6 vjet në NATO-s, Rama: Meritojmë vendin tonë në tryezën e Aleancës

227
Kryeministri Edi Rama ishte sot i pranishëm në ceremoninë përkujtimore të 6 vjetorit të anëtaresmi të Shqipërisë në NATO. Rama u shpreh se ky përvjetor vjen sot në një kohë kur Shqipëria ka mundësi të mëdha, ndërsa kujtoi se vetëm disa dekada më parë një anëtarësim i tillë dukej i paimagjinueshëm.
“Mirënjohja i shkon anëtarëve të Aleancës së Atlantikut të Veriut, i shkon popujve dhe qeverive të tyre që duke hapur dyert për Shqipërinë i dhanë popullit tonë të drjetën për t’u ndier të barabartë, në një tyrezë me kaq shumë vendimmarrje botërore”, tha Rama. 

Fjala e Kryeministrit Rama për 6 vjetorin e anëtarësimit së Shqipërisë në NATO 
Përkujtimi i përvjetorit të anëtarësimit të vendit tonë në NATO është tanimë një traditë, ndaj dhe unë e kam rezervuar me krenari, përveçse me kënaqësi, kohën për të marrë pjesë, sot, në këtë ceremoni që shënon 6 vjetorit e anëtarësimit të Shqipërisë në Aleancën e Atlantikut të Veriut.
Gjashtë vjet janë sigurisht shumë pak, që gjithkush të mund ta rrokë krejt domethënien e bashkimit tonë me NATO-n, si pjesë e kësaj Aleance unikale të lirisë. Për shumë, anëtarësimi në NATO është një investim i pazëvendësueshëm për sigurinë tonë kombëtare. Për të tjerë, është një rreshtim shumë i arsyeshëm politik në anën e duhur. Ka edhe të tjerë që i bien shkurt dhe mjaftohen me perceptimin e thjeshtë se prania jonë në NATO është diçka e natyrshme dhe pozitive. Ndërkohë që, me kalimin e kohës shtohen edhe radhët e atyre që janë disi indiferentë ndaj këtij fakti, për arsyen e thjeshtë se ky është një fakt që tanimë merret i mirëqenë.
Ndërsa mua, sot, ky përvjetor i anëtarësimit të Shqipërisë në NATO më duket një mundësi që duke përkujtuar një ngjarje, e cila hyn ndër ngjarjet historike të rrugëtimit tonë shoqëror dhe politik, të evokojë rëndësinë e jashtëzakonshme të këtij fakti. Të faktit, të të qenit tonë pjesë e kësaj Aleance unike të lirisë, duke shprehur në radhën më të parë, nderimin më të thellë për të gjithë ata që e bënë të mundur këtë fakt, i cili lejomëni t’jua kujtoj të gjithëve, vetëm një e disa dekada më parë ishte thjesht i paimagjinueshëm.
Sigurisht që, në radhë të parë, mirënjohja e të gjithë shqiptarëve i shkon anëtarëve të Aleancës së Atlantikut të Veriut, i shkon popujve dhe qeverive të tyre, që duke hapur dyert për Shqipërinë, i dhanë popullit dhe vendit tonë, për herë të parë në histori, të drejtën për t’u ndjerë dhe për të qenë të barabartë në një tryezë me kaq shumë rëndësi strategjike të vendimmarrjes botërore.
Shqipëria dhe shqiptarët kudo që ndodhen do të jenë përherë mirënjohës për rolin e jashtëzakonshëm që NATO ka luajtur në historinë e tyre të re, duke i dhënë fund konflikteve dhe luftërave të pafundme në rajonin tonë dhe duke krijuar kushtet e një paqeje të re, edhe ajo e paimagjinueshme vetëm një e disa dekada më parë, ku shqiptarët në Shqipëri dhe në vendet të tjera të rajonit janë sot më mirë se ç’kanë qenë kurrë ndonjëherë, sepse jetojnë në kushte ku dinjiteti i tyre është më lart se çka qenë kurrë ndonjëherë.
Po ashtu, mirënjohje dhe respekt për të gjithë ata që mbajtën mbi supe si shqiptarë dhe si shqiptare barrën e provës. E provës, se Shqipëria e meriton vendin që ka në tryezën e lartë të vendimmarrjes së Aleancës së Atlantikut të Veriut dhe se ashtu siç e nënvizoi pak më parë miku ynë, ambasadori Lu, pavarësisht se është vendi më i vogël i NATO-s, Shqipëria mbetet vendi më entuziast për praninë e vet në të.
Me mijëra ushtarakë i janë bashkuar gjatë këtyre viteve, drejtpërdrejt ose në mbështetje, operacioneve të NATO-s në shërbim të paqes dhe sigurisë së përgjithshme dhe ndër ta ka pasur jo pak që kanë sakrifikuar, me një përkushtim për të cilin nderimi ynë nuk mund të jetë kurrë i mjaftueshëm. Ashtu siç ka pasur ndër ta, që e kanë paguar këtë me një çmim shumë të lartë.
Sot është dita për të kujtuar edhe njërin ndër ta, Feti Voglin, i cili dha jetën duke mbetur përherë një dëshmor i përpjekjes sonë për liri dhe i të qëndruarit tonë në lartësinë e duhur të misioneve për liri të NATO-s, si dhe dëshmi e çmuar e përkushtimit të ushtarakëve tanë në shërbim të lirisë dhe të NATO-s.
Por, më lejoni që, të kujtoj këtu se dhe shumë të tjerë kanë paguar çmimin e tyre, pavarësisht se në heshtjen e tyre, sepse për shkak të reformave të domosdoshme dhe të pashmangshme nëpër të cilat ka kaluar transformimi i ushtrisë sonë, shumë prej tyre janë detyruar ta lënë profesionin e vetëm të mësuar dhe janë kthyer me vështirësi në jetën civile.
