A mund të na japë përgjigje Lali Eri se çfarë leje ka dhënë?

843
Pjesa e dytë
7. Në hyrjen e rrugës së Ambasadave ishte më parë 4 kate Hotel Pensioni. Thonë e blenë dy të fortë. I shtuan një kat pa leje dhe komplet paraqitjen e fasadës e ndryshuan pa leje. U transmetua në televizion se nuk ia prishi INUK katin shtesë meqenëse e legalizoi. Bëri shtesë përpara hotelit 3-4 metra të gjerë një-katëshe dhe INUK ia prishi se ishte pa leje. Mirëpo me sa duket hoteli u shit dhe shtesa u bë ndoshta prapë pa leje apo ndoshta ka fituar gjyqin. Mirëpo Lali Eri pikërisht këta që blenë këtë ndërtim pa leje dhe e quajtën Hotel Colosseu vendosi t’i ndihmojë duke zhdukur me një të ashtuquajtur projekt rikualifikimi urban rrugën automobilistike ku kalonin 2 makina dhe një qëndronte e parkuar me gjatësi 100 metra dhe gjoja e bëri për të mirë të popullit duke investuar (megjithëse nuk kishte nevojë për investime ajo lulishte e vogël që ishte trekëndore) për një lulishte me stola dhe një shatërvan që uji i lag prapanicën heroit të Kosovës që qëndron i rrethuar nga uji dhe me këmbët në ujë. Një gjë skandaloze dhe e sajuar vetëm që të bëhej ajo që donte Lali Eri për të hedhur para në erë dhe ajo që donin ata të hotelit. Dhe tani është një situate skandaloze me makinat që gati sa nuk përplasen me njëra-tjetrën kur dalin dhe futen në të njëjtën rrugë si nga Rruga e Durrësit si nga rruga e ambasadave dhe nga rruga……. Tani një pjesë e trotuarit dhe rrugës publike e shfrytëzon hoteli për karrige dhe tavolina dhe makina. Nëse do të kishte funksionuar Prokuroria në Shqipëri Lali Eri me kohë do të ishte në burg. Për më tepër thuhet se qe aq i paturpshëm sa mori pjesë edhe në ceremoninë e inaugurimit.

Po kështu thuhet për një Hotel 4-katësh të ndërtuar pa leje pranë rrugës së Durrësit dhe Zogut të Zi që Lali Eri nuk e prishi po e la të mbarojë punimet dhe të filloi të funksionojë . Lali Eri duhet të na shpjegojë, nëse ishte pa leje apo u legalizua me ato lloj legalizimesh që di të bëjë Artan Lame??? Po këtu u devijua edhe rruga e makinave, që të mos bezdisej hoteli me sa duket dhe të kishte një rrugë qorre private.

8. Thuhet për një hotel të ndërtuar pa leje ndërtimi, të legalizuar, dhe që në Gusht 2017 i futi edhe një shtesë anësore 3 kate pa leje në zonën pranë rrugës Xhorxh Bush dhe përballë Toptani Center. Këtë shtesë 3-katëshe Lali Eri e la të ndërtohet pa leje, megjithëse ka vendim prishjeje nuk e prish, por e lë përditë të vazhdojë të kryejë punime pa leje ndërtimi. Çfarë mund të na thotë Lali Eri?
9. Rruga në anë të pallatit të Dritëro Agolli dhe Ismail Kadaresë që dilte nga ish dyqani Flora te unaza e vogël që bëri Lali Eri. Nuk kuptohet pse Lali Eri e mbylli daljen në unazën e vogël para 2 javësh dhe çfarë afere ka ndërmend të bëjë aty. Lali Eri mund të na japë përgjigje.
10 . Po kështu shumë lulishte bile edhe me strehim për alarm nga koha e Enverit janë prishur dhe kthyer në lokale kafene si në unazën përballë Harry Fultz, pranë urës të Bërrylit etj. A mund të na japë përgjigje Lali Eri se çfarë leje ka dhënë dhe si e ka dhënë?

