Vepror Hasani: Poeti Skënder Rusi, poet lirik edhe në kohë të vështira

453
Sigal

Moikom Zeqo: Skënder Rusi,  poet i mirëfilltë, i  identifikueshëm qartë

Dritëro Agolli: Poeti Skënder Rusi, poet lirik edhe në kohë të vështira

Biseda me poetin e mirënjohur  Skënder Rusi nga Korça nisi paksa çuditshëm. Ai tha se i donte edhe gjarpërinjtë, madje të gjithë llojet e zvarranikëve që kishte parë në këtë planet, e donte edhe qenin që kafshonte fshehurazi, donte ta kishte mik edhe varrmihësin e tij, i donte edhe njerëzit që në shpirtrat e tyre kishin ligësi, i donte edhe të gjithë ata që e kishin qëlluar me gurë!.. Ndihej qartë që në zërin e tij kishte sinqeritet dhe dhimbje. Ai po m’i numëronte gjithë dashuritë e tij, por unë nuk isha i sigurt nëse e kisha kuptuar drejt ose jo. Me ato që po më thoshte kishte filluar të më ngjasonte me një perëndi, madje po më kujtonte thënien: “Fali o zot, se nuk e dinë çfarë bëjnë”. Ishte ky njeri që i falte të gjithë, që nga zvarranikët  e deri tek varrmihësit e tij. Me siguri që ishte i tillë.

Vetë poeti i madh Dritëro Agolli do të shkruante: “Poeti Skënder Rusi edhe në periudha të vështira, ka ditur që të jetë poet lirik i hollë, një poet që mediton, që shqetësohet për të gjitha gjërat që ai sheh dhe dëgjon; që di të vërë përballë natyrës njeriun, poetin vetë, që dhimbjen e kupton si një domosdoshmëri për njeriun. Prandaj kjo dhimbje që prêt shëruesin është një gjë e fuqishme në poezinë e tij”. Po, nuk ishte e vështirë të kuptoje që në shpirtin e tij banonte një dhimbje e madhe poeti.

Kush kryqëzohet me poetin o bëhet Krisht, o bëhet shkrumb

Dhe ndërsa ai më fliste për gjithë dashuritë e tij, befas m’u kujtua një nga poezitë e tij:

Të lutem, hiqe kremin vishnjë të buzëve,

që të të ndjej kur të të puth,

kush kryqëzohet me poetin,

o bëhet Krisht, o bëhet shkrumb.

Të lutem, hiqe najlonin rozë të natës,

që mes nesh mos ketë asgjë pa shpirt.

kush kryqëzohet me poetin

o bëhet shkrumb, o bëhet Krisht.

Të lutem, erdhi çasti të shuajmë qirinjtë.

U ndezën zemrat. Mjaft tani!

Kush kryqëzohet me poetin

o bëhet Krisht, o perëndi.

 

Këtë poezi, por edhe të tjera i kisha dëgjuar të recituara nga aktori i madh shqiptar, Timo Flloko dhe që nga ai çast nuk e di pse, por nuk i kisha harruar asnjëherë. Ndoshta nga që ato vargje dhuronin mirësi për të gjithë, edhe për zvarranikët e varrmihësit. Diku në vargjet e tij thuhet:

 

Ti nuk më do, s’ka gjë, të dua unë.

Jam mësuar të jap dashuri që s’më kthehet…

 

Ai qëndronte larg dhe afër gjithçkaje, ndoshta ishte i pakapshëm dhe i paprekshëm prej tyre. Në një poezi tjetër të tij thotë:

Jam bir i yjeve që s’vdesin,

 planet që trajektore s’njeh,

unë qesh dhe zgjoj universin,

nga gjumi, diellin, unë e ngre.

 

Në Mars, me të unë pi konjak,

kafen e pi në Jupiter,

te Kashta e Kumtrit çlodhem pak,

me dorë arushat përkëdhel….

Po cila ishte vallë jeta e tij? Ku e kishte zanafillën kjo dhimbje, kjo falje e madhe dhe kjo mirësi që nuk shteronte në shpirtin e tij? Megjithatë nisi të më rrëfente jetën e tij… Pse Dritëroi kishte thënë: “Skënderi ka ditur të jetë poet lirik edhe në ditë të vështira”?

