Suplementi Pena Shqiptare/ Xhevahir Cirongu: Mysafiri nga qyteti

332
Sigal

Atë mëngjes, Agushe Vrapi u zgjua herët nga gjumi. Do të shkonte në pazar, atje në qytetin bregdetar. Spinaqin, qepët e njoma, e patatet pranverore, i mblodhi qysh ditën e parë nga kopshti i perimeve. I pastroi me thikë rrënjët dhe më s’fundi i lau me ujë çezme. Veçmas i hodhi në qese plasmasi dhe i la në një cep të dhomës së magazinës së perimeve e të bulmetit. -Hë, moj grua, pse t’u çalltis gjumi herët sonte?! Apo t’u shfaq ndonjë ëndërr e keqe gjatë natës! – i tha Ramadani të shoqes gjysma -gjysma këto fjalë, ngaqë akoma s’i kishte dalë gjumi. – Fli, o flesh të madhë, se do mjel  Larën në katua! Do të shkoj në pazar sot. Siiiii…?! Ti sot në pazar….?! Epo, do të vi edhe unë! Ti tregto qumësht e perime, kurse unë rakinë e vjetshme të kumbullës. Në këtë kohë , Agushja mori kusinë e kullonjën  dhe shkoi për tek lopa në katua. Lara qëndronte ulur . Me të parë Agushen, u çua në këmbë, e me gjuhë po lëpinte vithet. Si mbushi enën me qumësht, u kthye në kuzhinë.  Edhe Ramadani u çua nga shtrati. U bënë gati, e u nisën që të dy:burrë e grua për në pazar. Kur ra dielli mbi kodrat e qytetit, ata u gjendën në vendin e quajtur “Pazari  i fshatarëve”, ngaqë aty tregtohen  produkte bujqësore të fshatit. Në një cep të skolinës fundore, zunë vend që të dy duke reklamuar produktet që sollën nga fshati. Mbi banak,Agushja reklamoi spinaqin, qepët e patatet. Kurse Ramadani, bidonat e rakisë së kumbullës verdhake. Pas pak, drejtë tyre u afrua një blerës, ku në qafë kishte vendosur kollare me vija si të zerbës. -Më falni, ju  nga,a,a,a….fshati Shkozë  jeni?  Po,- u përgjigj aty për aty Ramadani! Të dy ,burrë e grua ngelën të habitur. Nuk dinin se çfarë t’i thoshin personit që u paraqit para tyre si një njeri i njohur. Shikuan njëri- tjetrin në sy  dhe të befasuar ngritën supet në shenjë mosnjohje. Pastaj, Ramadani iu drejtua të panjohurit:  -More zotëri! Pa ktheje një gllënjkë nga kjo e flamosura raki e imja…! E kam raki kumbulle nga ajo verdhokia që kam mbjellë në fund të kopshtit. Qytetari rëndë-rëndë, zgjati njërën dorë dhe mori bidonin e rakisë. Pasi i dha një të hequr të shëndoshë, ku nga sytë filluan t’i dilnin lot, iu drejtua fshatarit me këto fjalë:  –Mua më quajnë Qeman Pilafi. Banoj në lagjen”Zylyf  Pekmezi”. Fshatin e adhuroj shumë! Në fshatin tuaj kam bërë dikur punën fizike….! Eh,si janë kohrat! Më digjet xhani për atë fshat…!Edhe njerëzit janë bujarë në shpirt… Të dy,burrë e grua, shkrinë akujt e stepies së disa minutave më parë, kur dëgjuan fjalët dashamirëse nga klienti i tyre i sapo ardhur në banak.  -Epo,gëzuar e me bereqet,-tha Qemani duke iu drejtuar me bidonin e rakisë në dorë fshatarit, dhe përsëri hoqi një gllënjkë tjetër dhe e kapërcehu poshtë gërmazit. -Të bëftë mirë,gjak e dhjamë,- i tha Ramadani. Nga xhepi Qemani nxorri lekët dhe bëri pazar duke blerë spinaq,qepë të njoma, por edhe raki. Fshatari falenderoi qytetarin, por nuk nguroi duke i bërë ftesë që të dilte ndonjë ditë nga fshati i tyre. Do të shuaj mallin e viteve, e  së shpejti do të vimë në fshatin tuaj,- tha Qeman Pilafi, e u largua drejt rrugicës që të çonte tek lulishtja në mes të pallateve. Ditët e javës pasonin njëra- tjetrën. Për Qeman Pilafin, këto ditë jave ishin muaj. Nuk i durohej sa të vinte e shtuna. Dhe ja …e shtuna erdhi. Sa shumë u gëzua Qemani!  -Ku je ,o fshat, o i miri fshat?!