Suplementi Pena Shqiptare/ Vjollca Tiku Pasku: Buzëqeshja e fundit e fraut Anna Hybner

749
Dëbora e bardhë binte pareshtur me frymën e vet të ftohtë. Ftohtësia e saj gjendej edhe brenda shpirtit të herr Majas. Ai ishte një burrë rreth të gjashtëdhjetë e pesë vjetëve, me një fytyrë paksa të imët, me sy të vegjël dhe zhbirues. Papritur zilja e telefonit prishi atë qetësi të trishtuar. Ishte e bija. Ajo merrte çdo mëngjes për të pyetur për nënën e saj. Këtë bisedë e ndërprenë rënkimet e dhimbshme të fraut Hybner. Ai e la bisedën me të bijën, teksa filloi të vështronte fytyrën e gruas. Lëkura e bardhë e lëmuar, tashmë ishte tërhequr brenda gropëzave të faqeve dhe buzët i rrinin pothuaj ngjitur me nofullën. Për herr Majan, ajo ishte e bukur edhe ashtu e bardhë si bora, me ballin e lartë dhe flokët gështenjë. Ajo ishte gjashtëdhjetë vjeç, por sëmundja e kishte drobitur shumë dhe e kishte bërë të dukej më e madhe. Dhimbjen e përqendruar në vetullat e rrudhosura dhe frymëmarrjen e rëndë, nuk e qetësonte as oksigjeni i burgosur ne gypat cilindrikë të aparatit… Ajo, gruaja e tij, dashuria e tij e pandërprerë, vuante nga kanceri i mushkërive. Karcinomat me qeliza të vogla ishin tepër agresive dhe metastazat ishin përhapur në mënyrë të shpejtë. Ato gjendeshin kudo në kocka. Edhe nëna e saj kishte vdekur nga e njëjta sëmundje. Pas kimioterapisë citotoksike , gjendja e saj ishte rënduar më tepër. Ai ndiente dhimbjen e saj. Lot të hidhur burri i rrëshqisnin në faqe dhe çdo pikë e tyre përmbante ulërimën e tij. Ngrinte sytë drejt qiellit, si për t’u ngushëlluar, për të gjetur një forcë hyjnore, e cila nga çasti në çast mund të ndryshonte çdo gjë. E përfytyroi të gjithë jetën me Annën, si në një film. Anna ishte gjithëshka për të. Ai me të kishte fituar lotarinë e jetës. Ishte kundër thënies se “dashuritë e mëdha nuk jetojnë” . Ai kishte jetuar i lumtur për vite me radhë. Nga të gjitha ditët e javës adhuronte të shtunën dhe të dielën. Këto ishin dy ditët e lumtura, vetëm me Annën, pa asnjë tjetër. Nuk ngopej kurrë me të. Fjala e saj ishte zëri i shpirtit të ëmbël dhe trupi, ishte burimi magjik që merrte gjithmonë energjinë e lumturisë. Pikërisht në këtë jetë të vdekshme, kishte gjetur pavdekësinë në dashurisë së Anës. I kujtohej gjithçka, që nga njohja me të, martesa lindja e fëmijëve, rritja e tyre dhe problemet e ndryshme. Ata kurdoherë ishin bashkë. Dy palë sy shikonin të njëjtin qiell, drita që hynte në dy zona të përbashkëta në thellësi të qenies së tyre, prodhonte çaste kënaqësie për të dy. Çdo herë, ishte si të qe hera e parë. Përse duhej kjo sëmundje e tillë?!… Ishte gati t’i falte mushkërinë, frymën e vet, por përsëri nuk bënte dobi?!… Befas Annën e zuri kolla dhe filloi të nxirrte gjak… Mes vështirësisë së frymëmarrjes dhe dihatjes me rrokje të zgjatura, ajo i tha: 

-Hans…, dua… të vdes… nuk duroj dot më, të lutem… më mbyt?! … Tashmë ajri iu pakësua, mushkëria nuk i punonte më, mes lotësh ai shikonte gulçimat e gruas, si të ishin të fundit dhe ngjyra e kuqe që ishte përhapur në gjithë gojën e saj. Ngriti dorën e djathë si për t’i thënë “jepi fund” dhe me një “ëëëhhh!” të zgjatur…Në vorbullën marramendëse, ngriti jastëkun dhe e vuri mbi fytyrën e saj, që vuajtja monstruoze të merrte fund. Por një ulërimë e madhe i doli nga fundi i shpirtit, si nga fundi i humnerës… 

– Ç’farë bëj kështu?… Jooooooooo!… Si mund të vras shpirtin tim?!… Dhe për të mpirë sado pak vuajtjen e saj, i bëri menjëherë morfinën… 

-Ti e dashur më ke falur për shumë vjet lumturi. Kemi jetuar të dy ëndrrën e madhe të një jete. Unë do të bëja gjithçka për ty, jetën time do e falja, por përsëri sëmundja jote nuk ka shërim. Ti duhet të ikësh denjësisht në qiell… Ndonëse në Zvicër, eutanazia, “ndihma të vdesësh” është e ligjshme dhe atij i duheshin pak ditë për të bërë dokumentet , ai nuk fjeti gjashtë net. Rrinte me të në dihatjen e vështirë të frymëmarrjes, dhe në gjumin e mpirë. Fliste dhe nuk lodhej, sepse e dinte që ajo e dëgjonte. Përsëriste për të gjithë çastet e bukura, shakatë të qeshura dhe vështronte reagimin e vetullave të saj. Mendonte gjithmonë: “Jam i vetmi burrë në botë, që e dua kaq shumë gruan time, dhe po e ndihmoj të vdesë. Ah… të urrej vdekje, ti më merr atë që dua më shumë në këtë botë!”. Pas gjashtë ditësh u nis me të në drejtim të Bazelit me një autoambulancë. Kur arritën në klinikën e bardhë ajo mblodhi të gjitha forcat dhe i buzëqeshi për herë të fundit… 

-Të dua përjetësisht!…- u dëgjua mekja e saj. Zemra e burrit u thye. Ishte gati të kthehej mbrapsht. Ajo tundi kokën në shenjë mohuese. U fut brenda dhomës së bardhë, mbylli sytë për të mos i hapur kurrë…. Ai iku rrufe në pyllin që ndodhej para klinikës. Shkelte pellgjet, duke i goditur fortë me këmbë, sikur të godiste vet dhimbjen.. Këmba e tij preku në një gur të mprehtë dhe pellgu u bë i kuq. Nuk ndjeu dhimbje, sepse kishte përbrenda shpirtit dhimbjen më të madhe. “ Sapo vrava shpirtin tim që doja më shumë në këtë botë”, mendoi. Dy infermierë të klinikës, duke ditur reagimet e personave të tjerë, i shkuan nga pas dhe i bënë menjëherë një qetësues ….. “Tani delli dhe hëna flenë me ty”, mendoi herr Maja. “Të gjithë njerëzit që jetojnë denjësisht, kanë të drejtë të vdesin denjësisht”. Era frynte dhe atij i dukej sikur dëgjonte zërin e saj “Kush vdes me dashuri, jeton në dimensione të tjera me dashuri”. 
Sigal