970 km rrugë “rrumpallë”, që “marrin” 310 jetë në vit

670
Sigal

Kominoshet e Haxhinastos dhe rrugët “hanë” çdo vit edhe 120 milionë euro shpenzime për mjekime, invaliditet e pensione jetimësh…

 Prej 1 viti, në mënyrë sistematike, për të krijuar imazhin e “ministrit merakli, organizator e të suksesshëm” ministri i Transporteve e Punëve Publike, ose më saktë “ministri Rrugëve” Edmond Haxhinasto, del me kollare nëpër tribuna e me kominoshe punëtori nëpër rrugë dhe mban fjalime pompoze për standardet dhe sigurinë në rrjetin e rrugëve nacionale e internacionale në Shqipëri. Detyrën e ministrit, Haxhinasto e filloi me këtë deklaratë: Do ndryshojmë totalisht situatën e sigurisë në rrugët tona, brenda 1 viti nuk do mbetet asnjë metër rrugë nacionale e internacionale pa standarde si në vendet e BE. Nga burime brenda ministrisë, mësuam se ministri “mbush” përherë dosje “punësh të mira”, të cilat ua paraqet ndërkombëtarëve dhe Kryeministrit Rama. Por rrugët shqiptare, janë të mbushura me aksidente, madje, janë rekord në rajon për numrin e madh të aksidenteve dhe të numrit të viktimave në aksidente. Çfarë rrugësh kemi? Përse nuk merr fund “rrumpalla” teknike gjendjes fizike të rrugëve? Kur do marrë fund “Gërdeci” rrugor që po shuan jetë të shumta njerëzish? Sa humbje jetësh shkaktohen çdo ditë dhe sa humbje financiare i kushton shtetit kjo “batërdi” aksidentesh që ndodh nëpër rrugët shqiptare?

 FAKTI/ 80% të aksidenteve i shkaktojnë… rrugët “vrasëse”

Shqipëria, sipas ekspertëve brenda e jashtë zyrave të qeverisë, ka 970 kilometër rrugë nacionale jashtë standardeve dhe me rrezikshmëri të madhe qarkullimi për njerëzit, mjetet dhe mallrat. Bilanci i aksidenteve është alarmues. Nuk ka ditë të mos ndodhin minimalisht 3 aksidente rrugore, 1 prej të cilëve me viktima. Ky fakt tronditës, duket se nuk po “trondit” askënd në qeveri e për më tepër në ministrinë e rrugëve. Përditë ndodhin aksidente nëpër rrugë, përditë mbahen leksione e hidhen citate mburrjeje për arritje standardesh sigurie në transportin rrugor. Edhe pse në kosto ndërtimi dhe në “inventar”, këto 970 kilometër rrugë “vrasëse” figurojnë si “rrugë me standarde si në vendet e BE”, fakti dëshmon të kundërtën. Edhe me një vështrim formal, të dikujt që nuk është specialist, konstaton se rrugët në Shqipëri janë janë ndërtuar e janë katandisur “ku thërret kiameti”. Ministri rrugëve Haxhinasto, bën mirë që harton raporte zyrtare me “bilance suksesesh”, por nuk mund të flasë publikisht për siguri rrugore në Shqipëri, për vetë faktin se 80% e aksidenteve që ndodhin përgjatë rrugëve tona, kanë si “burim” cilësinë e keqe të rrugëve dhe mungesën e standardeve fizike të tyre. Nga bisedat që kam zhvilluar edhe këto ditë me specialistë dhe ekspertë të qarkullimit dhe shfrytëzimit të rrugëve, pranohet që rrugët nacionale e internacionale në Shqipëri janë jashtë parametrave teknik e fizik. Kemi rrugë për të kaluar makinat, por nuk kemi rrugë për qarkullim normal e të sigurt. Mjafton të përmendim aksin Vlorë-Sarandë e sidomos segmentin ku ndodhi tragjedia e Himarës me autobusin e studentëve të Elbasanit. Por ka edhe shumë akse të tjera kombëtare, si rruga Fier-Berat, Tepelenë-Ballsh, Përmet, Këlcyrë-Leskovik, Lushnjë-Berat, Fratar-Ballsh, Gjirokastër-Sarandë, Bushat-Pukë, Fier-Ballsh, Tiranë-Burrel-Peshkopi etj. Kudo sipas “inventarit” të qeverisë, kemi “rrugë nacionale me parametra të larta fizike, teknike, sigurie dhe të kompletuara”. Në fakt, rrugët ku ne lëvizim janë veçse rrugë “dhish” të asfaltuara, jashtë standardeve si ndërtim infrastrukture e funksionalitet, pa korsi, pa mbikalime e nënkalime, pa “trarë” orientues e ndalues në hyrje-daljet komunitare anës rrugëve etj! Pa bërë komente, po përmendim një “tabelë” treguesish skandaloz të rrugëve skandaloze shqiptare.

– Në 80% të gjatësisë të rrugëve nacionale (autostradave) shqiptare, nuk ka as mbikalime dhe as nënkalime, ndërkohë që në akset nacionale, ka 473 nyje ndërprerëse qendrash banimi e lëvizjesh kalimi të detyruara të popullatës dhe hyrje-daljeve të ndërmjetme të njerëzve, mjeteve, bagëtive, mallrave.

– Në afro 60% të gjatësisë së rrugëve nacionale shqiptare, mungon sinjalistika e nevojshme e detyrueshme, për një vetë-menaxhim normal e të sigurt të qarkullimit, prej drejtuesve të mjeteve.

