Mandati i pestë po troket, por këtë herë me politikan përballë!

633
Nga Agron KAJA
SPECIALE/ Sot FSHF-ja organizon sofrën tradicionale me mediat, për diagramën e punës dhe vazhdimësinë, ja kartolina e gazetës “Telegraf” për Presidentin Armand Duka
MANDATI I PARË
Shkurt 2002-mars 2006

MANDATI I DYTË
Mars 2006-shkurt 2010

MANDATI I TRETË
Shkurt 2010-mars 2014

MANDATI I KATËRT
Mars 2014-mars 2018
Rreth tre muaj para zhvillimit të Asamblesë së Përgjithshme Zgjedhore të FSHF-së, Viti i Ri 2018 ka “dhurata” me diçitura të posaçme, por për Presidentin Armand Duka, fjala “kujdes nga Rilindja!”, nuk të kujton frikë, as trimëri. Si katër herë të shkuara: KUJDES!
Gjatë vitit kalendarik 2017, në futbollin shqiptar ndryshimet kanë qenë të dukshme dhe të prekshme, aq sa në këtë periudhë ai ka provuar skajet e renditjes. Skuadra me më shumë trofe në futbollin shqiptar, Tirana, ka zbritur në Kategorinë e Parë. Por, për herë të parë në historinë e topkëmbës shqiptare, Kukësi u shpall me meritë Kampion për sezonin 2016-2017, ndërkohë që Skënderbeu shkoi deri në ndeshjet e grupeve në UEFA Europa Ligë.
Nëse do të flasim për një institucion futbolli, sot ndjehesh krenar kur hyn në selinë e FSHF-së dhe kur kujton se ku e kishin selinë ata që e dorëzuan stafetën rreth 16 vite më parë, e këtu ndahet nata me ditën në menaxhim e drejtim
Në këtë fundviti, natyrisht që në sportet shqiptare dominon futbolli, edhe pse peshëngritja po shkëlqen me individë dhe kampionë bote në stile të veçanta. Në futbollin shqiptar, ky vit që po mbyllim ka kaluar në rrugë që orientimin e kanë pasur në ngjitje, por mbi të gjitha, ai ka luajtur në të gjitha nivelet e kategoritë, njëherësh është përfaqësuar me dinjitet edhe në Evropë. Këtu nuk është fjala vetëm për klubet, por edhe për Kombëtaret e të gjitha moshave, të cilat gjatë këtij viti kalendarik, kanë qenë aktive në të gjitha kompeticionet evropiane e botërore. Duke qenë se futbolli si matës ka sezonet dhe jo vitet kalendarike, natyrisht që në këtë hapësirë, rol kanë individët në tërësi, dhe Presidenti dhe Administrata e FSHF-së në veçanti. Përpos problematikave që janë shfaqur në këtë hark kohor, të cilat edhe në botën e futbollit të përparuar janë bashkudhëtare, le të themi se jo vetëm gjatë këtij viti, futbolli shqiptar ka njohur progres. Ndoshta është e vështirë që në një rezyme vjetore të mos kalosh edhe te atmosfera ndër vite, pasi ka shumë gjëra që lidhen mes tyre, kryesisht kur e sjell në kujtesë të sinqertë memorien se ku ishte futbolli në vitin 2002 dhe ku është sot, thuajse 16 vite më pas. Dhe parë kështu, këto radhë nuk duhen kuptuar se janë paragrafë avokatie për ata që në punën e tyre nuk kanë nevojë për avokatë, sepse futbolli që luan në fushën e lojës, tashmë përgatitet nga persona që e njohin dhe e dashurojnë atë, pse jo, edhe si një profesion në shërbim të të gjithë komunitet që përmbledh kjo topkëmbë në të gjithë Shqipërinë. Kryesisht, në skuadrat Kombëtare të të gjitha niveleve, gjatë kësaj periudhe kohe thuajse është bërë një revolucion në menaxhim e drejtim, edhe pse fati nuk na ka dashur që të shkojmë më lart se tradita historike në kompeticionet botërore dhe evropiane. Nisur nga Kombëtaret, edhe me ndryshimet e trajnerëve, gjatë këtij viti përfaqësimi i tyre ka qenë në nivelet më optimale, pasi kemi parasysh se janë vënë përballë Spanjës dhe Italisë. Gjatë kësaj periudhe, nuk është ulur interesi për ndeshjet e Kombëtares, dhe tifozë nga të gjitha trevat shqipfolëse kanë sjellë emocionet e tyre sa në Shkodër dhe në Elbasan, ku Kombëtarja i ka zhvilluar ndeshjet e saj zyrtare. Për të vazhduar me futbollin në të gjitha kategoritë e moshat, aty ka pasur nga të gjitha. Lojë, kontestime, rrahje në fushë, dhunë nga tifozët, pretendime zyrtarësh, etje, por futbolli është luajtur duke parë më shumë nga progresi, jo nga elementët e regresit, për të cilët jo vetëm FSHF-ja ka pjesë ndaj tyre. Të gjitha dukuritë vit pas viti, janë pjesë e analizës dhe e këndvështrimeve për kandidimin në mandatin e pestë si President në FSHF, ku nëse kandido, Duka do të ketë përballë një politika karriere, deputetin e PS, Bashkim Fino.
Momenti më i vështirë në krye të FSHF-së, mendoj se kanë qenë përplasjet me qeverinë në vitin 2006, pasi ishte një luftë politike. Futbolli atëherë duhet të hiqte gurët që kishte nën rrota, dhe jo të merrej me punët përkatëse
Momente të bukura ka shumë, por kur Kombëtarja fiton ato ndeshje të rëndësishme dhe ndaj rivalëve të fortë Greqisë, Rusisë, por edhe ndaj Armenisë, mendoj se ishin fitore të rëndësishme për mënyrën se si kanë ardhur 
Asambleja dhe fushata
Në fillimin e vitit të ardhshëm, futbolli shqiptar do të ketë një eveniment të rëndësishëm për ecurinë e tij të mëtejshme, pasi do të zhvillohet Asambleja Zgjedhore e FSHF-së. Në këtë event, një pjesë të rëndësishme e zë edhe zgjedhja e strukturave drejtuese të FSHF-së, ku veçohet ai i Presidentit. Deri tani, të themi tre muaj para zhvillimit të punimeve të Asamblesë, fushata ka filluar mediatikisht dhe jo ligjërisht.
Përballë Finos: E respektoj, kandidimin ta gjykojë ai vetë
Ditë më parë, në emisionin “Top Story”, Presidenti i FSHF-së Armand Duka, ka folur edhe për rikandidimin e tij për një mandat të pestë në krye të institucionit të futbollit, mandej edhe për rivalin e vetëshpallur, politikanin Bashkim Fino. “Kam dëgjuar edhe unë për Bashkimin, referuar anës mediatike, por nuk e kam dëgjuar ende një prononcim të tillë prej tij. E respektoj si njeri, e nëse do të ketë projekte për të qenë këtu, atëherë pse jo. Fakti që është pjesë e një partie politike, është një gjë që duhet ta gjykojë ai vetë dhe Partia e tij, pasi, nëse Partia do ta kandidojë, mirë është ta kandidojë nga Selia e saj. Nuk besoj se PS-ja do të angazhohet në një fushatë sportive, ndërsa unë, më parë se ta marr një vendim për rikandidim, duhet të marr mendimin e gjithë komunitetit të futbollit. Do ta bëj këtë proces diskutimi me anëtarët, dhe ata do të vendosin”. 
Sigal