DITËT E MIA PA TY
Ka ditë kur unë
S’di ç’të bëj me veten,
Dal nga shtëpia
dhe vetmia për dore më mban.
Kërkoj një lumë ku unë
mund të mbështetem.
Të fle mbi ujrat e tij
Pak,fare pak!
Ka ditë që pres hapat e kthimit tënd!
Ato janë nisur,
unë e njoh këtë zhurmë,
Lamtumirë ditët e mia në paqe,
dhe gjithë ju të tjerat
që i komandoj unë!
Ka ditë kur unë jam bosh,fare bosh,
Jam ky pyll ku të pëlqen të vdesësh…
Nëse në këtë pyll një ditë do më kërkosh,
Atje do të më gjesh në formën e vesës!
LËNDINA E PIKËLLIMIT
Unë jetoj tek lëndina e pikëllimit,
ku fluturojnë veç harabelë të vdekur!
Hapni portat e qiellit,ç’prisni,
këtu çdo ditë zgjat sa një shekull!
Po unë për këtë nuk mërzitem.
Këtu e ka kasollen edhe era.
Ajo më futet nëpër vite,
dhe e gjen ku rri fshehur zemra!
Unë jetoj në lëndinën e pikëllimit,
Jam brenda saj, atje ku rri shpirti!
Unë jam ky lumë që juve dot s’e shihni
që lëviz brenda jush e ju nuk e dini!
Aty nis jeta që nga fillimi!





















