Suplementi Pena Shqiptare/ Shpendi Topollaj : A kishte të drejtë ai djali?

Kishin kaluar disa vjet qyshkurse Bilal K. kishte vrarë Refik Dinen. E kishte vrarë kot së koti, vetëm për kapriço; jo më the, jo të thashë. Refiku ishte i ri dhe kishte lënë jetimë tre fëmijë; dy vajza dhe një djalë. E vërteta qe se vëllezërit e tij ja kishin marrë hakun, duke i zënë pusi dhe duke e vrarë vëllanë e madh të Bilalit. Dukej si problem i mbyllur, por Bilalit si rrinte goja rehat; mburrej sa herë i jepej rasti, me trimërinë e tij; se ishte aq trim, sa vetëm për një fjalë goje i kishte hedhur trutë në erë Refik Dines. Dhe ashtu, gojë më gojë, fjala mbërrinte deri te veshët e të afërmëve të Refikut. E kishte dëgjuar disa herë këtë muhabet edhe i biri i tij Mali, ende i pa rritur dhe ishte ndierë keq para të tjerëve. Mundohej ta harronte poshtërimin që i bënte ai delenxhiu, por ja që jo gjithmonë e ke ti në dorë. Se rasti është i çuditshëm. Vjen ashtu papritur dhe ndryshon shumë gjëra. Nga ana e tij, Bilali trupmadh, kishte një zakon që ku mbillej, s`korrej: I ndiqte shumë ziafetet e sebepet dhe o burra me lugën në brez. Shtrohej, hante e pinte sa për pesë dhe s`i linte lëvdatat. “Se unë, ju e dini; kam palosur ndonjë që mbahej si trim i madh.” Njerëzit rreth e rroturll e dëgjonin si me frikë dhe si me admirim dhe i mbushnin njëra pas tjetrës gotat e rakisë. Kishte fituar aq famë ai, sa kudo që shkonte e respektonin dhe e nderonin si njeri të shquar. Dhe ai, duke u mbajtur më të madh, lëvizte që t`i dukej koburja. Se ku e kishte gjetur një të tillë që shkëlqente e tëra dhe s`vononte të hiqte xhaketën sa herë shtrohej diku për të ngrënë apo qoftë dhe sa për të pirë ndonjë kafe. I kishte mbushur mendjen vetes se në ato anë, s`kishte burrë t`i dilte përpara. Por gjithçka ndryshoi një ditë, kur atë e kishin thirrur në një dasmë që bëhej në një fshat jo larg atij të Refikut të ndjerë. Kishte zënë Bilal K. vend në krye të sofrës dhe trashte zërin si njeri i rëndësishëm që ishte. Fliste dokrra sa të duash, por atë vrasjen e Bilalit, nuk e zuri me gojë, se e dinte se pranë ishin të afërmit e tij. I zoti i dasmës, si për ta nderuar, i kishte vënë para kokën e qengjit. Duke pirë raki e duke u bërë qakërqejf, Bilali po mundohej shumë, ta copëtonte atë kokë qengji. Dha e mori, por ishte e pamundur. Po e shihnin të gjithë dhe ai po ndihej ngushtë. Se u lëvdua si i forti i dynjasë dhe s`po mundte të hapte një kokë bagëtie. Tentoi dikush që u ndodh aty pranë, duke i thenë: “Ma ler mua zoti Bilal, mos u mundo me atë kokë.” Atij sikur nuk i erdhi mirë dhe u ndie keq, se mos ja merrnin për dobësi, faktin që nuk po hapte dot një kokë qengji. Ndaj pa u menduar gjatë, me zë të lartë foli: “Mos kini dert për mua miq, se unë kam hapur krena burrash e jo më krena berrash.” Do ti që këto fjalë i dëgjoi djali i Refikut që u ndodh aty duke shërbyer me një broke me ujë. Nuk e dha veten djali, madje bëri sikur nuk dëgjoi gjë; mbushi gotat e atyre që i kishin kërkuar ujë të ftohtë dhe doli jashtë. Me vrap e në shtëpi. U fut në dhomën e prindërve, hapi një baule, nxorri prej andej koburen që mbante dikur i ati dhe erdhi sërish te shtëpia ku bëhej dasma. U fut në dhomë me koburen e mbushur dhe ja drejtoi atë Bilalit, i cili pasi e kuptoi situatën, ngriu dhe nuk nxorri nga goja asnjë fjalë. Djali, pa e zgjatur, por vetëm duke i thënë: “Ja si hapet koka zoti Bilal!” e shkrepi koburen duke ja hedhur atij trutë në erë.

Sigal