11. Rruga “Bajram Curri” nga Kryqëzimi me unazën përballë spitaleve dhe deri në kombinat.
Lali Eri shet mend se po bën rrugë biçikletash në kongrese e takime në botë, por ato edhe nëse i bën për t’u dukur, heq korsi makinash dhe më tepër korsi emergjence për në spital siç ka bërë këtu apo vite më parë në rrugën Dritan Hoxha në zonën para shkollës së Partisë dhe deri në hyrje të Laprakës për në spitalin ushtarak. Nuk mund të kalojnë në një korsi edhe ambulanca dhe autobusi dhe taksia. Kështu edhe në rrugën në anën tjetër përballë spitalit Nënë Tereza në vend që të kishte fuqi dhe para të prishte ato tre katër ndërtesa që kanë shkelur vijën e ndërtimit dhe të zgjeronte trotuarin duke bërë korsi makinash i bie shkurt dhe zhduk korsi makinash dhe emergjence dhe e kthen në korsi biçiklete. Çfarë dëmi i sjell trafikut, qytetit dhe qytetarëve? Kësaj i thonë prish bucela dhe bëj kënaçe. Si nuk e ndalon kush?! 
12. Edhe Bulevardi i ri është një skandal më vete. Ka bërë më të ngushtë dhe jo në një vijë me bulevardin Zogu i parë sepse më tutje ka bërë një rrugë të posaçme që të futen makinat në parking nëntokësor të Bashkisë që nesër me siguri do jepet me koncesion. Skandal! Ka vënë Bulevardin e ri në shërbim të parkingut nëntokësor dhe jo parkingun në shërbim të bulevardit. Po kështu banorët e zonës kanë mbetur të bllokuar nën dhe, nën nivelin e bulevardit, nga Bulevardi i ri, sepse ka hequr pjesën e rrugës së makinave që ishte aty dhe në të dy anët e saj zhvillohej edhe tregu dhe tani nuk dihet se si hyjnë banorët e tregtarët duke kaluar nëpër labirinte e kafene dhe ngjitur shkallë me këmbë, se me makinë nuk bëhet fjalë. Skandal dhe krim. Thotë do bëhet një studim pjesor, po se kur do zbatohet nuk dihet. Tani aty ndeshesh me një shënim në murin përballë “Rrugë e mbyllur”.
13. Rikualifikimi urban i sheshit Skënderbej. Që nga Maj 2017 që iu inaugurua sheshi deri në Shtator asnjë gramë punë në sheshin para pallatit të Kulturës të rrethuar me stenda dhe banderola. Po kështu në gropën lulishte pas Monumentit të Skënderbeut. Vetëm në Tetor dhe Nëntor ka filluar të punohet diçka.

14. Me siguri ndërtim pa leje te Stadiumi “Dinamo” (Sot stadiumi “Selman Stermasi”). Ka dalë kafeneja “Stefan” përpara përtej fasadës së Stadiumit si konstruksion duke zënë, jo vetëm trotuarin, por edhe një pjesë të rrugës së makinave. A mund të na thotë gjë Lali Eri si e ka lejuar një gjë të tillë dhe si ka mundësi që nuk vepron për të kryer detyrën?

A thua me të vërtetë do t’u japë përgjigje qytetarëve të Tiranës për këto vepra gjeniale që ka bërë Lali Eri? Si zor sepse Lali Eri nuk pranon të intervistohet nga shtypi as të bëjë konferenca shtypi por di të bëjë vetëm CIU CIU para pasqyrës dhe këto CIU CIU Bashkia ia çon të gatshme mediave dhe qytetarëve.

Përditë ndërtohet kudo në Tiranë, ndërtime pa leje dhe askush nuk i ndalon (mjafton një rrjetë jeshile ndërtimi!!!). A do ketë Prokurori që të hetojë, sa ndërtime pa leje kanë përfunduar apo filluar dhe përfunduar në Tiranë që nga momenti që Lali Eri u bë kryetar Bashkie dhe sa po vazhdojnë sot, në këto momente? Po sa kioska ka vendosur pa asnjë kriter dhe pa leje dhe në kundërshtim me ligjin, përfshirë ato që thuhen se i ka një kompani mediatike e madhe me kanale televizive dhe gazetë apo edhe ato kioskat goxha kaba të reja për mbledhje rrobash të përdorura që po bllokojnë trotuaret apo po i ngjiten banesave private me emër GALUTEX shpk, pra jo OJQ për të ndihmuar ata që kanë nevojë. Mos Lali Eri po u bën konkurrencë gaxhijve që shesin rroba të përdorura me një metodë më moderne? Kur bëhet një katrahurë dhe masakër e tillë me ndërtime pa leje në Kryeqytet, po në fshatrat e Tiranës që i ka në administrim Lali Eri kushedi se çfarë katrahure dhe masakre bëhet?
Sigal