Suplementi Pena Shqiptare/ Xhevahir Spahiu: Borxhet e mia

Do të vdes,
do të vdes i mbytur në borxhe.
Nuk është asgjë mbytja në lumë, apo në dhomat e gazit.
I kam borxh nënës që s’ia ngrita varrin,
i kam borxh lisit që s’ia hodha pjergullën,
i kam borxh dashurisë që ia vodha të dielën,
i kam borxh krimit që s’i vura emër.

Do të vdes:
do të vdes i mbytur në borxhe!
I kam borxh fjalës që s’e pashë në ëndërr,
i kam borxh korbit që s’ia zbardha pendët,
i kam borxh vitit ’13 që s’ia mbylla plagët,
i kam borxh ardhmërisë, që ia lashë në prag
e një kohe të largët.

Sigal

Do të vdes,
do të vdes i mbytur në borxhe.
U kam borxh të gjallëve,
u kam borxh të vdekurve.
Gurin e varrit do ta shes
për të larë borxhet.
Dhe vë pikën këtu.
Tani mund të flisni
për borxhet që më keni ju.