Vendlindja

Kam lindur në Vishocicë të rrethit Devoll, kështu e nisi rrëfimin e tij poeti i lirikave të mirënjohura, Skënder Rusi. Shkollën 8-vjeçare e përfundova në fshatin tim, me nota të shkëlqyera. Nuk e di, por leximi i librave më ka pëlqyer që në fëmijëri. Ndërsa kisha lexuar librin e parë, më pas ndjeva se nuk do të ndahesha dot prej tyre. E njëjta gjë ndodhi edhe kur isha nxënës në gjimnazin e Bilishtit. Në ato vite shkrova vjershën e parë. Kisha rënë në dashuri me poezinë. Me përfundimin e shkollës së mesme, në vitin 1969 më dërguan në Institutin e Lartë Pedagogjik në Shkodër, dega gjuhë – letërsi. Gjithnjë kisha pasur dëshirë të studioja në Tiranë, por kjo nuk ndodhi, sepse dikush me kishte gjetur “një cen” në biografi. Përgjatë gjithë viteve të komunizmit kjo “njollë” nuk do të më ndahej asnjëherë. Në të vërtetë njerëzit me biografi të keqe nuk ishin njerëz të mi të afërt, por gjithnjë do të m’i konsideronin si të ishin xhaxhallarët e mi. Kudo që të isha unë, atje do të më vinin edhe letrat që spiunonin biografinë time. Ajo çka po ndodhte kishte filluar të më lodhte. Nuk isha aq i rritur sa të dija si t’i përballoja ato. Më duhej që çdo gjë të tillë ta kapërceja me dhimbje. Atëherë nuk e kuptoja përse ndodhte kështu, kush ishin ata që shkruanin letra dhe përse duhej të sulmonin me mijëra mënyra e mijëra intriga?

Skënder Rusi e ndërpret një çast tregimin e tij, ndërsa mua më kujtohet një nga poezitë e shkruara nga vetë ai:

 

Kam marrë vesh

se jeni bërë dimra kundër meje,

miqtë e mi, që ju kam dashur më tepër.

Po kjo nuk është shkak për të vrarë veten.

Kjo është normale në një botë të egër.

Nuk e ka fajin Shekspiri që krijoi Jagon,

as Gëtja për Mefistofelin nuk ka faj.
Nëse ka pasur një Salier të neveritshëm,

kjo ka ndodhur se ka pasur një Moxart.

Okej, më mirë me ca ‘miq’ më pak!

 

Poezi të tilla janë krijuar më vonë, por ato mbartin të kaluarën e tij, ndoshta edhe

mbeturinat e asaj kohe në ditët e sotme.

Ndërsa miku i tij, Moikom Zeqo ka shkruar:

“Skënder Rusi është një poet i mirëfilltë. Kjo i vetëmjafton, sepse nuk është pak të jesh i tillë: i identifikueshëm, i qartë. Sidomos sot në kaosin e poezisë formaliste pa gjendje poetike dhe pa shpirt”.

Miqtë  
Tregimi i Rusit nis sërish: Pas shumë sulmesh të tilla, në vitin 1971 botova poezinë e parë te gazeta “Jeta e Re” në Shkodër dhe disa shkrime kritike në gazëtën “Drita” Po atë vit shkrova poezinë “Pranvera”. Ishte një pranverë e çuditshme, sepse ishte brenda një pranvere që nuk ekzistonte. Në vitin 1972 botova një cikël me poezi në faqen letrare te “Zëri i Rinisë”. Mbaj mend që u prit shumë mirë. Ato poezi më dhanë mundësi të njihesha me botën letrare, por edhe të njihesha me miq të rinj. Edhe pse nuk isha i bindur se sulmet ndaj meje nuk kishin përfunduar, bashkë me dy miqtë e mi, Visar Zhitin dhe Simon Vrushon që deri atëherë kishim përkthyer fshehurazi poezitë e Jevtushenkos, nisëm të shkruanim një antiroman. Dëshironim të sillnim një përmbysje të krijimtarisë së atëhershme. Edhe sot kur e kujtoj më duket se ka qënë thjeshtë një marrëzi që do të na kishte kushtuar shtrenjtë. Antiromani nuk u shkrua kurrë, sepse ishte e vështirë të realizohej nga tre autorë njëherazi. Ndoshta ishte fati ynë që ndodhi kështu. Ashtu si edhe më parë vazhdonim të përkthenim fshehurazi Jevtushenkon. E megjithatë sikur të mos mjaftonin të gjitha këto, në vitin 1973, pas dështimit me antiromanin, dërgova në shtëpinë botuese ‘Naim Frashëri’ në Tiranë librin e parë poetik, ‘Etja’. Përgjigja që mora ishte shokuese. Libri m’u kthye për gabime ideologjike. Gjithnjë kisha kujtuar se libri do të mund ta kalonte censurën, por nuk ndodhi ashtu. Për herë të parë ndjeva frikë. U bëra gati të prisja pasojat. Kisha nisur ta përfytyroja veten me duar të prangosura. Njerëzve të regjimit nuk mund t’u kalonte asgjë. I trembur prej gjithçkaje, braktisa provimet dhe u nisa drejt Tiranës. Gjendesha në një pozicion të vështirë. Në Tiranë u takova me redaktorin tim, Vehbi Skënderin. Ishte ndihma e tij që më nxori nga kjo situatë. Nuk kam për ta harruar kurrë. Nuk do të harroj kurrë as ndihmën e shefit të shtëpisë botuese ‘Naim Frashëri’, Dhimitër Fullani. Atëherë kuptova se njerëzit e mirë janë edhe miq të mirë.

