Suplementi Pena Shqiptare/ Vojsava Nelo:  “Një tufë me puthje, lirika për dashurinë

166
Sigal

 

Mbaj mend…

E lamë të takohemi në muzg.

Dhe nëpër muzg ecëm,

me hapa të ngadaltë,

si dy të dashuruar,

folëm, lozëm, qeshëm.

 

Ti më the ca fjalë.

Ne thamë ca fjalë,

që s’i kam harruar kurrë,

edhe pse më pas, me mijëra thamë.

 

Mbaj mend, se si ndizej e përflakej

muzgu dhe unë

nga ato fjalë,

që u gdhendën në mendjen time

së bashku me puthjen e parë.

 

Sa herë jam vetëm dhe kam ftohtë,

dhe kam frikë,

eci nëpër atë muzg të largët,

mbushur me lumturi dhe me dritë.

 

Ti ishe një xixëllonjë

Netëve, ti ndiqje xëxëllonjat:

Rendje pas dritëzimit të tyre…

Pa e ditur se ti vet,

ishe një xixëllonjë që dikush të ndiqte,

atëhere, sot, e përjetë.

 

Përkëllelitë e tua

Nëpër ca përkëdhelira të pafundme,

që i ndiej edhe sot.

Që u jepem sa herë ndiej dhimbje

dhe poshtë jorganit kam ftohtë.

 

Humbas nëpër ato përkëdhelira,

strukem aty si zog.

O Zot, sa e lumtur!

Sa e lumtur, o Zot!

 

Strukem aty e askush s’më cënon dot.

Dhe nis e lodroj në qiellin e shtatë.

Pastaj,

pastaj prej një trilli të çuditshëm,

mbërrij në skajin më të largët të Polit të Veriut

dhe prap s’kam ftohtë.

 

Përkëdhelitë e tua të pafundme.

Përkëdhelitë e tua, o Zot!

 

Një çift i ri mbush botën me puthje

Jashtë dritares…, tutje…, nëpër fushë…

Ka rënë nata…

Një çift i ri e mbushi botën me puthje.

Një çift i ri, ende, përjashta.

 

Një çift që nuk më le të fle.

Zgjon puthje të hershme:

afshe të zjarrta,

çaste të lumtura që ikën një nga një.

 

Malle,

brenga,

nga ato, që i mban të fshehura zemra.

 

Zgjohen. Feksin e shkëlqejnë,

si margaritarë të ndritur,

mes kësaj nate mbushur me puthje,

mes kësaj nate që është duke ikur.

 

Një vajzë me veshje mëndafshi

Ajo shëtit buzëmbrëmjes me veshje mëndafshi,

duke përcjellë një bukuri të rrallë.

Si një imazh magjepsës,

që shfaqet në këto brigje, në këto anë

 

e u vë flakën.

Ndërsa muzgu bie ngadalë.

Një vajzë me veshje mëndafshi,

ndez epshet e mbrëmjes së valë.

 

Puhiza që fryn

Puhiza hyn nëpër gjeth e gjethi nis e fërfërin,

duke drithëruar përbrenda mallin e vjetër,

atë mallin tim!

 

Vjen dhe e rizgjon kjo puhizë.

si një shpirt i gjallë që mund të prekë gjithçka.

E gjithçka mund ta lëvizë:

kjo puhizë.

 

Kjo puhizë që vjen e drithëron

thellë shpirtin tim,

dhe mallit tim të vjetër

i jep jetë:

i jep frymë.

 

Oh, kjo puhizë që fryn!

Oh, malli, malli im!

 

Fytyra e tij si një mirayh dehës

Fytyra e tij gjithmonë e bukur.

Prekëse.

Si një mirazh dehës,

avitet.

 

Pastaj fshihet.

Dhe trupi im thyhet.

Dhe shpirti.

Dhe krahu i një zogu,

e që s’mund të fluturojë.

 

Mirazhi yt i përjetshëm:

shfaqet e zhduket.

Imazhi yt, si një lojë, si një lojë mizore,

që do të më thyej,

në mijëra copëza të më thërmojë.

 

Apo të më gëzojë.

Ritmikisht të më gëzojë.

Befasisht të më gëzojë.

 

Sapo m’u fanit.

Imazhi yt!