tashmë të kompletuar edhe me laborator modern për kontrolle të higjienës, cilësisë dhe sigurisë së produkteve ushqimore. Ky seriozitet i AKU të qarkut Tiranë, ndeshet qysh në mjediset e punës (zyrat), të cilat janë të kompletuara e funksionale. E gjithë veprimtaria drejtuese në zyrat e AKU, bashkëpunimi me institucionet e partnerët ligj-zbatues brenda dhe jashtë Qarkut Tiranë e madje edhe jashtë vendit, si dhe aktiviteti i inspektorëve në terren, ka pasur dhe ka vetëm këtë synim kryesor: Mbrojtje të konsumatorit si një detyrim ligjor, si shërbim publik dhe si mision me përgjegjësi. , mision dhe detyrim të cilin dega e AKU e qarkut Tiranë e ka përmbushur me sukses, duke konsoliduar gjithë veprimtarinë e saj me strategji, me përvojë, me organizim efiçent që ka futur tregjet dhe prodhimin në proces të plotë standardizimi. 


Deklaron Taulant Kalo, Drejtor Rajonal i AKU-s të Qarkut-Tiranë 
Po zbatojmë strategjinë e MBU për ndërgjegjësimin e trinomit: Konsumator-Prodhues-Tregtarë, primar kontrolli fizik dhe laboratorik i produkteve
Po e nis me një aspekt, që ne si AKU e Qarkut të Tiranës e kemi referencë zbatuese kryesore ditore pune: Ndërgjegjësimin e 3 “aktorëve” kryesorë të sektorit të ushqimit të popullatës, të cilët ballafaqohen përditë e konkretisht me njëri-tjetrin. E kam fjalën për trinomin “Konsumator-Prodhues-Tregtar”. Këta janë referencë orientuese e punës sonë drejtuese e vepruese si AKU e Tiranës. Pikërisht këtë referencë dhe drejtim bazë të punës me sigurinë ushqimore prej AKU dhe ministrisë, theksoi dje në intervistë në Gazetën “Telegraf” edhe Ministri i Bujqësisë e Ushqimit, Prof. Edmond Panariti. Ne si AKU e Tiranës e kemi pasur dhe e kemi “krye plan pune” këtë udhëzim dhe projekt të ideuar, iniciuar e futur në zbatim prej ministrit Panariti. Për të arritur siguri ushqimore në prodhim e tregje ushqimore, nuk janë “mjet” vetëm gjobat, por së pari është ndërgjegjësimi i prodhuesit, tregtarit e konsumatorit. Nëse tek prodhuesi dhe tregtari duhet bërë e qartë, që prodhimi dhe shitja produkteve ushqimore prej tyre “kanë në dorë” fatin e shëndetit dhe të jetës së popullatës, tek konsumatori që blen këto produkte duhet bërë e qartë, që çdo produkt ushqimor i hedhur në treg, duhet kontrolluar për t’u mbrojtur prej produkteve të rrezikshme. Në këtë aspekt, AKU e Qarkut Tiranë ka vendosur kontakt informues me konsumatorët, për të pastruar tregun dhe prodhimin nga produktet me rrezik për jetën e shëndetin, duke ndëshkuar abuzuesit. Kemi pasur sukses në këtë drejtim dhe po e vazhdojmë si praktikë pune. Në këtë prononcim publik që po bëj si drejtuesi i AKU të qarkut Tiranë, po ndalem në tre fakte të tjera, që kanë ndikuar pozitivisht në konsolidimin e punës tonë për kontrollin dhe garantimin e sigurisë ushqimore. Së pari, përshëndes mbështetjen që na ka dhënë ministria dhe personalisht ministri i Bujqësisë e Ushqimit, Prof. Edmond Panariti, prej të cilët na është ofruar ekspertizë, përvojë dhe metodologji organizimi. Së dyti, në emër të AKU të Qarkut Tiranë, shprehim vlerësim për kontributin e dhënë prej kreut të AKU të Shqipërisë, zotit Afrim baka dhe stafit të tij, sidomos në implementimin e reciprok të platformave të kontrollit efikas e të bashkëveprimit harmonik në terren. 
