Agron MEMA/ Rrëfimi i panjohur i Koçit Moçit nga Mursija

137

Gazeta Telegraf/


Agron MEMA


Pendesa e një agjenti

Rrëfim i dhimbshëm i diktaturës, Koçi Moçi, një nga
qindra banorët e fshatit Mursi të Sarandës të persekutuar dhe burgosur nga sistemi
komunist, vjen përsëri në faqet e gazetës “Telegraf” me një rrëfim tepër
tronditës e të dhimbshëm. Në rrëfimin e tij të parë në faqet e gazetës “Telegraf”,
Koçi solli inskenimin dhe arrestimin e të ashtuquajturit grupi i Mursisë për
tentativë arratisjeje tek vendi i quajtur Manastir, afër Ksamilit, dhe 90 ditët
e hetuesisë torturuese . Këtë radhë sjell një fakt mosbesues, sepse i kalon të
gjitha kufijtë e njerëzores dhe të shpërfytyrimit të njeriut. Mursia është një
fshat që ka më shumë viktima të motivuar si tentativë arratisjeje edhe për
faktin se shtrihet midis vijës kufitare Konispol-Butrint. Për nder të këtyre
viktimave, të burgosurve dhe të internuarve është ngritur edhe një memorial
përkujtimor në mes të fshatit. Si pjesë e kësaj historie vjen edhe ky rrëfim rrëqethës:
“Ai qe në prag të vdekjes (dhe sot i larguar nga jeta), ndaj vendosi ta thërriste
pranë tij Koçin dhe 15 burra të tjerë ta dëgjonin rrëfimin e tij. A. H. (në
ruajtje të etikës nuk mund t’i përmendim emrin e plotë, por edhe pasi nuk
paraqet shumë rëndësi emri para historisë që plaku tregon) rrinte në vendin e
tij duke numëruar ditët e fundit. Vendosën dhe shkua me ftesën e tij. Plaku
A.H. i shikonte thellë në sy të 15 burrat. Kroi zërin si për të marrë fuqi dhe
të mundte sëmundjen dhe ia nisi me fjalë të ngadalta e të mençura. Kishte qenë
kuadër dhe komunist në fshat gjithë jetën dhe këto rrethana e kishin detyruar
të bashkëpunonte me organet e sigurimit. “Ju kërkova t’ju tregoj një të vërtetë,
le të jetë e dhimbshme dhe e turpshme njëherësh, por do ta them dhe nuk dua ta
marr me vete në errësirën e varrit, se siç e shikoni, jam në ditët e fundit të
jetës. Po e kam edhe si pendesë dhe ju gjykoni si të doni, tani për së gjalli
dhe më pas për së vdekuri, unë do t’ju them ty Koçi Moçi dhe Vasil Mavro, në
ato vite të vështira, sigurimi i shtetit më dha detyrë t’ju vrisja, t’ju çoja
afër kufirit dhe të lajmëroja rojën operative dhe degën e brendshme se u vratë
në kufi. Nuk e bëra dot dhe sot jini të gjallë. Gjykomëni si të doni”. Plaku
nuk foli më. Neve,-tregon Koçi,- na ra tavani në kokë. Kisha vuajtur hetuesive
dhe tani në demokraci, para syve kisha atë njeri që do më kishte marrë jetën
kot së koti. Pashë shokët, të gjithë rrinim mendueshëm e kokulur, të tronditur
e të pezmatuar. Si mund të arrinin deri këtu, o zot i madh, si?! Mbi ç’baza dhe
parime?…Dolëm duke e lënë plakun në vetminë e tij të heshtjes dhe pas disa
ditësh ai u largua nga kjo jetë dhe ne nuk munguam në përcjelljen e tij në
jetën e përtejvarrit.