– Në 30% të gjatësisë së rrugëve nacionale shqiptare, tabelat dhe sinjalistika orientuese e qarkullimit është e vendosur në kundërshtim të plotë me kushtet konkrete praktike të orientimit për qarkullim rrugor normal e të sigurt.

– Në 40% të gjatësisë së rrugëve nacionale shqiptare, tabelat dhe shenjat orientuese të qarkullimit, janë të padukshme dhe jashtë përdorimit nga dëmtimet, vjedhjet ose fshirja e figuracionit.

– Në 50% të gjatësisë së rrugëve nacionale shqiptare, sidomos autostradave, madje dhe mbi mbikalime, tabelat orientuese të qarkullimit rrugor janë të mbuluara prej reklamave gjigande të firmave private, të cilat janë ngjitur me paretet anësore të rrugëve, ndërkohë që sipas ligjit duhet të jenë mbi 20 metër larg tyre, për të cilat u bë një aksion i bujshëm simbolik me heqje 3-4 reklamash biznesesh jo qeveritare sa për shou dhe gjithçka u mbyll me një raport zyrtar “suksesi” prej ministrit Haxhinasto.

– Afro 65% e rrugëve nacionale në Shqipëri, janë vetëm me 30% kompletim, siguri teknike e fizike për të qarkulluar normalisht e pa pasoja.

Rrugët “hanë çdo vit” 310 jetë njerëzish dhe 120 milionë euro mjekime, invaliditete, pensione

As rrugët nuk futen dot në “thes” e të fshihet realiteti i tyre, as bilanci i viktimave që shkaktohen nga këto rrugë “vrasëse” nuk mund të maskohet nëpër dosjet zyrtare. Po përmend një fakt. Dje udhëtoja në aksin rrugor: Memaliaj-Tepelenë-Këlcyrë. Rruga Memaliaj Tepelenë, pas 6 vitesh gërmadhë ishte asfaltuar. Por vetëm kaq. Ishte po ajo rrugë si gjerësi dhe siguri teknike, mbuluar me zhavor lumi dhe asfalt mbi ish-trasenë e vjetër. Ishte pa sinjalistikë, pa vijëzimet orientuese, pa kufizime anësore, pa… asgjë. Aksi Lekël-Këlcyrë, vazhdon të mbetet skandaloz. Një rrugë gërmadhë që nuk shqetëson asnjë qeveritar edhe pse deputetë e ministra, sa herë shkojnë në atë zonë, udhëtojnë në atë rrugë për të “plëncat” me mish helli e raki, por jo për të riparuar këtë rrugë. Janë shumë akse të tillë problematikë, ku ndodhin aksidente që marrin jetë njerëzish. Sipas statistikave, çdo vit në Shqipëri bëhen aq aksidente rrugore, sa përveç jetëve të humbura njerëzore, kostoja e tyre totale vjetore arrin shifrën 120 milionë euro humbje për buxhetin e shtetit. Po t’i referohemi raportit vjetor 2013 të Bankës Botërore për Shqipërinë, llogaria rezulton se në Shqipëri, kostoja për 1 vdekje në aksident rrugor është e barabartë me 475 mijë dollarë. Vetëm nga aksidentet në vitin 2013 (310 aksidente) ekonomisë shqiptare i humbën afro 300 milionë dollarë shpenzime e pagesa shërbimesh dhe sigurimesh invaliditeti e pensione jetimësh. Çfarë po ndodh me rrugët dhe qarkullimin?! A ka politika qeverisëse për transportin rrugor në Shqipëri dhe sa reformohen, sa respektohen, sa ndiqen e sa zbatohen detyrimet që burojnë prej tyre? Sipas fakteve, rezulton se në këto 22 vjet politikat e transportit rrugor janë bërë “viktimë” e preferencave klientelite në tenderimet abuzive të rrugëve, në mungesën e një buxheti mirëmbajtës të rrugëve. Politikat e rrugëve, janë bërë edhe viktimë e emërimeve absurde të “baxhoxhinjve” në zyrat e drejtimit të punëve të rrugëve, duke shpërfillur e lënë në rrugë specialistët. Dhe kur miliardat akordohen për ndërtimin e rrugëve me standarde, por përfundojnë në xhepat e “horrave” klientë të njerëzve të pushtetit e politikës dhe kur drejtimin e punëve të rrugëve e komandojnë ata që rrugën e njohin vetëm si asfalt për të kaluar rehat, ndodh ky bilanc tragjik që ka Shqipëria: Në 22 vitet e fundit, janë regjistruar 20 mijë e 642 aksidente me 7726 viktima, me 16 mijë e 543 të plagosur (pa aftësi të përkohshme në punë) dhe me 3097 invalidë, që i kushton shtetit mesatarisht 120 milionë euro shpenzime në çdo vit. Po përmendim një fakt, që tregon se punët me sigurinë rrugore dhe standardet e tyre janë thjeshtë një demagogji publike me konferenca e raporte zyrtare fiktive dhe me mashtrim faktik në terren: Komiteti Ndërministror i Sigurisë Rrugore Shqiptare, ka lënë si detyrë për Autoritetin Kombëtar të Rrugëve, që brenda muajit maj 2014 të përfundonte rrethimin fizik të akseve rrugëve me mangësi sigurie, të bllokonte gjithë pikat hyrje-dalje në rrugët interurbane me kënd 90 gradë dhe të bënte ndarjen e korsive me vijë të drejtë. Këto jo vetëm që nuk janë realizuar, por përkundrazi janë shtuar edhe afro 500 hyrje-dalje të tjera të rrezikshme në rrugët kryesore nga zonat e banuara anës rrugëve.

 Përparim HALILI