Flet Afrim Bakaj, drejtor i AKU të Shqipërisë: AKU e Tiranës, drejtim dhe shërbim që duhet mbajtur si referencë përvoje
AKU e qarkut Tiranë, ka një drejtim, një ekip dhe punë profesionale në drejtim të monitorimit, kontrollit dhe standardizimit të prodhimit e të tregut ushqimor. Kujtojmë, që Tirana ëhstë qark me tregje, me prodhim, me shtrirje e konsumator të madh, sa afro 55% e volumit të tregut, prodhimit e konsumatorit të krejt vendit. Këtë volum, këtë shtrirje të madhe si territor, AKU e Qarkut të Tiranës, prej dy vitesh e ka futur nën kontroll të plotë, duke e orientuar drejt standardeve të tregjeve e prodhimit ushqimor të vendeve të BE. Fakti që Tirana ka importe, ka tregjet kryesore të shumicës, ka qendrat më të mëdha të prodhimeve, ka tregjet më të mëdha ditore, ka kalimet më të mëdha transit të produkteve ushqimore e të mallrave të konsumit që kanë lidhje me popullatën është shoqëruar me një organizim punësh prej ekipit të drejtuar prej zotit Kalo, që ka përballuar këtë volum tregu e prodhimi, natyrisht duke u mbështetur prej drejtuesve dhe ekspertëve të AKU qendrore. Pa bërë komente e pa përmendur statistika, po përmend vetëm një fakt: AKU e Tiranës është institucion dhe shërbim që duhet mbajtur si referencë përvoje prej degëve të tjera të AKU-ve të qarqeve të Shqipërisë! 
AKU e Qarkut-Tiranë, “flet” me bilanc arritjesh konkrete për vitin 2015 
Drejtoria Rajonale e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU) të Qarkut të Tiranës, si autoriteti kompetent me funksion inspektues garantimin e sigurisë për mbrojtjen e konsumatorit dhe mbrojtjes së bimëve, ka këtë bilanc arritjesh konkrete për vitin 2015: 
Në 12 muaj, 6500 kontrolle 
Ka kryer 6500 kontrolle në operatorët e biznesit ushqimor dhe farmacitë bujqësore. Puna e përditshme e AKU, ka qenë e përqendruar në të gjithë vendet, ambjentet ku përpunohen, prodhohen, ambalazhohen, etiketohen, tregtohen, transportohen, eksportohen e importohen produkte ushqimore. 
Gjurmueshmëria, OBU dhe veprimi me gjoba
Në mënyrë, që të arrihej siguria e duhur ushqimore, përqasja e AKU të Qarkut Tiranë, ka qenë kjo: Të ndërtojmë dhe të kërkojmë nga Organizata Botërore e Ushqimit (OBU), një sistem që mbështetet tek gjurmueshmëria e produktit nga tregu, tek prodhuesi dhe burimi i lëndës së parë. Referuar kësaj kërkese për të ndërtuar këtë sistem gjurmueshmërie, prej AKU-Tiranë janë marrë masa administrative me gjoba deri dhe në bllokime dhe asgjësime të produkteve ushqimore. Pra referuar këtij fakti siç është mungesa e dokumentacionit shoqërues të produkteve ushqimore, por edhe për konstatimin e shkeljeve të tjera siç janë prodhimi dhe tregtimi i produkteve ushqimore jashtë kushteve dhe standardeve higjeno sanitare, tekniko teknologjike, tregtimit të produkteve jashtë afatit të përdorimit, mos realizimi i detyrave të mëparshme etj, ndaj operatorëve të biznesit Ushqimor janë marrë masa administrative si gjoba, paralajmërime, ndërprerje të ushtrimit të aktivitetit, dhe asgjësime të produkteve ushqimore. Konkretisht janë vendosur 90 gjoba, 223 paralajmërime, 44 ndërprerje aktiviteti dhe 1090 ton produkte të asgjësuara. 
Kontrolli dhe veprimi ligjor në thertore
Një nga treguesit e rëndësishëm të punës së AKU-Qarku Tiranë, ka qënë disiplinimi i procesit të therjes dhe tregtimit të mishit. Në kuadër të kësaj janë realizuar 857 inspektime në thertore dhe pika tregtimit të mishit. Gjatë këtyre kontrolleve, janë marrë masa ndaj subjekteve të cilat nuk plotësonin kërkesat dhe kriteret ligjore për të ushtruar aktivitetin në fushën përkatëse. Kështu është marrë masa e ndërprerjes së aktivitetit për 22 subjekte të therjes së kafshëve dhe të tregtimit të mishit. Është konfiskuar dhe asgjësuar 253 kg mish, i cili nuk plotësonte kushtet për tu tregtuar. Një tregues shumë i rëndësishëm në luftën kundër informalitetit ka qenë kërkesa dhe pajisja e 110 subjekteve tregtuese të mishit me QKR.
