Suplementi Pena shqiptare/Xhevahir Spahiu, Poeti i Madh i Dashurisë dhe Rebelimit

560
Sigal

Nga Hyqmet HASKO

Në përvjetorin e shtatëdhjetë e katër të lindjes së një poeti, një poeti të vërtetë që bëri epokë me estetikën dhe artin e tij, të bashkëshoqërojnë shumë ide e mendime, por ajo që formësohet si trajektore sunduese, është mirënjohja që lexuesi, brezat dhe koha duhet të kenë për veprën e tij.
Për poetin e shquar Xhevahir Spahiu janë shkruar qindra shkrime publicistike e artikuj kritikë, janë shkruar disa libra monografikë e letrarë, janë bërë studime reflektuese e krahasuese, duke bërë që tash pesëdhjetë vjet emri i tij të jetë- një ikonë e poezisë dhe letrave kombëtare shqiptare.
Me emrin e Xhevahir Spahiut lidhet një kulmim i letrave poetike aty nga vitet ’70, kur një zë i fuqishëm, spontan, i vërtetë, plot ritme dhe figura të përndezura nga folku i Jugut, të përpunuara me shije të hollë në daltën e një poeti unikal, një zë unik, tronditi peizazhin e qetë dhe gati monoton të poezisë së re shqiptare.
Ardhja e Spahiut në letërsinë shqipe ishte një ogur i mirë për këto letra, për atë kthesë që do të synonin të merrnin letrat tona kombëtare nën trysninë e doktrinës së kohës, duke synuar një çlirim të mundshëm me mjete dhe mundësi gati të pamundura.
Spahiu që vinte nga një trevë eposi e Jugut, nga Tepelena e erërave dhe patosit të historisë, do të sillte me vete frymën e një poezie ndryshe që, edhe pse u shkrua në kushtet e kufizimeve të kohës, prapë u bë një harpë lirike plot freski e lezetime në muzgun e ngrysur të një kohe të vështirë.
Xhevahir Spahiu me këngën e tij unikale, padashur do t’i binte ndesh murit të ngrysur të kohës, murit ku e vërteta përplasej e bëhej copë copë nga një frymë agjitative e ngritur në sistem dhe e futur me përdhunë deri tek fryma e shkrimit poetik, por që tek një natyrë kurajoze dhe rebele si ajo e Spahiut, do të gjente një shmangie të rrezikshme nga sinorët e asaj që mund të themi se qe kthyer në një traditë ilustruese e realitetit në të gjitha zhanret dhe llojet letrare e artistike, por veçmas në poezi. Kjo do t’i sillte jo pak kokëçarje poetit, kori i servilëve do të mallkonte me nëma homerike, dishepujt me mantele të kuq do të hidhnin mbi të lumin e vërshyer të kritikave dhe masave që i bashkëshoqëronin ato, por poeti nuk do të thyhej: Poezia e tij rebele do të njihte hapësira të reja shpërthyese dhe akti antikonformist i poetit dhe gazetarit të ri do të linte gjurmë akoma më të thella në kohë.
Vetë Diktatori do të merrej gjatë me një poezi të Spahiut, ku e akuzonte poetin për frymë ekzistencialiste, formaliste e moderniste e kaq do të mjaftonte që herezia e fanatikëve nga piramida në bazë, nga Komiteti Qendror deri në organizatat bazë të Përmetit ku e kishin çuar për ta “edukuar në gjirin e masave” të shpërthente furishëm dhe dashakeqësia ndaj poetit të talentuar të projektonte ferrin që vinte nga e ashtuquajtura famëkeqe, “luftës e klasave”.
Me ndikim nga ekzistencializmi i Sartri-t, ia kritikuan poezinë “Jetë”, e cila e pa dritën e botimit për herë të parë në revistën “Nëntori”. Por pas kritikave të 9 janarit të motit 1973, të as më shumë e as më pak, por vetë kreut të shtetit asokohe. U detyrua ta tërheqë dorëshkrimin e librit “Bota ku eci”, në heshtje. E po në heshtje e vajtoi poezinë, krijesën e tij, e cila nuk do të ishte në botimin që doli pesë vite më pas. Nuk e kish njohur Sartre-in asokohe e nuk ishte puqur me filozofinë e tij, por koha i bën njerëzit e mëdhenj të mendojnë njëlloj, të revoltohen njëlloj. Mohimi i së drejtës për të botuar do i shfaqej shpesh në shtegun e tij. Mohimi i fjalës për poetin, është si t’i mohohej e drejta e jetës. Antikonformist i patundur. Edhe “Poezia” ishte një tjetër krijim i Spahiut që ndjeu fshikullimën e sistemit. Thanë se e kish shkruar enkas kundër diktatorit. Në librin “Sfidat e poetit” të autorit Nuri Dragoj, dëshmohet e vërteta tronditëse se Nexhmije Hoxha informohej për çdo lëvizje, në pritje të ndonjë hapi të gabuar të poetit dhe porosiste që të mos i jepej asnjë post. Sipas të njëjtit autor, thuhet se për poetin ishte bërë gati, madje edhe dosja e arrestimit. Nuk pati kurrë ndonjë post, por fati deshi që poeti të ishte mes nesh, gjatë…
Pas botimit të vëllimit të dytë me poezi “Ti qytet i dashur” në vitin 1973, ai nuk do të botonte për katër vjet rresht, për t’u rikthyer me një libër metaforik si “Vdekja e perëndive” më 1977. Nuk do të kishte heshtje, kish thënë poeti, duke treguar se fjala është limfa e tij, jeta e tij, duke e forcuar edhe më shpirtin që i vlonte poezisë.
Poezia e tij lind e përjetohet prej formave të pafundme të dashurisë, shndërrohet në joshje, që nxit dhe grish, konturohet e projektohet si një mundësi potenciale për të njohur veten dhe botën. Poeti, njëlloj si në fillesën e marrëdhënies, gjen vendin në botë. Poezia rifiton vlerën e harruar dhe kthehet në një model kërkimi drejt ëndrrës së kulluar. Dikush kapërcen vetminë. Dikush gjen fjalën e duhur mes fjalëve të humbura. Një tjetër mban mend vargje të kthjellët, të fuqishëm, plot tingull dhe kuptim, ashtu siç i ndeshim në poezinë e Xhevahir Spahiut. Falë origjinalitetit, kjo poezi na shtyn të besojmë se ç’ishte e poetit është bërë tashmë dritë brenda atij që lexon apo mban vesh ato fjalë.

