71-vjeçari shqiptar që vrapon në të gjitha maratonat e botës

577
Sotir Qiriaqi gjeti shpëtim nga zhgënjimet e jetës duke vrapuar në maratona – tani, në moshën 71-vjeçare ai ka përshkruar më shumë se 20,000 kilometra.
Sotir Qiriaqi ishte 54 vjeç kur filloi të vraponte për t’iu larguar traumave të jetës si rezultat i të qenët pa punë dhe i zhgënjyer në përgjithësi.

Në vitin 1991, ai i hyri politikës pasi ishte në vijën e parë të protestave studentore që rrëzuan sistemin komunist gjysmë-shekullor.

Në një pikë, ai ishte i afërt me lidershipin e Partisë Demokratike të qendrës së djathtë dhe mbajti pozicione pune të lidhura me politikën deri në vitin 2000.

“Në fund e humba punën dhe askujt nuk iu bë vonë. E gjeta veten të zhgënjyer, në depresion, mbipeshë, duhanxhi dhe pa asnjë ide se çfarë të bëja me veten,” kujton ai.

Por kur mbyllet një derë, hapet një tjetër – dhe për Sotirin kjo derë e re ishte 20,000 kilometra larg.

“Fillova të vrapoj nga Liqeni i Tiranës për t’u marrë me diçka dhe për të harruar të gjitha telashet, por shpejt e gjeta veten të varur prej kësaj – si një magnet. U ndjeva si të kisha lindur sërish,” tha ai për BIRN.

Vrapimi për pesë orë në ditë e bëri atë të mendonte rreth institucionalizimit të eksperiencës dhe ai vendosi të mbledhë të tjerë vrapues pasionant për të formuar Klubin Maratona e Tiranës.

Që atëherë, Sotiri, tashmë 71 vjeç, ka marrë pjesë në 117 maratona, me një total prej 3500 kilometrash vrap dhe 18,000 të tjera stërvitje.

Maratona e tij e parë në vitin 2002 në Tiranë ishte 13 kilometra e gjatë, ndërsa e para jashtë vendit ishte në Podgoricë në Malin e Zi në vitin 2003. Më vonë vrapimi e çoi atë në disa vende të Europës, në SHBA, Azi dhe Afrikë.

“Shumë njerëz më shohin në moshë dhe e kanë të vështirë ta besojnë se kam këtë program. Ata janë edhe më të çuditur kur mësojnë se nuk kam qenë një atlet profesional,” thotë Sotiri. “Të them të vërtetën, më shijon admirimi i tyre,” shton ai.

Të qenët i pandalshëm në maratona i ka dhuruar tij shumë adhurues, ndërsa përhapja e eksperiencës së tij të vrapimit në televizion i ka sjellë edhe më shumë popullaritet.

“Ndihem shumë i lumtur kur djem të rinj që aspirojnë të bëhen atletë bëjnë foto me mua dhe ndihem i ndërtuar kur njerëz i bashkohen klubit tonë sepse frymëzohen nga suksesi që kam në këtë moshë,” tha atleti.

Pasioni i tij për të marrë pjesë në maratona ka nxitur një grup biznesmenësh dhe mbështetësish që financojnë shumë nga udhëtimet e tij.

“Në fund, mbaj flamurin shqiptar mbi shpatulla dhe sigurohem të dërgoj një mesazh pozitiv te të rinjtë dhe te ata që janë si unë 17 vjet më parë. I them të qëndrojnë sa më larg të jetë e mundur nga politika dhe të shijojnë gjërat e thjeshta në jetë,” këshillon ai.

Sotiri ka një shaka të preferuar që ua thotë vrapuesve të tjerë jashtë shtetit kur e pyesin si përfundoi duke vrapuar maratona të pafundme.

“I them që fillova të vrapoj dhe të ndihem gjallë sërish pasi lashë një drogë shumë të rrezikshme. Ata çuditen dhe më pyesin se çfarë lloj droge – pastaj i them se hoqa dorë nga politika,” qesh ai.

Pasi u kthye nga një maratonë në Romë e mbajtur më 2 prill, Sotiri po përgatitet për një tjetër në Prishtinë në maj, ndërsa ka planifikuar edhe nëntë të tjera për këtë vit. “Do të vrapoj në maratona për sa kohë të jem gjallë,” thotë ai me krenari.
Sigal