“Vila ime”

Pas tregimeve për miqtë e tij, poeti Skënder Rusi më tregoi edhe për gjarpërinjtë, por edhe  si kishte jetuar me ta. Pas përfundimit të studimeve të larta më caktuan të punoja si mësues në Gurakuq të Librazhdit, më vendosën në një bodrum, i cili kishte vetëm një dritare 20 cm x 20 cm, krejtësisht i mbyllur, më ngjante me një lloj burgu. Edhe ajo hapësirë e vogël ishte e zënë me ristela dërrase. Atë ditë do ta kuptoja më mirë se sulmet ndaj meje nuk kishin mbaruar, sepse nuk po na trajtonin si njerëz. Gjithnjë do të gjendej dikush që do të kujtonte biografinë time, librin e kthyer nga shtëpia botuese, kritikat ndaj meje për gabime ideologjike, ndoshta edhe për përkthimet fshehtas të Jevtushenkos, ndoshta edhe për tentativat e shkrimit të një antiromani. Ata nuk e kishin të vështirë të të thurnin intriga dhe kurthe. Nxënësit e mi, por edhe banorët e fshatit më vështronin me keqardhje teksa më shihnin të humbisja në atë ndërtesë të thellë si galeri. Befas një ditë në bodrumin tim hyri sekretari i parë i rrethit Librazhd. Pasi vështroi gjithandej më pyeti: Mësues Rusi, si të duket dhoma? E mirë, ia ktheva, është ca e vogël, po do më nxërë. Kam vetëm një vërejtje, këto ristelkat e dritares të m’i bënit prej hekuri’. Atë çast e kuptova që kisha thënë atë që nuk duhej, por vetëtimthi mendova nëse mundesha ta ktheja në shaka. “Pse”, më pyeti ai.  “Sepse di që kjo zonë ka shumë egërsira”, iu përgjigja. “Po ku e nxë ujkun kjo dritare!”, ma ktheu sekretari. Ndenji edhe pak dhe doli, ndërsa unë mbeta brenda “vilës” time. Isha i sigurt se sekretarin e kishin sjellë aty spiunët dhe sigurimsat. Sërish kishin filluar të më sulmonin … Dikush nuk harronte ‘njollën’ time në biografi…”. Ndërsa Rusi u shkëput një çast nga tregimi i tij, mua sërish m’u kujtua një poezi e tij, e titulluar “Ky jam unë”, ku thotë:

 

Tërë jetën më keni sulmuar,

unë prapë atje, në shtëpinë prej xhami,

nga gurët që keni hedhur mbi mua,

ka marrë plagë edhe ajri…

Tërë jetën më keni sulmuar,

keni lëshuar mbi mua vetëm dimra..

Dhe është aq e shëmtuar ardhja juaj,

siç ka për të qenë edhe ikja!.