Xhevahir Spahiu, shkruan poeti dhe letrari madhor Dritëro Agolli, është një nga poetët më të mirë që ka Shqipëria, poet me një shprehje të fuqishme metaforike, me përplasje idesh, me një frymë lirike dhe zhvillim dramatik të vargut, me një figuracion të plotë, por kryesisht me ide të thella, tronditëse.”

Talenti i tij poetik luksoz e identiteti krijues i pakrahasueshëm, bashkon rreth vetes tematikën me një përsosmëri të vazhdueshme të gjykimit të tij…”, thotë Ante Popovski, Shkup, 1998.

Robert Elsie (Historia e letërsisë shqiptare, Nju Jork 1995) shkruan: “Energjiku Xhevahir Spahiu nuk është poet-murg dhomash të mbyllura apo i një vetmie të humbur në mendime. Poezia e Xhevahir Spahiut, e këtij “enfant terrible” të letërsisë shqiptare është e fuqishme dhe solide, por njëkohësisht është poezi e ngjyrimeve dhe shkallëzimeve kuptimore.
…Me kalimin e viteve, Xhevahir Spahiu është shndërruar gjithmonë e më shumë në një poet të brendshëm, nga ai lloj i veçantë krijuesi që ujërat dhe dallgët e të folurës së përditshme i kthen në dritë poezish. I ngjashëm, por jo krejt njëlloj, me atë që mbështet veshin pas tokës për të dalluar lëkundjet, ky poet mbërthen kryet pas gjoksit, në përgjim të ndjenjës njerëzore. Mes tyre ai ka veçuar gjithmonë njërën – Dashurinë, e cila te ky poet nuk është e vetme dhe njëfarëshe
”.

