20 ditë moratorium pyjesh, Agasi: Janë vendosur 450 milionë lekë gjoba

642
Në vetëm 20 ditë nga hyrja në fuqi e moratoriumit të pyjeve janë vendosur nëntë masa administrative, në total 450 milionë lekë të vjetra. Kështu bëri të ditur kreu i Inspektoratit Shtetëror të Mbrojtjes së Pyjeve, Ergys Agasi.

Ai tha për mediat se vetëm në muajin shkurt në rang vendi janë bërë nga ISHMP 750 inspektime. “20 ditë nga hyrja në fuqi e moratoriumit të pyjeve, 9 masa administrative, total 450 milionë lekë të vjetra. Fokusi kryesor i yni, informimi i komunitetit lokal si dhe grupeve të interesit”, tha Agasi.

Sigal

Ai ka ftuar qytetarët të denoncojnë çdo shkelje në aplikacionin MjedisiIM, i aksesueshëm në çdo celular Android apo iPhone.


Deklarata e plotë nga Kreu i Inspektoratit Shtetëror të Mbrojtjes së Pyjeve, Ergys Agasi
Prej hyrjes në fuqi të Moratoriumit 10-vjeçar të pyjeve, Inspektoriati Shtetëror i Mjedisit dhe i Pyjeve ka intesifikuar inspektimet dhe aksionet blic në mbarë vendin për zbatimin e tij .

Nga strukturat tona, sipas Qarqeve, janë njoftuar subjektet dhe komunitetet për vënien në zbatim të Ligjit Nr. 5/2016 “Për shpalljen e Moratoriumit në Pyje në Republikën e Shqipërisë”, si dhe po punohet për shtimin e masave efikase operacinale, mbi zbatimin e këtij Ligji me efekt pas datës 11 shkurt 2016.

Vetëm në 20 ditë pas hyrjes në fuqi të Ligjit për Moratoriumin e Pyjeve, janë konstatuar 9 shkelje.
U vendosën 9 masa administrative me 50 milionë lekë të vjetra gjobë secila, me një total prej 450 milionë lekë të vjetra.
Rastet e ndaluara janë konstatuar në qarqet: Fier, Elbasan, Lezhë, Tiranë, Korçë (2 raste) dhe Shkodër (3 raste).
Në të gjitha rastet janë sekuestruar 59 m3 lëndë drusore në total.

Pavarësisht inspektimeve të shumta dhe të përditshme në terren, fokus kryesor i punës së inspektoriatit ka qënë informimi i komuniteteve lokale si dhe grupeve të interesit mbi legjislacionin në fuqi dhe masat që duhen marrë në zbatim të tij Krahas zbatimit të moratoriumit të pyjeve, Inspektoriati Shtetëror i Mjedisit dhe i Pyjeve, ka vijuar inspektimet e përgjithshme dhe të vazhdueshme në mbrojtje të Mjedisit . Në shkallë vendi, për periudhën 1 Shkurt – 3 Mars, janë kryer rreth 750 inspektime, nga të cilat për mbrojtjen e gjuetisë 150 inspektime. Për shkeljet e konstatuara janë kallëzuar në Organet e Prokurorisë 4 shtetas, si dhe janë vendosur gjithsej 52 masa administrative, dënim me gjobë në vlerën 482 milionë lekë të vjetra dhe me vlerë dëmi 1,5 milionë lekë.

Përveç gjobave në pyje, janë sekuestruar armë gjahu, duke ndëshkuar autorët për gjuetinë e paligjshme, bimët mjekësore e prodhimet e dyta pyjore. Vijon puna intensive nga ana e Inspektoriatit për proçedurat e ndjekjes ekzekutimit të gjobave.   ISHMP u kërkon gjithë qytetarëve dhe subjekteve, që të zbatojnë moratoriumin 10-vjeçar të pyjeve dhe moratoriumin e gjuetisë. ISHMP garanton se është e vendosur në punën e saj dhe do të vazhdojë kontrollet intensivisht në të gjithë vendin, në zbatim të ligjit dhe në ruajtje të natyrës dhe të Mjedisit.

Gjithashtu, Inspektoriati Shtetëror i Mjedisit dhe Pyjeve ka filluar proçedurat e implementimit të një projekti kombëtar për monitorimin në kohë reale me kamera të të gjitha akseve kryesore të transportit të lëndës drusore, projekt ky që do të jetë funksional brënda verës së këtij viti. Në fund, ISHMP apelon të gjithë qytetarët, median dhe opinionin publik, që të jenë pjesë e denoncimit të rasteve të shkeljes së moratoriumit, duke dhënë kontributin e tyre si qytetarë të këtij vendi përmes aplikacionit “MjedisiIm”. Aplikacioni “Mjedisi IM” është në dispozicion të qytetarëve i aksesueshëm në çdo telefon android apo iphone për të denoncuar në kohë reale cdo shkelje të konstatuar. Mjedisi është një e mirë e përbashkët dhe sfidat që parashtron tejkalojnë çdo mandat politik, ndaj bashkëpunimi komunitet-inspektoriat është parakusht nësë mendojmë të ndërtojmë një të ardhme më të mirë