Mos ma helmo hidhëshëm me vrerin tënd shpirtin
Kosovën s’ma merr dot moj e keqja bushtra plakë.
A nuk e di se zjarrin për liri më parë se të ma fikin
në këtë tokë, por dhe në qiell do ta ndezim flakë ?!
Çfarë bëre moj e marra pa fund, me fëlliqësirat e tua?
Si mundet kështu shqiptari, një trup i ndarë në dy pjesë?!
Një kufomë të gjallë pa shpirt, vallë përse e ç’mund ta dua?
Me këtë turp jo nuk mund të rroj dot, më mirë le të vdesë!
Më buzëqesh prej Brukseli, mbushur plot bordello,
se trupin e ndarë Evropa, do të ma ngjallë përsëri…
Unë Kosovën time e kam nuse të bukur e me vello
dhe jo “shtet” në krevatin tënd, për epsh’ e kurvëri!
“Sa shumë në shekuj u lodhe e sa shumë bëre për mua”!
Së fundi brohorite gëzueshëm : Ja e shikon ju bëra shtet !
Kjo si armiqtë, më shumë se shqiptar në fakt më ka mohuar
E çfarë ndryshimi na paske dhe ti, prej Milosheviçit vet?
Dikur në Londër i mblodhe Ambasadorët një ditë mëngjesi
teksa Isën i Boletinajve e ule nën shandanët plot shkëlqim.
Po, nga ta dije ti rrospi, se me koburen ngjeshur fort, për brezi
me armë në këmbë të gatshëm kishe aty gjithë Atdheun tim?!.
Prandaj në të lashtën tokë, kufij s’vendosin dot as dishepujt:
të gjitha trojet nëpër suferinë, rendën së bashku për liri.
Por nëse një ditë do t’i shohim në sy, trimërisht dhe shekujt
do themi nuk njohim flamur e shtet Kosovë, por NËNËN SHQIPËRI