Suplementi Pena Shqiptare/ Skënder Rusi: Sytë e saj

57
Sigal

Ti më dhe sytë e tu të mëdhenj
me ta gjithë botën kam pushtuar.
Nuk më duhen syzet, do t’i hedh,
qelqe që më thyhen nëpër duar!

Nuk të dua më shumë se kaq të bukur,
sytë e tu dhe bota janë në harmoni,
Brenda meje, ti atje rri e strukur
pret të bësh me mua dashuri!

Të tillë sy s’mund të ketë të tjerë.
Shoh njerëz të verbër o njeri!
Por nuk dua bota të përmbyset
e bukura me sytë që më dhe ti!

Pikërisht tani

Eglës, pjesës sime më të mirë

Ti më do më shumë,
pikërisht tani!
Kur hapat ecin zvarrë
dhe s’i ndaloj dot unë
pikërisht tani!

Pikërisht tani
kur më duhesh më shumë!
Pikërisht tani
kur bie të fle!
Por nuk kam më gjumë
pikërisht tani!

Pikërisht tani
kur dorën ta kam zgjatur.
Pikërisht tani,
pas dorës tënde
që ta mbaja kapur
siç ma mbaje dhe ti!

Pikërisht tani
kur pranë këtij mali
më pëlqen të rri.
Pikërisht tani!
Kur dora po më dridhet
dhe dorë tjetër s’kam,
s’ma jep dot as ti!

Pikërisht tani
kur pranë këtij zjarri
ngrohesh edhe ti.
Pikërisht tani!

 

Qyteti i dashurisë

E dua këtë qytet verbërisht
rrethuar i gjithi me kodra!
Njëra prej tyre është imja, natyrisht,
aty ka lindur bota!

Unë jam i vogli ndër të mëdhenjtë,
për rrugë të gjatë jam nisur.
Unë jam i madhi ndër të vegjlit,
nga kodra asnjëherë i braktisur!

Këtu dashurohen dhe mosha e tretë,
Veç t’i shohësh kur përqafohen ata!
Dimrin e tyre e shkrijnë djemtë,
dhe vajzat që askush s’i ka!

Dua të vdes në pëllëmbën e tij,
dhe, dita që vjen quhet: Nesër.
Te ky park i mbushur me dashuri
me ketra dhe me vjeshtë!