Fakte inspektimi dhe ndëshkimi për pasigurinë e produkteve
AKU gjatë gjithë vitit përveç kontrolleve që ushtron sipas një plani të miratuar, ka parë të arsyeshme edhe ndërmarrjen e aksione të ndryshme në varësi të problematikave të ngritura. Kështu janë realizuar aksione gjatë Sezonit Turistik, kjo referuar rritjes së faktorit të rriskut për shkak të ndryshimit të temperaturave dhe shtimit të numrit të konsumatorëve. Janë realizuar kontrolle në zonën e Golem-Kavajës ku kemi patur një bashkëpunim me N/prefekturën e Kavajës. Inspektimet janë kryer në restorante, fast foode, zgara, tregtim akullore, në magazinat e mëdha importuese dhe tregtuese, në stabilimentet e mëdha prodhuese, në super-market, tregje, pika tregtimi të produkteve të cilat paraqiten potencialisht me rrezikshmëri më të lartë në këtë stinë etj. 
– Në kuadër të kësaj janë realizuar 400 inspektime.
– Gjatë këtyre kontrolleve janë marrë masa administrative respektivisht 18 paralajmërime dhe 3 gjoba dhe janë lënë detyra për 69 subjekte. 
– Janë inspektuar 20 qendra të përpunimit të qumështit në Tiranë e Kavajë. 
– Janë inspektuar 56 Subjekte të tregtimit të bulmetit. Në të gjitha rastet e konstatuara të pranisë së niseshtesë, janë marr masa për bllokimin dhe asgjësimin e produkteve. 
– Në zbatim të urdhrit të Drejtorit të Përgjithshëm të AKU-së të Shqipërisë, zotit Afrim Bakaj, për monitorimin e Nitriteve në subjektet përpunuese të mishit, prodhimin e sallameve dhe nënprodukteve të mishit, janë inspektuar 8 subjekte e janë marrë 28 mostra (sallame, proshuta, salçiçe e qofte), për t’u analizuar për nivelin e përdorimit të nitriteve. 
– Në zbatim të Urdhrin e Drejtorit të Përgjithshëm për analizimin e miellit si lëndë e parë dhe bukë si produkt i gatshëm për BACILLUS SUBTILIS ose sëmundjen e patates.
– Janë bërë 45 inspektime 
– Janë vendosur gjoba për 13 subjekte
– Referuar udhëzimit të ministrit Panariti, nr. 499, datë 02.11.2015 janë realizuar 14 inspektimeve dhe janë marrë 28 mostra. Rezultatet e analizimit të mykotoksinave, proteinave dhe lagështirës për mostrat e marra, kanë qenë brenda normave
AKU e Qarkut-Tiranë, apel konsumatorit për kujdes dhe bashkëpunim
“I bëjmë thirrje çdo konsumatori të jetë mjaft i kujdesshëm e selektiv në mallrat që zgjedh për konsum duke parë më vëmendje etiketën e produktit, të shikojë datën e skadencës dhe të zgjedhë produkte të shëndetshme për mirëqenien e tij. Duke qenë vetë konsumatori filtri kryesor i produkteve të shëndetshme, ose jo të shëndetshme, është më e lehtë për të gjitha hallkat e mëtejshme të garantimit të sigurisë ushqimore për të sjellë në tryezën e gjithsecilit ushqime e produkte të sigurta. Autoriteti Kombëtar i Ushqimit në këtë prizëm është një derë e hapur për çdo konsumator apo operator të biznesit ushqimor, për të pritur dëgjuar e ndjekur ankesat e denoncimet e tyre në lidhje më këtë çështje. Për çdo abuzim të konstatuar dhe shpërfillje që u bëhet prej tregtarëve në lidhje me sqarimet për origjinën, cilësinë, afatet e skadencës dhe sigurinë e produkteve ushqimore, apo për çdo fakt që zbuloni në lidhje me prodhimin dhe higjienën e produkteve ushqimore, keni në dispozicion jo vetëm zyrat e AKU të Tiranës, por edhe qendrën e informimit elektronik e telefonik, të publikuar prej AKU të Tiranës dhe AKU të Shqipërisë.
