Suplementi Pena Shqiptare/ Vangjush Saro: Vangjush Ziko, ikonë e Letërsisë Shqiptare

25
Sigal

Shënime rreth Mendimi Letrar të shkrimtarit

Kohë më parë, duke përmbledhur disa nga shënimet e mia letrare për poetin, përkthyesin dhe studjuesin e njohur Vangjush Ziko, botova një shkrim të gjatë, le të themi njëlloj studimi, me titull “Figurë e rëndësishme e Letërsisë dhe Kulturës Shqiptare”. Sot po shtoj disa konsiderata rreth Mendimit Letrar të këtij autori në zë, çka është pjesë e rëndësishme e karrierës letrare dhe e profilit të tij si shkrimtar. Kësisoj, them se plotësoj njëfarësoj studimin për të cilin bëhet fjalë më lart.Në të gjitha përsiatjet letrare të Zikos, bie në sy erudicioni i gjerë i këtij krijuesi shumëplanësh, ndjeshmëria ndaj së bukurës dhe ndaj së dobishmes, respektimi i parimeve letrare, korrektësia profesionale ndaj termave të letërsisë dhe artit në përgjithësi. Në të njëjtën kohë, në Mendimin Letrar të tij, vihen re lehtësisht modestia autoriale dhe vëmendja ndaj arritjeve të kolegëve, po ashtu ndaj Letrave Shqipe në tërësi. Ai vjen si një model i krijuesit të përkushtuar dhe të përgjegjshëm ndaj fjalës dhe çdo gjesti njerëzor. Vangjush Ziko ka studjuar në Rusi; ai ka jetuar për një kohë të gjatë në qytetin e lindjes, Korçë, e tash në Mississauga (Kanada).  Udha letrare e tij është e gjatë. Njihet së shumti si poet. Është një ndër ata që sollën risi në poezinë shqipe në vitet ‘60, bashkë me I. Kadarenë, D. Agollin, F. Arapin, Dh. Qirjazin, e më pas, J. Bllacin, etj. Ai ka shkruar disa drama, ndër të cilat më e njohura “Motra Katerinë’; ka shkruar e botuar gjithashtu prozë dhe monografi. Ziko është një nga përkthyesit tanë më të njohur. Studimet letrare janë gjithashtu një nga pasuritë e veçanta të profilit të tij artistik. Siç kam pasur rastin të shpjegoj edhe në shënime të tjera, në këto kohë, një pjesë e mirë e shkrimtarëve tanë më të spikatur, herë pas here, qasen për shënime letrare dhe ese. Kjo është një gjë e njohur përgjithësisht në të gjitha jetët dhe karrierat e krijuesve me emër në botë. Mendoj se tek ne, një nga shtysat për këtë përfshirje, është amullia që vihet re në zhanrin përkatës, ku ka disa arritje e kontribute me vlerë, por ndërkaq shihen qartazi edhe mungesa që (pothuaj) e penalizojnë letërsinë dhe artin. Në këtë kuptim, qasja e autorëve të mirafirmuar, është e vlertë dhe më shumë se e dobishme.Vangjush Ziko është një krijues i gjithanshëm, një mjeshtër i fjalës, gjithaq një vëzhgues me parime të sprovuara, por edhe me zemër të gjerë.  Vështrimi i tij mbi letërsinë dhe artet është gjithnjë i kthjellët; siç shprehet edhe ai, “për prozatorin, për poetin, por edhe për lexuesin, ka rëndësi dhe vlerë jo vetëm përmbajtja, por edhe forma, struktura dhe gjuha poetike e një krijimi letrar artistik.” Përfundime të tilla tregojnë qendrueshmërinë e bindjeve të tij estetike. Disa nga përsiatjet e Zikos, në vështrim të parë janë ese, ku përparësi i jepet meditimit në tema të caktuara. E tillë është eseja “Poezia e filozofisë dhe poezia filozofike”; ai shpalos këtu idetë e tij për një nga gjinitë më të preferuara në kohëra, për krijuesit dhe për lexuesit. Në po këtë udhë, vjen shënimi tejet interesant e në ujëra medituese për Tolstoin dhe novelën e tij “Atë Sergei” apo shënimi “Forca e bukurisë shpirtërore”, ku analizohet romani i “Idioti” i Dostojevskit. Të tjerë emra të njohur të Letërsisë Botërore janë gjithashtu në vëmendjen e tij, teksa analizon profile dhe prirje, sikundër ndodh në esenë për shkrimtari argjentinas Jorge Luis Borges. “Fjalë mbi letërsinë kanadeze” apo “Odisea i poezisë moderne greke” (Jorgo Seferis) janë vetëm disa nga esetë ku studjuesi erudit shfaqet në një dimension tjetër. Jo rrallë, shënimet letrare të autorit