11 familje të Korçës, prej një viti e gjysmë, të pa dëmshpërblyer për pronat

486
Sigal

Nga Vepror Hasani

Edhe pse ka kaluar pothuajse një vit e gjysmë nga dita e përfundimit të rikonstruksionit të rrugës që del nga Korça në drejtim të Kolonjës, 11 familje të qytetit të Korçës ende nuk janë dëmshpërblyer për tokat e tyre, të cilat u përdorën për zgjerimin e këtij segmenti rrugor. Por jo vetëm kaq, Autoriteti Rrugor Shqiptar edhe sot e kësaj dite vijon të qëndrojë i heshtur pa u dhënë asnjë përgjigje banorëve, që këta të fundit të dinë kur do të dëmshpërblehen. Heshtja që po zgjat në kohë ka bërë që banorët të ndihen të frikësuar për dëmshpërblimet e tyre, pasi nga ana e institucioneve përgjegjëse për të ofruar zgjidhjen nuk po tregohet asnjë shenjë serioziteti, dhe këtë gjë ata e shohin si një diçka të keqe. Ajo që vihet re në gjithë ankesat e tyre, tregon për humbjen e besimit ndaj autoritetet shtetërore. Humbja e besimit rrjedh edhe nga fakti se ata i kishin dhe i kanë pronat e tyre me dokumente të rregullta, ndërsa ARRSH-ja nga ana e vet, nuk u ka ofruar banorëve ndonjë dokument, e cila të shërbente si garant për dëmshpërblimet, të paktën kështu shprehen 11 familjet. Ata, edhe pse nuk e thonë hapur, kanë përshtypjen sikur janë vjedhur.

Ishin shumë korrektë kur na morën tokat

11 familjet që gjenden në dalje të qytetit të Korçës përgjatë segmentit rrugor Korçë-Kolonjë, pohojnë se drejtuesit e Autoritetit Rrugor Shtetëror ishin jashtëzakonisht korrektë kur na kontaktuan për të na marrë pronat, me qëllim zgjerimin e rrugës. Verifikuan në vend, nëse pronat i kishim me dokumente të rregullta ose jo dhe kur u bindën për rregullsinë e tyre na premtuan dëmshpërblimin. Korrektësia e tyre na bëri të ndiheshim mirë, sepse i tillë duhet të jetë shteti, serioz dhe korrekt në marrëdhënie me qytetarët e vet. Mirëpo me t’u larguar nga Korça, gjithë komunikimi i mirë pësoi përmbysje. Kemi gati një vit e gjysmë që presim të na dëmshpërblejnë dhe asnjë përgjigje nuk po marrim. Mungesa e Korrektësisë nuk mungon as në marrëdhëniet me njëri-tjetrin, gjë që nuk duhet të ndodhë kurrsesi me qeverinë. Ndihemi të zhgënjyer, thonë ata. Sipërfaqja totale që na mori ARSH-ja është e konsiderueshme, dikush ka 200 metra, dikush 250-300 apo dhe më shumë, por pavarësisht nga kjo, qeveria duhet të na kish dëmshpërblyer në kohë dhe me korrektësi, që vërtet të ndihemi qytetarë të nderuar të këtij vendi, pasi në rastin tonë ne jemi të nëpërkëmbur, dhe të harruar prej autoriteteve qeveritare. Kur nuk paska lekë shteti, atëherë si mund të kemi ne që jemi gjithë jetën hallexhinj.

Nuk dimë ku të ankohemi

Kryefamiljarët e 11 familjeve, kanë përshtypjen se kanë mbetur në udhëkryq dhe nuk dinë çfarë të bëjnë. “Nuk dimë kujt t’i drejtohemi, – na thonë ata. Kemi vajtur në Bashki, por ata na thonë se dëmshpërblimin duhet të na i bëjë qeveria, por qeveria nuk na jep asnjë përgjigje. U bë një vit e gjysmë që ka përfunduar rruga, ndërsa ne nuk dimë asgjë: Nuk dimë sa metra katrorë na kanë shënuar, nuk e dimë me çfarë çmimi do të na e paguajnë, nuk dimë sa do të jetë shuma që do të marrim. Ne nuk ishin kundër rrugës, zgjerimi i saj ishte i nevojshëm, por ama, atë që na morën tokën të na i dëmshpërblejnë. Ndaj me këtë rast ju bëjmë thirrje autoriteteve qeveritare, veçanërisht Autoritetit Rrugor Shtetëror që të na dëmshpërblejë sa më parë që të jetë e mundur. Pronat tona nuk ishin të përfituara nga ligji 7501, por prona të rregullta të hipotekuara, Pra, ato ishin troje dhe duhet që qeveria të na i dëmshpërblejë si të tilla. Shpresojmë që të kemi një përgjigje sa më të shpejtë, që së paku te heqim prej shpirtit tonë, ankthin që na ka pushtuar prej një viti e gjysmë. Ç’të themi tjetër?!”