Mbërrite, Sava?!
– i them vetes.
Hidhe spirancën!
Ankorohu!
Është Itaka jote këtu.
Buzë këtij deti blu.
Po nuk arrita!
Se nga mbërritën ca erëra të forta,
Se si ngritën ca dallgë të mëdha?!
Se si më përlanë e më vërtitën,
nëpër ca dete, shkulm e zhurmë,
nëpër ca dete, nëpër ca brigje,
oh, sa të largëta?!
Aty më lanë. Më përplasën.
As gjallë, as vdekur,
kur sa mendova se, më në fund,
Itakën time kisha mbërritur.
Isha rikthyer, gjallë a vdekur,
por vijnë ca dallgë, po vjen një shkulm,
e më rrëmben.
E prej këtej, ku jam përplasur,
më duhet rishtaz që të nisem
Itakën time ta rigjej.
Itaka ime! Po nisem prap,
dhe pse sërisht fryn erë e marrë.
Dhe ngre ca dallgë, oh ç’dallgë, Itakë,
që më kanë çuar, nuk di sa larg?!
Itaka ime, po nisem vrap!
Troja
“Troja” shkëlqen nën dritën e diellit…
“Trojanë”!
Kudo jeni,
paçi bekimin e tokës dhe qiellit!
Të të parëve tanë,
që në paqe e qetësi flenë.
Se “Troja” ka lindur e do të lind
“trojanë” të shkëlqyer,
ngaherë.
“Troja” jonë! Shpirti ynë!
Gjaku që rrjedh nëpër vena,
nëpër dej…
Nga brezi në brez,
nga koha në kohë.
Nga legjenda në legjendë.
“Trojanë”!
Kjo është “Troja” jonë,
dhe ne, “trojanët” e saj.