Gjarprinjtë

Nuk do të kalonte gjatë, vazhdon tregimin e tij Skënder Rusi, kur më lajmëruan se duhej të transferohesha në një shtëpi tjetër. Më çuan në një magazinë misri 20 metra të gjatë dhe 6 metra të lartë. Nuk kishte zjarr që ta ngrohte atë ndërtesë. Ishte një ndërtesë e shëmtuar dhe e frikshme. Kishim në dispozicion vetëm nga një dyshek kashte, të cilët i vendosnim mbi disa gurë që i kishim sjellë nga varret e fshatit. Kjo është “vila” ime e dytë, mendova. Gjithçka ishte e qartë, ditët e mia nuk do të ishin më të bukura. Ishte dita e parë që do të vendoseshim atje. Bashkë me mua do të qëndronte aty dhe një mësues tjetër, Skënder Zhari. Ishte mbrëmje. Kur do të kthehesha te magazina, një nxënës më doli përpara dhe me tha, “Mësues, ki kujdes se në atë magazinë jetojnë gjarpërinjtë”. Të them të drejtën edhe e besova edhe nuk e besova, por në orët e vona të natës unë dhe Zharri dëgjuam një fëshfëritje të fortë, një fërgëllime, një zë që i ngjante vërshëllimës. Gjarpri kishte dalë nga strofkulla e vet. Edhe të nesërmen isha i tmerruar nga ajo çfarë kishte ndodhur. Disa na thanë të mos kishim frikë se gjarpri ishte gjarpër shtëpie dhe nuk helmonte, ndërsa të tjerë na thanë të ishim të kujdesshëm. Nuk kishim ku shkonim tjetër. Ndoshta ishte koha kur duhej të jetoje bashkë me gjarpërinjtë, tregon Skënder Rusi.

Bastisja

“Befas në “vilën” tonë hynë disa njerëz  dërguar nga Dega e Punëve të Brendshme të rrethit Librazhd. Misioni i tyre kishte qenë të gjenin poezitë e shkruara kundër regjimit popullor. Kontrolluan kudo, nxorën kashtën e dyshekut, hoqën gurët që kishim sjellë nga varret e fshatit, por nuk gjetën asgjë. Ikën ashtu siç ikin zvarranikët. Ndoshta i kisha shpëtuar ndëshkimit edhe kësaj radhe, më thotë Rusi duke më treguar krijimet e fshehura të asaj kohe dhe përkthimin e vjershave të Jevtushenkos, të cilat i ruan që prej shumë vitesh. Më tregoi madje edhe letrën e shefit të shtëpisë botuese, “Naim Frashëri” Dhimitër Fullanit për gjithë peripecitë që kishte hequr dhe ndihmën e tij të paharueshme. Në atë kohë ai sapo kisha botuar librin e parë poetik, “I njomë ishte bari” rrëfehet Skënder Rusi Ndërkaq mua më kujtohet një thënie e poetit Dhori Qiriazi, i cili ka shkruar: “Poezitë e Skënder Rusit i ngjanë një ditari plot gëzime dhe dhimbje, plot shqetësime dhe pagjumësi… Kudo dallon ndjenja fisnike e poetit dhe një shmangie e kulturuar e banalitetit që haset shpesh te disa poetë të dështuar te ne”.

Sërish ata
Pas ardhjes së njerëzve nga Dega e Brendshme e rrethit situata ishte rënduar edhe më shumë, tregon dhimbjet e tij poeti Rusi. Nuk kisha asnjë ide se si do të shkonte më tej jeta ime. Pikërisht në këtë çast tmerri përsëri u gjend një njeri i mirë. Ishte shefi i arsmit të Librazhdit, Hasan Duma. Mbaj mend kur më thirri në Librazhd. “Skënder, më tha ai, kam vendosur të transferoj  në Korçë. Ti nuk duhet të qëndrosh më këtu. Ndoshta atje do ta kesh më të lehtë”. Nuk dija si ta falënderoja. Ndoshta që nga ajo ditë do t’u shpëtoja kafshimeve fshehurazi të qenve, zvarranikëve, por edhe  varrmihësve. Nisa punë në rrethin e Devollit. Ishte viti 1975. Fillimisht punova si mësues  në fshatin Rakickë dhe më pas në fshatin tim Vishocisë. Për gati 5 vjet nuk pata asnjë shqetësim, por ditën që morën vesh se gazeta “Drita” më kishte dhënë çmimin e dytë për poezi, armiqtë e mi më kishin shpallur sërish  luftë. Dosja ime kishte mbërritur në Korçë që para se unë të mbërrija aty. Kjo gjë më dëshpëroi edhe më shumë, ndjeva dhimbje. Pata përshtypjen se nuk do të shpëtoja dot kurrë nga kafshimet fshehurazi, sado larg që të ikja nga Librazhdi. Fjali e fundit e shprehur nga Skënder Rusi më solli ndërmend një poezi të tij të titulluar, “Qentë”, ku thotë:

 

Kam vënë re se ditë për ditë,

në këtë qytet po shtohen qentë.