Nderim, edhe për ta!
Ky përvjetor i rëndësishëm që zhvillohet jo shumë kohë pas Samitit të Uellsit, na jep rastin që, duke reflektuar edhe rreth përfundimeve të tij, ta hedhim vështrimin drejt të ardhmes së gjithë fushës së sigurisë kombëtare, që shtrihet si pjesë e zonës së sigurisë së përgjithshme që e garanton NATO.
Nga ana tjetër, është fakt i pamohueshëm se sot, gjashtë vjet pas anëtarësimit tonë në NATO, sfidat e Aleancës nuk janë pakësuar, por janë shtuar. Agresioni rus në Ukrainë, destabilizimi në rritje në Afrikën e Veriut dhe Lindjen e Mesme, si dhe valët e reja të një barbarie të dhunshme, në formën më diabolike të terrorizmit, kanë shtruar përpara nesh, si pjesë e NATO-s, por edhe si Aleancë unike e lirisë, një nevojë të madhe për të riorientuar të gjitha politikat dhe përpjekjet, në mënyrë që të përshtatim sistemet e sigurisë në këto kushte.
Shumëkush mendon gabimisht se çka ndodh në Ukrainë, çka ndodh në Afrikën e Veriut, çka ndodh në Lindjen e Mesme, çka ndodh kur valët e terrorit prekin edhe përtej këtyre zonave është, sidoqoftë, larg Shqipërisë, është larg shtëpisë tonë dhe shumë shpesh mendojnë se e gjitha kjo nuk e justifikon atë që ne bëjmë, duke qenë gjithmonë të gatshëm të jemi krah për krahë dhe me çdo çmim me aleatët tanë dhe në krye të herës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ky është një këndvështrim i cili tregon se pse është kaq e rëndësishme që ne të riorientohemi dhe të kuptojmë se ajo çka duket se ndodh larg, në fakt, mund të ndodhë një çast më pas, pikërisht në shtëpinë tonë. Dhe, se ajo çka NATO bën duke u rreshtuar përballë këtyre forcave të errëta që duket sikur vijnë nga thellësitë e shekujve për të kërcënuar jetën dhe botën tonë sot, bëhet pikërisht për të mbrojtur shtëpinë tonë, duke mbrojtur vlerat dhe parimet, të cilat na bashkojnë të gjithëve në Aleancën e madhe të lirisë.
Forcat tona të Armatosura do të vijojnë të jenë pjesë aktive e operacioneve të NATO-s dhe e çdo përpjekjeje për ruajtjen apo rivendosjen e paqes, aty ku NATO dhe vendimmarrja e saj do ta gjykojë të domosdoshme. Por, ato do të angazhohen përherë e më shumë, edhe në dobi të sigurisë së brendshme, të jenë mbështetje të përpjekjes së përgjithshme të shoqërisë për sigurinë. Qeveria do të përmbushë në mënyrë të qëndrueshme gjithë procesin e transformimit dhe modernizimit të Forcave të Armatosura, përmes mbajtjes në vazhdimësi para sysh të angazhimeve tona në NATO, si dhe të ambicioneve tona në fushën e sigurisë.
Të nderuar pjesëmarrës,
Ne i konsiderojmë detyrimet tona në NATO, jo thjesht si ushtarake dhe as si financiare. Anëtarësimi ynë në Aleancë, prania jonë në këtë Aleancë dhe përkushtimi ynë ndaj kësaj Aleance janë pjesë e vlerave të patjetërsueshme që shoqëritë e vendeve anëtare të NATO-s besojnë, mbrojnë dhe promovojnë me krenari.
Për këtë arsye, NATO është mburoja e paçmueshme përballë agresionit të forcave të një barbarie të egër që shfaqet në horizontin e vendndodhjes sonë gjeografike, sepse ato forca kërcënojnë pikërisht vlerat, parimet dhe mënyrën tonë të të jetuarit. Kërcënojnë zgjedhjen tonë të lirë për të jetuar në një sistem demokratik dhe për të ndërtuar një shoqëri të lirive dhe të drejtave të panegociueshme të njeriut. Kërcënojnë një model që për ne nuk negociohet.
Ja pse objektivi ynë është që në kuadër të NATO-s dhe si pjesë e NATO-s, Shqipëria të përmirësojë jo vetëm nivelin e pjesëmarrjes ushtarake, por të gjithë nivelin e përfaqësimit dhe kontributit kombëtar, duke përfshirë politikën, duke përfshirë drejtësinë, duke përfshirë ekonominë dhe mirëqenien sociale, duke përfshirë gjithësinë e bashkëjetesës sonë në këtë vend, në respekt të bindjeve, përkatësive dhe ambicieve e nevojave të gjithsecilit.
Si përfundim, më lejoni të uroj dhe të përshëndes pjesëtarët e Forcave të Armatosura si dhe strukturat e tjera të sigurisë kombëtare, bashkë me të gjithë shqiptarët sot, kudo ku ndodhen, me rastin e përvjetorit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Po ashtu, ta mbyll këtë fjalë, duke falenderuar të gjithë partnerët tanë për gatishmërinë që treguan 6 vjet më parë dhe duke i siguruar se askush, asnjëherë, nuk do të pendohet pse 6 vjet më parë i hapi dyert Shqipërisë dhe bëri që, për herë të parë në historinë e tyre, shqiptarët të ulen si të barabartë në një tryezë me rëndësi kaq madhore për sigurinë e përbashkët të botës ku jetojmë. – See more at: http://shqiptarja.com/skedat/2724/fjala-e-kryeministrit-rama-per-6-vjetorin-e-anetaresimit-se-shqiperise-ne-nato-283143.html#sthash.h8opx6PR.dpuf