-tha gëzueshëm me vete ai. Në mëngjes herët, i hipi autobusit të linjës që të çonte për në fshatin Shkozë. Me vete mori edhe dy trasta ngjyrë hiri, të cilat i mblodhi me gazetë. Kishte kaluar rreth një orë rrugë  dhe autobusi me udhëtarët  arriti në stacionin e fshatit. Duke zbritur nga autobusi , Qeman Pilafi i drejtohet një fshatari me këto fjalë: -“Më falni zotëri! Ku e ka shtëpinë Ramadan Vrapi? -Atje në kodër, në mes dy ullinjëve ku duket koçeku i pulave,- i kthehu përgjigje ai. Vështrimi i Qemanit u tret larg atje te ajo kodër. Kanë shije vezët e skuqura të fshatit, -tha duke ecur rrugës. Mbase për darkë na ther ndonjë pulë apo kaposh Ramadan Vrapi! Domosdo, jam mysafir e mik nga qyteti, e nuk i thonë shaka! Ka peshë miku i ardhur nga qyteti në shtëpinë e Danes sonte….! Mori rrugën që të çonte në kodrën e dy ullinjëve. Me t’u afruar pranë shtëpisë, filloi të lehte me forcë qeni i shtëpisë. Kishte të drejtë, se…mysafirin nuk e njihte. E ku ta dinte qeni larush, se i panjohuri që vinte nga qyteti ishte mik i ftuar nga vetë Ramadan Vrapi?! Në këtë kohë dolën në oborr, Dania dhe Agushja. Nuk i besuan syve, që personi atje te shtegu në kthesë, që po i afrohej portës kryesore të oborrit, të ishte Qeman Pilafi. U ranë syve me duar, e prapë vështruan të panjohurin që po afrohej edhe më shumë pranë shtëpisë. Po,po,ai është! Nuk na paskan lënë sytë akoma, megjithëse jemi të moshuar. Që të dy,shpejtuan hapat drejtë mysafirit të ardhur nga qyteti. -Mos,more larush, boll lehe! Se,mysafiri është miku më i ri i kësaj shtëpie,- i foli qenit që ishte  lidhur me zinxhir në kotec. Burjum,burjum,- u dëgjua më s’fundi zëri i Ramadanit. Epo,zemërbardhë e fjalë ëmbël qofsh nga herë,o i zoti i shtëpisë,- i kthehu përgjigje         Qeman Pilafi. Në mbrëmje, tryeza u mbush plot e përplotë me gjithë farë ushqimesh fshati.Që nga perimet,bulmeti,mjalti e rakia e kumbullës verdhake.Si këtë darkë,mysafiri i ardhur nga qyteti se kishte provuar kurrë! Të paçim,o Ramadan,e dita një mijë t’u bëftë,- uronte me gotë në dorë herë pas here Qemani. Sytë i ishin skuqur nga pija e tepërt.I dukeshin qartë jargët që i dilnin nga goja; e sytë e përgjumur hapeshin e mbylleshin si qepen garazhi. Hë de, hë,pije me fund,- iu lut Dania mikut nga qyteti. Kemi raki sa të lahet jo vetëm fshati, por edhe  qyteti! Sa për rakinë dhe pulën lariskë, m’i hidh në trestat që kam me vete. Ja ku janë,moj Agushe! Sa do të gëzohet ime shoqe, kur  nesër në mbrëmje do t’i çoj peshqesh nga fshati!? Këto fjalë Qemani i tha nën efektin e pijes së tepërt; por nuk thonë kotë: “Gjysma e shakasë, është gjysma e së vërtetës!” Dhe me të vërtet kështu ndodhi.  Nga sedra, Agushja në trastën e parë hodhi djath,fasule, patate, qepë e raki. Në trastën e dytë futi pulën lariskë. Të dielën në mbrëmje, Qemani u  kthye në qytet. Me njërin gisht të dorës s’majtë, shtypi butonin e ziles së derës. Merka nuk nguroi, dhe hoqi sytë nga televizori, që në këtë moment po shikonte telenovelën. Hapi derën. Kur pa  Qemanin  me tresta plotë, iu hodh në qafë. Lumja unë për burrë që kam! Mori trastat dhe i boshatisi fët e fët. Sa për pulën, ia çoi komshisë  për ta therur e rrjepur. Mua më duhet mishi e jo puplat more burrë! A nuk e shikon se figoriferin e  kemi bosh?! Mirë de, mirë, por do të shtrihem se jam lodhur nga rruga. Merka bëri gati shtratin. Qemani po flinte. Ai gërriste si derr stallë. Ditët e javës kalonin si pa kuptuar dhe e shtuna erdhi prapë. Tavolina rrinte shtruar me ushqimet e fshatit. Merka hodhi vështrimin nga  Qemani  -Mos më rri si hutaq. Nesër shko prap në fshat. E shikon se po rrallohen ushqimet në figorifer! Pastaj, çfarë do të shtrojmë në tavolinë!? E kam merak vetë, moj grua! Sa të më kesh mua, mos shko për ujë as në krua! Të nesërmen, meqë ishte e shtunë u nis për në fshat. Sa herë që shkonte atje, mish e raki,f asule, qepë e piper të kuq e të zi sillte në shtëpi Qemani. Një ditë Agushja i thotë Ramadanit duke iu lutur, që të shkonin për darkë në qytet tek Qemani. Si u menduan, u nisën për në qytet. Në katin e tretë të pallatit, dera përballë trokitën, ndoshta ishte hyrja e mysafirit të tyre.Trokitën. Derën e hapi Merka. -Më falni, pyetën të sapoardhurit, -shtëpinë e Qeman Pilafit kërkojmë?!  -Po,ejani,se shtëpia e Qemanit është,- iu përgjigj aty për aty e zonja e shtëpisë.  -Jemi miqtë tuaj,zonjë! Kemi ardhur nga fshati Shkozë. Në duart mbanin çantat të mbushur plotë me ushqime. Ato iu ishin skuqur si spec i kuq. – Epo,…ejani,ejani, si në shtëpinë tuaj. Mos t’u vijë zor…! Edhe Qemani u çua, e tërë lajka i përqafoi miqtë nga fshati. Përtej xhamit të dritares kishte rënë muzgu i mbrëmjes. Që të tre, Ramadani,Agushia e Qemani po shikonin ndeshjen sportive në ekranin e televizorit. E zonja e shtëpisë, nuk u pa më, qëkur solli kafetë. Ora po shkonte njëzetë e dy e mbrëmjes. –O Merkë, o Merkë,- i thirri të shoqes Qemani, kur pa orën se kishte shkuar vonë. Na shtro tavolinën se i ka marrë uria miqtë! Në tavolinë u servirën katër filxhanë me çaj e disa feta buke. Ne të qytetit, darkën e hamë të lehtë. Kështu flihet rehat.Kurse ju të fshatit, hani shumë rëndë. Prandaj edhe gjumin se bëni të lehtë…! Edhe miqtë e ardhur nga fshati, çaj e bukë pa djath hëngrën. Aty nga mesi i natës, zorrët e miqve filluan të kërcisnin e gjëmonin, sikur jashtë bënte stuhi. Ata shtërngonin barkun, por s’kishin se ç’të bënin. Në mëngjes u çuan herët. U përcollën me mikun e qytetit, e u nisën me autobus për në fshat. -Udhë të mbarë, e mirë u gjetsha!,-iu tha Qemani miqëve të fshatit. Ramadani e Agushja nuk kishin fuqi t’i kthenin përgjigje, ngaqë duart i mbanin mbi stomak. Dy miqtë e ardhur nga fshati Shkozë, as kishin dëgjuar e as kishin parë mikpritje të tillë nga ai qytet. Por çudia vazhdoi. Qeman Pilafi, përsëri në mbrëmjen e së shtunës, trokiti  në portën e asaj shtëpie! Të dy trastat i mbante mbi sup dhe ecte kryelart. Nga qyteti i binte bosh, në kthim i merrte plot. Sa e pa Ramadani, i tha burjum ore mik, burjum. Rëndë-rëndë, Qemani hyri në dhomën e miqve.Tashmë, ai ishte bërë pjestar i shtëpisë, por edhe banor i fshatit. U ul në kolltuk. Si nga herë, edhe këtë radhë u krekos si gjel. I zoti i shtëpisë mbaroi punët e mbrëmjes dhe u ul në kolltukun  tjetër. Televizori po transmentonte emisionin”Hapësirë e Blertë”. -I bukur është fshati,- thehu heshtjen Qemani. -Edhe qyteti,- shtoi Ramadani. Pa orën e  murit. Ajo tregonte  njëzetë e dy të mbrëmjes. I bëri zë Agushes që të shtronte darkën.  -E shyqyr, se më grinë zorrët,- tha me vete Qemani. Në tavolinë erdhi buka dhe tre filxhanë me çaj. -E,që thua ti ore mik, që kur erdhëm në qytet për darkë tek ty, mësuam shumë gjëra. Për çdo darkë, bukë e çaj hamë e gjumin e bëjmë të lehtë. E ç’e do mishin e rakinë! Ke parë ti, që barkun e zorrët na i grinë…! Tani u mësuan zorrët. Hamë një kafshatë, e gjumin e bëjmë rehat edhe ne në fshat?! Qemani nuk foli. Si mbaruan së ngrëni darkën, fikën televizorin. Ai emision po e bezdiste. U shtri në divan për gjumë. Nga mesi i natës, zorrët e mysafirit nga qyteti filluan dyluftimin.Në mëngjes herët miku nuk priti  me trastat bosh u kthye në qytet.  -Qyqja, qyqja, more Qeman…! Pse je zverdhur? A nuk e shikon veten si je bërë?! Si dyllë blete të është bërë fytyra! Po trastat pse janë bosh? Mos t’i ka marrë kush!? Jo,jo. Kaq e pati kjo punë e miqësi,- tha Qemani dhe hyri brenda në shtëpi. Ndërsa Merka bërtiste sikur të ishte e çmendur. Që nga ajo ditë, mysafiri i qytetit nuk u pa më në fshatin Shkozë.