Një “ham” këte/, një “hum” andej,

dhe sidomos ku ka poetë.

Sa janë mundur të më kafshojnë.

Sa me dredhi, sa me pusi.

Të mjerët qen si s’e kuptojnë,

të fshehtën që veç unë e di.

Si s’ma mësuan dot sekretin,

se vetëm ballë për ballë humbas,

se jam poet, ta hajë dreqi,

e nuk jam qen që ha nga pas.

Dramaturgu

Gjithnjë kisha ëndërruar të shkruaja një dramë dhe së fundi ia kisha dalë mbanë. Teatri ‘Andon Zako Çajupi’ në Korçë e vuri në skenë. Drama “Dikush hyri  mes nesh” mori pjesë në konkurrimin kombëtar dhe u vlerësova me çmimin e dytë. Mbaj mend që ajo mbrëmje ishte një nga mbrëmjet më të bukura të jetës time. Të gjithë më uronin për çmimin e dramës. Kur gjendesha në kulmin e lumturisë time, më takoi një njeri i afërt me pushtetin popullor të asaj kohe dhe me tha, “Skënder, urime për çmimin e tretë”. “Jo i thashë unë, kam fituar çmimin e dytë”. “Megjithatë unë po të uroj për çmim të tretë”, më tha prapë ai dhe iku. Të nesërmen  në gazetën ‘Drita’ unë mora vesh se kisha marrë vetëm një çmim inkurajues. Gjithçka ishte rrëzuar brenda natës. Njerëzit e regjimit kishin dhënë vlerësimin për mua. Unë isha ai njeriu i keq me “njollë” në biografi. Pas çdo fitoreje shpërblehesha me vetëm me dhimbje. Në këtë çast një poezi tjetër e tij më vjen ndërmend ku thotë:

 

Unë të dua, jo se je e bukur,

por sepse të urrejnë të gjithë.

Dua të marr mbi vete,

gjysmën e urrejtjeve të tua,

mëkatet, marrëzitë.

O Zot dua të jem sadopak i çmendur,

në këtë botë të trishtë…

Kështu do të vazhdonte jeta ime deri në vitet ’90, vazhdon rrëfimin e tij Rusi. Pas kësaj do të ndihesha krejt ndryshe. Do të fillonin udhëtimet e mia në Rusi, Egjipt, Itali, Greqi, Bullgari, Rumani, por ajo që më la krejt të habitur ishte Rusia. Parqet dhe lulishtet e saj ishin të mbushura me buste shkrimtarësh dhe poetësh, ndërsa në Shqipëri i vrisnin.

Nëna ime

Sa herë gjendesha keq, më kujtohej nëna ime, Emineja. Ajo më shfaqej befas dhe më pyete, ‘Si je bir?’, ‘Përse lodhesh kaq shumë?’, ‘Çfarë të shtyn të rrish gjithë ditën mbi libra?’, Dhe ashtu në përfytyrimet e mia i përgjigjesha, ‘Nënë, librat më janë bërë të nevojshme si ajri, kam dashur t’i braktis, por asnjëherë nuk kam mundur’. ‘Nëse do të isha arrestuar ndonjëherë, vetëm dhimbjen e nënës nuk do ta kisha përballur dot kurrë’, thotë poeti Skënder Rusi, duke përfunduar edhe tregimin e tij. Ndërsa mua si gjithnjë, më kujtohet një poezi e tij, shkruar për nënën

 

‘Gjithnjë po bëhesh me e krrusur,

sikur po i afrohesh tokës.

Unë jam atje në sytë e rrudhur,

ku është fillimi i gjithë botës.

Gjithnjë po bëhesh më e vockël,

ku e ke future gjithë atë shpirt?

Si hënë e ngrënë brenda dhomës,

mbi kokë më ri edhe më ndrit.

Gjithnjë po bëhesh më e lehtë,

mos ke ndërmend që të largohesh?

Më bëj një shenjë e ngjitem vetë,

qiellit t’i them që do vonohesh…

 

Ky ishte rrëfimi i poetit të talentuar Skënder Rusi