Xhevahir Spahiu lindi më vitit 1945 në Malind të Skraparit, që në moshë të njomë iu dedikua poezisë dhe botës së shkrimeve. Studioi në Fakultetin Histori-Filologji, dega Gjuhë-Letërsi shqipe. Që nga viti 1968 ka punuar si gazetar në gazetën “Zëri i popullit”, redaktor në revistën “Nëntori”, mësues dhe libretist në Teatrin e Operës e Baletit në Tiranë. Është i nderuar me çmimin “Migjeni” dhe dhe është fitues i Çmimit të Parë në konkursin e 45-vjetorit të Çlirimit të Atdheut.
Tituj të veprave të tij poetike janë: Mëngjes sirenash (1970), Ti qytet i dashur (1973), Vdekje e perëndive (1977), Dyer dhe zemra të hapura (1978) Bashkëkohësit (1980) Agime shqiptare (1981) Zambakët e Mamicës (1981) Kitaristët e vegjël (1983) Nesër jam aty (1987) Heshtje s´ka (1989) Dielli i lodrave (1990) Poezia shqipe (1990) Kohë e krisur (1991), Udha (2005). Për disa kohë, pas hapjes së vendit tonë dhe fillimit të proceseve demokratike ka qenë kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë.
E veçanta e poezisë së Spahiut buron nga një vendosje metaforike dhe simbolike e unit të tij në raport me pjesët e tjera të fragmentuara të vetvetes, me ata që e rrethojnë në përditshmërinë e tij, me historinë dhe çastin që përjeton aktualisht, si kujtesë dhe emocion njerëzor.
Udhëtimi në poetikën e Spahiut është një udhëtim metafizik në kohën shqiptare, në vorbullën e idealit, iluzionit, vetmisë, heroizmit, klithjes, shterpëzimit të ideve dhe kauzave, akthit sindromik, rënies kolektive në grackën e idhujtarisë politike, traumave dhe devijimeve të pa cak. Këto gjendje trallisëse e imazhe të befta, bëhen ende më të beftë deri në klithje, nga strofa në strofë, nga faqja në faqe, nga gjendja në gjendje, teksa lexon librat e tij, ku nga libri në libri ka një ngjitje vertikale të poetit, për të kulmuar në vëllimin e tij poetik “Kohë e krisur”, ku me tone të forta poetiko-dramatike, me nota të thekëta antikonformiste jepet devijimi i gjithanshëm i individit dhe vetë shoqërisë shqiptare në këtë tranzicion të pashpirt siç e kanë quajtur me të drejtë.  Në fakt është një autopsi e thellë, që një penë zhbiruese I bën një realiteti të thyer deri në befasime, në një gjendje e cila endet midis ironisë dhe simbolikës, tenton t’i bëjë shoqërisë shqiptare, në një nga krizat më të rënda e më të skajshme, të përjetuara nga shqiptarët në tash një shekull e disa vite shtet kombëtar.
Profili poetik i Xhevahir Spahiut na sjell një dehje jugu, që nga tingujt magjikë baritorë tek fëshfërima e barit, një sagë lirike, dramatike, epiko-heroike, ku gjallon vektori i një estetike që shkon drejt të pamundurës. Në këtë ujëvarë poetike, poezia e Spahiut unifikohet me një rrjedhë të lirshme ujëvare dhe personifikon vetë shpirtin dhe arketipin e lirisë në njërën anë, ndërkohë që stigmatizon një shoqëri të sëmurë, delirante dhe traumatike, që i ka deformuar të gjitha dimensionit dhe është shndërruar në një anti-arketip kolektiv.
Metaforat e fuqishme, simbolikat e thyera, kontrapunti, ambivalencat janë pjesë e një karoseli gjigant ku vërtiten çaste idili e vetmie, pasioni e ëndërrimi, pasione të sëmura, sindroma, akte delirante, stresi, pamundësia për të shijuar frytet e pemës së lirisë. Në këtë shtjellë të rrëmbyer poeti vendos unin e tij, hapësirat e imazhit që përfshin në shqyrtimin e tij poetik.
I thanë fjalës: tani je e lirë,
Por fjala s’kish fuqi të thosh: nuk më duhet,
E ç’më duhet, kur s’u thashë atëherë kur duhej?…
Vargjet i ngjajnë krijuesit që duket se këto kohë, për shkak të një sëmundje të rëndë, por që fatmirësisht e ka përballuar me dinjitet, i është larguar fjalës, të paktën asaj të artikuluar në intervista, pasi poezisë jo. Poezisë poeti jo vetëm që nuk i ka ikur, por tani më shumë se kurrë e ka bërë pjesë të vetëdijes së tij qytetare e njerëzore. Sigurisht, që poetit i mjafton poezia dhe me të ka dhënë shumë, ka rrëfyer një gjysmë shekulli jetë, brengë, dashuri, ekzistencë, rebelim…
I rrethuar nga miqtë e zemrës, ndihet fatlum ku shtatëdhjetë pranverat – ka lindur në stinën e bukur – i feston i qetë, i gjallë, fitimtar ndaj sëmundjes që nuk e mposhti shpirtin e tij luftarak. Ndihet mirë të presë urimet dhe surprizat e të njerëzve të afërt, të presë mirënjohjen e lexuesve si një balsam mbi plagët e vjetra e të reja, që ia shkaktoi indiferenca e brezave të rritur pa dashuri, por që tani e kërkojnë me qiri dashurinë dhe flakën e pasionit të poetit për të vërtetën.
Si një rrugëtim në kohë, vit pas viti vijnë edhe poezitë e përmbledhura në dy vëllimet “Udha I” dhe “Udha II”, profilizojnë më së miri portretin estetik të shkrimtarit, unin e tij, kohezionin e një lufte të pa kompromis ndaj gjithçkaje që kërkon të shterë rrugët e pasionit dhe të dashurisë së pakushtëzuar ndaj njerëzve, ndaj kohës dhe historisë së kombit të tij.
Metafora e fuqishme, idetë që përleshen e përplasen, lirizmi dhe vargu dramatik…të gjitha këto sipas plakut të urtë të letrave shqipe, Dritëro Agolli, e bëjnë një nga poetët më të mirë që ka Shqipëria, i cili shkruan thellë dhe trondit.
Poezia e Spahiut është e gjallë, dinamike, ajo lëviz bashkë me poetin që e kërkon poezinë dhe e gjen në udhën e vargjeve.

Tani që jam gjallë, vjen poezia tek unë, nesër kur s’do të jem, do të shkoj unë te poezia ime. Nëse kam bërë diçka, nëse nga dhjetë marrëzira, që thotë njeriu brenda ditës, kam thënë një fjalë të mirë, kjo nuk është pak, ka të tjerë që mendojnë apo pandehin se nga dhjetë fjalë që thonë, njëzet i kanë të përndritura”, kështu shprehej poeti, atëherë kur fjalën e çonte edhe në intervista. Tani ai vetëm hesht, e heshtja e tij të vret, por për të flet poezia, flet koha, flasin brezat e lexuesve që u bënë më të mirë edhe nga hapësirat e poezisë së tij…