Strategjia e AKU-së të Qarkut-Tiranë, platformë e qartë për kontrollin mbi prodhimet dhe tregjet ushqimore
1. Njohja me legjislacionin përkatës në fuqi, lidhur me sigurinë ushqimore, duke i mëshuar detyrimeve të tregut, për zbatim standardesh në mbrojtje të konsumatorit
2. Burimet e furnizimit të distributorëve të produkteve me shumicë (importe-prodhim vendas)
3. Trajtimi i informacionit mbi tregun e produktet ushqimore për fëmijë të moshave 0-6 vjeç
4. Burimet e furnizimit të tregjeve me produkte direkt nga qendrat e grumbullimit dhe pikat prodhuese stinore
5. Kontrolli i industrisë prodhuese e përpunuese agro-ushqimore në vend, në gjithë procesin deri në prodhimin dhe hedhejn në treg të produktit
6. Kontrolli i administrimit të produkteve në magazinat me shumicë
7. Kontrolli në njësit tregtare me shumicë e pakicë, për afatet e skadencave të publikuara në etiketa, por edhe me sondazhe-testime cilësie e sigurie produktesh
8. Kontrolli i produkteve të hapura (të pa ambalazhuara) të tregut fshatar dhe tregut zonal javor (ish-pazaret)
9. Higjiena në tregjet e hapur që tregtojnë produkte pa mjedise të mbyllura e pa ambalazh
10. Profilizimi i tregjeve ushqimore, sipas llojeve ose grup llojeve të produkteve
11. Kontrolli në pikat doganore i origjinës, kohës së prodhimit, cilësisë, sigurisë, jetëgjatësisë dhe ligjshmërisë dokumentare të produkteve ushqimore të industrializuar e lëndë të para në dogana
12. Kontrolli mbi produktet e konsumit të përditshëm masiv, në tregun e brendshëm
13. Kontrolli e ushqimeve të pa përpunuara, me origjinë shtazore
14. Informacion konkret për konsumatorin mbi veprimtarinë e AKU në kontrollin dhe zbatueshmërinë e detyrës dhe ligjeve në tregje
15. Sensibilizimi i popullatës, në lidhje me kontrollin cilësisë së ushqimeve dhe denoncimi i abuzimeve në AKU e në institucione të tjerë qendror e lokal
16. Të drejtat themelore të konsumatorit, si detyrim që garantohen dhe mbrohen me ligj gjatë blerjes së produkteve dhe ofrimit të shërbimit në tregun e lirë, duke garantuar gjithë informacionin për të dhënat e produktit dhe detyrimin për të manifestuar etikë nga shitësi, pronari i tregut, prodhuesi dhe furnizuesi i produktit.
17. Informimi dhe orientimi prej strukturave të AKU, i konsumatorëve që kërkojnë produkte ushqimore me çmime të lira, duke e futur konsumatorin në kontakt me fermat, qendrat e grumbullimit dhe linjat e përpunimit masiv.
18. Ndërgjegjësimi i konsumatorëve, për të zgjedhur produkte të shëndetshme e të sigurta. 
19. Referimi, implementimi dhe zbatimi i politikave të BE-së, si rekomandim dhe detyrim për rritjen e efiçensës në veprimtarinë kontrolluese e menaxhuese të sigurisë ushqimore në tregjet e copëzuar e lokal nëpër njësi banimi, deri në momentin kur të arrihet unifikimi dhe funksionimi i mirë i një tregu të vetëm.
20. Konsumatorët duhet të dinë, se ligji e ushqimit detyron tregun dhe prodhuesin ushqimor, që produktet që ofrojnë në Shqipëri, duhet të shoqërohen me etiketa të qarta e shpjeguese në gjuhën shqipe.
21. Kërkesat për higjienën dhe sigurinë e ushqimeve dhe të ushqimeve për kafshë
22. Kontrolli i mbrojtjes së bimëve si dhe shëndeti i kafshëve e produkteve që konsumatori merr prej tyre.
23. Detyrimet e operatorëve të biznesit të ushqimeve dhe të ushqimeve për kafshë, për higjienën dhe sigurinë e këtyre ushqimeve;
24. Detyrimi për regjistrimin e treguesve gjeografikë dhe emërtimin e origjinës së kontrolluar
25. Kërkesat e përgjithshme për mënyrën e etiketimit të ushqimeve dhe ushqimeve për kafshë
26. Kërkesat e përgjithshme të nxjerrjes në treg të ushqimeve dhe të ushqimeve për kafshë
27. Kërkesat e përgjithshme të nxjerrjes në treg të ushqimeve të reja dhe të ushqimeve të reja për kafshë;sistemin e kontrollit zyrtar të ushqimeve dhe të ushqimeve për kafshë;
28. Sistemi i laboratorëve dhe funksionimi i tyre, si qendra të autorizuar për analiza produktesh dhe të laboratorëve të referencës.
29. Problemet që ndeshen dhe trajtohen, lidhur me kafshët, me mirërritjen, marrjen e produkteve cilësore prej tyre si dhe sigurinë e këtyre produkteve në procesin e tregtimit, si probleme që kanë lidhje të drejtpërdrejtë me konsumatorin.
30. Bashkëpunimi e bashkëveprimi i Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU). me institucionet shtetërore ligjbërës, ligj-zbatues, ligj-kontrollues, por dhe me shoqatat e konsumatorit, të prodhuesve e tregjeve ushqimorë, si dhe me shoqërinë civile për përmbushjen e çdo detyrimi ligjor në lidhje me futjen dhe zbatimin e standardeve të BE në tregjet dhe ushqimet.
Sigal