shoqërojnë thjesht përkthimet e tij, sikurse ndodh me Mishel Houellebecq, një nga shkrimtarët francezë më të lexuar. Jashtë fokusit nuk mbeten edhe poetë më të rinj, por premtues, sikundër Hostia Rustam, që i përket brezit më të ri të poetëve uzbekistanas. Dy nga librat më të rëndësishëm të Vangjush Zikos në zhanrin e Kritikës Letrare dhe Esesë, janë “Përsiatje” (Studime, ese, analiza) dhe “Mitologjia Shqipe” (Profile poetike). Në shënimet letrare dhe esetë e tij, ‘u thirrën’ disa nga poetët më të njohur të vendit, duke filluar nga Ati i Letërsisë Shqipe, Naim Frashëri apo liriku i paimitueshëm Lasgush Poradeci, për të vijuar me poetë të kohëve moderne: Rudolf Marku, Luljeta Lleshanaku, Preç Zogaj, Sadik Bejko, Mimoza Ahmeti, Niko Kacalidha, etj. Respektin për kolegët dhe risjelljen e episodeve më pikante nga jeta e tyre e shohim edhe në shkrimin për Andon Marën titulluar “Një jetë e jetuar me dinjitet”. Këtu, Ziko drejtpeshon me mjeshtëri e kujdes kontributet letrare, por edhe cilësitë njerëzore të protagonistit. Në një sërë shënimesh për poezinë e Moikom Zeqos, Vangjush Ziko vë në dukje ndihmesën e pamatë të këtij poeti erudit në Letrat Shqipe. Ai shkruan me pathos, duke i lënë vend edhe zemrës, krahas mjeshtërisë teknike në thurrjen e eseve. Ndonjëherë, Ziko përafron në shënimin letrar një tematikë të caktuar, si: “Të veçantat në lirikën erotike të Natasha Lakos”; ose “Fjalë për poezinë minimaliste”, shënim ku ai ndalet posaçërisht te poeti Kostaq Duka; apo “Stili barok në poezinë e Petro Çerkezit”, etj. Ai është gjithnjë në kërkim të veçanësive e tipareve letrare të autorëve dhe një shënim i kësaj natyre është ai për poetin Petraq Risto, që e cilëson “prestigjator i rrallë i vargut poetik”. Për ta mbyllur këtë fragment, duhet të shtoj se jam i nderuar që autori në fjalë, një penë kaq bindëse, ka shkruar disa herë edhe për krijimtarinë time, për romanet “Kurora e Ballkanit” e “Misioni”, si dhe për fabulat e mia. Vangjush Ziko është gjithnjë i pranishëm në shtypin-letër dhe atë internetik; të vendit të tij, sikurse edhe në Kanada e vende të tjera, siç ishte rasti i ‘vizitës’ në gazetën e njohur “Bota e Librit” që e drejton Xosyat Rustamova, një nga poeteshat më të njohura të Azisë Qendrore dhe më e spikatura e vendit të saj, Uzbekistanit. Ndalesa në disa autorë të huaj, të traditës apo aso në dinamikë, nënkupton prirjen serioze për të integruar sa më drejt problemet kardinale të letërsisë. E veçanta e vështrimeve letrare të Zikos, është ajo që në fakt bën edhe krijimtarinë dhe jetën e tij: thjeshtësia njerëzore dhe korrektësia profesionale. Studimet, shënimet letrare dhe esetë e shkrimtarit Vangjush Ziko janë një ndihmesë e madhe për Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare. Ai tashmë është një klasik i Letrave Shqipe. Në këto kohë – që bartin kaq shumë spekulime me krijimtarinë letrare dhe Kritikën letrare – kontribute të tilla të vyera e serioze meritojnë vlerësim nga publiku dhe nga institucionet. I bindur se ende ka shumë për të thënë për të, kujtoj se është koha që Ministria e Arsimit e Republikës së Shqipërisë, Akademia e Shkencave, Fakulteti i Histori-Filologjisë në Universitetin e Tiranës, Universiteti i Korçës, Këshilli i Qarkut po aty, Televizionet shqiptare, Shoqatat e Botuesve, institucionet e ngjashme në Kosovë e Maqedoni, duhet të tregojnë interesin e duhur e të merituar për të deleguar një (ri)botim sa më solid të veprës së tij. Ky është një detyrim zyrtar në shërbim të aktualitetit apo edhe të brezave të ardhshëm, në të mirë të shqiptarëve në Diasporë gjithaq; por njëherësh, kjo do të ishte edhe një shpërblim njerëzor ndaj njërit prej emrave më të spikatur e më të qendrueshëm në kohëra të Letërsisë dhe të Kulturës Shqiptare.